Fundi i rebelëve të Konferencës së Tiranës
DOSSIER
(vijon nga numrat e kaluar)
Nga Skifter Këlliçi
Siç e pamë, pas përfundimit të Konferencës së Tiranës dhe më pas, është pohuar se punonjësit e legatës jugosllave nxitnin delegatë që të diskutonin në konferencë në frymën e vendimeve të Kongresit të 20-të. Megjithatë, deri tani lidhur me këtë problem nuk ka dalë asnjë fakt. Mirëpo me fantazi të shfrenuar, së cilës vështirë se mund t’i besojë edhe një naiv i budallepsur, paranojaku Enver Hoxha kërren trillime qesharake si ky fragment që po citojmë më poshtë ku përshkruan ç’ndodhi gjatë konferencës. “Iu drejtova njërit prej tyre me emër dhe i kërkova të na sqaronte aty për aty se ç’e kishte shtyrë në akuzat që bënte. Nisi të dërdëlliste … se gjoja sillte mendimin e organizatës bazë. : “Lëre organizatën bazë, – i thashë, – po na sqaro më parë ç’deshe në makinën e Ambasadës Jugosllave filan ditë, ku shkove dhe ç’udhëzime more”. (“Titistët”, faqe 556).
Është një gënjeshtër e paskrupullt e diktatorit që nuk mund të mashtrojë as edhe fëmijë. E para, se një pohim i tillë nuk ndodhet asgjëkundi në procesverbalet që ruhen në dosjen e Konferencës së Tiranës në Arkivin e Shtetit. E dyta, që është edhe më e rëndësishme, se, edhe po të kishte ndodhur, kjo do të ishte një skandal i vërtetë i një udhëheqësi, i cili, nga një anë krenohej që marrëdhëniet me Jugosllavinë po ecnin në rrugë të mbarë dhe, nga ana tjetër, po në atë konferencë demaskonte një delegat që paskësh marrë… udhëzime nga diplomatët jugosllavë (?!).
Ne e pamë se ç’dialog të ashpër pati ai me Iljaz Ahmetin, sidomos kur ky i fundit me fakte dëshmonte para tij se sa shpenzime kishte familja e një anëtari të Komitetit Qendror, të cilat u cituam fjalë për fjalë sipas procesverbalit të mbajtur në konferencë. Mirëpo, për të dëshmuar se Iljaz Ahmeti ishte agjent jugosllav, kur e paskësh pyetur se ç’bënte një natë në rrugën e Durrësit, Enver Hoxha vë në gojën e tij këto fjalë:
“Prisnim për të gjetur ndonjë makinë për të shkuar në Durrës, kur në këtë rast vjen një makinë franceze dhe shoferi e ndaloi makinën duke hapur derën dhe duke na thënë të hipnim . . Dhe ne hipëm…” Përsëri një sajesë e Enver Hoxhës, sepse një shprehje e tillë përsëri nuk ndodhet në dosjen e mësipërme të Konferencës së Tiranës, që ruhet gjithnjë në Arkivin e Shtetit.
Por, për t’u bindur edhe më shumë se këto që shkruan Enver Hoxha, janë thjesht përralla bajate, mjafton të vëmë në dukje se deri tani nuk është vërtetuar që Vehip Demi, Nesti Zoto, Iljaz Ahmeti, Niazi Jaho, Vandush Vinçani, Islam Budo, Pajo Islami, e të tjerë, që u kritikuan ashpër si protagonistë kryesorë “të këtij komploti” që po përgatitej tradhtisht pas shpinës së Partisë, me gjithë dëshirën e madhe të diktatorit, të kenë qenë agjentë të shërbimit të fshehtë jugosllav a sovjetik. As fill pas përfundimit të Konferencës së Tiranës, as më pas.
Vetëm kur më 1973 Enver Hoxha e cilësoi Beqir Ballukun si armik, vetëm atëherë e akuzoi atë edhe se në veprimtarinë e tij shumë të rrezikshme për fatet e atdheut përfshihej edhe aktivitizimi i tij në ngjarjet e kësaj konference. Ç’marrëzira!… Pas vetëvrasjes a vrasjes së Mehmetit, siç e pamë, kështu e cilësoi edhe atë.
Por, e përsëris që Mehmet, jo vetëm nuk ishte ndër organizatorët e të ashtuquajturit puç në Konferencën e Tiranës, por, përkundrazi, ishte ndër më besnikët e Enver Hoxhës, këtë e dëshmon Peco Kagjini në librin e tij “Konferenca e Tiranës”, kur përshkruan ngjarjet që ndodhën pas përfundimit të kësaj konference në shumë institucione, në të cilat Enver Hoxha dërgoi emisarë të tij për qërim hesapesh me ata që kishin bërë pyetje dhe kishin diskutuar në konferencë. “Një shembull të shkëlqyer, -shkruan ai dha organizata bazë e partisë e Ministrisë së Industrisë që u kacafyt me Mehmet Shehun, i cili kishte shkuar i deleguar me shpatë në dorë. Komunistët e saj, si: Pajo Islami, Pëllumb Dishnica, Qemal Disha, Spiro Gjoka e të tjerë iu kundërvunë dhëmb për dhëmb autoritetit të madhe të egër të Mehmet Shehut, për të mos pranuar akuzat dhe insinuatat provokuese që bënte me arrogancë dhe që ishte pjesë e karakterit prej ekstremisti të tij.”(faqe 122)
Siç e pamë, diskutimet e delegatëve në Konferencën e Tiranës, janë shumë të hapura, të shprehura plot guxim, sa madje të duken dhe të pabesueshme. Por Vandush Vinçani, me të cilin më 1995 kam pasur rast të bisedoj gjatë rreth ngjarjeve të Konferencës së Tiranës, kur unë i citoja fragmente nga diskutimet që kisha shkëputur nga dosja e kësaj konference gjatë periudhës që studioja në Arkivin e Shtetit, më vinte në dukje se ato diskutime kishin qenë shumë më të ashpra dhe me një ton edhe më të rreptë. Por stenografisti, siç duket, i ka zbutur gjatë zbardhjes, duke parandier rrezikshmërinë e tyre. Megjithatë, edhe ashtu siç i kemi cituar në pjesët e këtij artikulli të gjatë, ato janë shumë tronditëse. Ja sepse ndaj shumicës së diskutuesve në Konferencën e Tiranës, me urdhër të Enver Hoxhës u morën masa të rënda partie e shtetërore. Vehip Demi dhe Nesti Zoto u internuan dhe vdiqën në kushte shumë të rënda. U përjashtua nga partia, u hoq nga Kinostudioja dhe u transferua në Berat, ku dhe më pas u burgos edhe Viktor Stratoberdha, kinesat, i njohur si ndihmësregjisor i filmit të madh sovjeto-shqiptar “Skënderbeu” (1953). Nga Lidhja e Shkrimtareve dhe Artistëve u dënuan gjithashtu kompozitorja e njohur e këngëve partizane, Dhora Leka dhe shkrimtari Gjovalin Luka. Në Ministrinë e Bujqësisë u përjashtua nga partia transferua në Elbasan, pastaj u internua në Belsh zv. ministri i saj, Peco Kagjini, autor i librit që përmenda më lart, i cili u la i lirë vetëm më 1991 dhe tani në moshën 92-vjeçare jeton në SHBA. Diktatori Enver Hoxha vazhdoi dhe me masa të tjera: U largua nga aparati i Komiteti Qendror i Partisë, Vandush Vinçani, nga Komiteti i Partisë së Tiranës, Niazi Jaho, u transferuan nga Radio -Tirana në institucione të tjera Skënder Tupja, Masar Bekteshi, Findia Veizi, Sofokli Afezolli, që kishin aprovuar diskutimin e Vehip Demit në konferencë. Drejtori i Radios, Petro Kito, u kritikua rëndë, ndonëse ai, siç e kemi përmendur, gjatë ditëve të konferencës ndodhej me shërbim jashtë shtetit.
Vazhdojmë më tutje: U larguan nga gazeta “Zëri i Popullit” Adriatik Kanani, që kishte lexuar diskutimin në emër të byrosë së organizatës bazë të partisë të kësaj gazete, Taho Sejko u transferua në Shkodër, ku më pas u arrestua dhe u burgos, Masar Shehu u dërgua të punonte mësues, Alfred Uçi, pedagog. Nga gazeta “Bashkimi” u largua dhe më pas u burgos Ibrahim Zeneli dhe nga gazeta “Luftëtari” u largua dhe u internua Merkur Çelo. Spastrime pati dhe në institucione të tjera. E shoh me këtë rast me vend të përsëris një fragment nga biseda që Mehmet Shehu, pati zhvilluar me Krillovin, ambasadori sovjetik në Tiranë, pas natës së parë të konferencës, që kam nënvizuar në pjesën e parë të këtij dosieri. “Ne u morëm vesh me Mehmet Shehun, – shkruan Krillovi, -që konferenca të mos lihet në mëshirë të rrjedhës…Por kjo duhet të bëhet me kujdes duke mos akuzuar asnjë për punë armiqësore”. (“Mehmet Shehu në panik”, nga raporti i Krillovit, sekret, ekz nr. 1, 8 maj 1956).
Por Enver Hoxha, si tiran gjakësor, bëri të kundërtën e këtyre këshillave. Dhe kishte arsye të forta, sepse komunistët e ndershëm dhe të guximshëm, ndonëse bënë pyetje dhe pastaj diskutuan në konferencë nën frymën e Kongresit të 20, pra shtruan probleme të njohura botërisht dhe të miratuara nxehtësisht nga partitë komuniste të vendeve të tjera në Europën Lindore, nuk bënë thirrje për përmbysjen regjimit komunist. Mirëpo Enver Hoxha e kuptoi fare qartë se nënteksti i kritikave që u ngritën në Konferencën e Tiranës, ishte që të rrëzohej ai vetë si diktator stalinist dhe byroistët që i vinin pas, të përmirësohej gjendja e vështirë ekonomike, si rezultat i politikës së gabuar të këtij regjimi dhe të demokratizohej jeta e partisë dhe e vendit. Mbi të gjitha, ai kuptoi se kur pjesa dërmuese e komunistëve më të zgjedhur në këtë konferencë, punëtorë ose intelektualë, kishin këtë bindje, kuptohet se atë kishin vetë komunistët e thjeshtë, dhe për me tepër vetë populli.
Ja përse diskutuesit dhe ata që i përkrahën në konferencë, siç e pamë, në kundërshtim me këshillat e ambasadorit sovjetik, Enver Hoxha i dënoi pa mëshirë.
Nuk dihet nëse në arkivat ruse do të dalë ndonjë dokument që të vërtetojë se në organizimin e kësaj konference, veç jugosllavëve paskëshin pasur gisht dhe sovjetikët. Por aktet e deritanishme, disa prej të cilave i kam përmendur në këtë dosjer, dëshmojnë se Hrushovi, ndonëse e kuptoi qartë se Enver Hoxha do të vazhdonte t’i qëndronte besnik fanatik i Stalinit dhe madje do të bëhej më mizor se ai, ndonëse kuptoi se ai po dëshmonte se ishte kështu kundër vendimeve të Kongresit të 20, nuk ndërhyri në ngjarjet e konferencës dhe deri më sot nuk është zbuluar ndonjë dokument në të cilin të dëshmohet që ai të jetë përpjekur më pas që të diskutojë rreth tyre ose të përpiqet ta rrëzojë atë, siç e pamë të vepronte me drejtuesit stalinistë të vendeve të tjera komuniste të Europës Lindore.
EPILOG
Konferenca e Tiranës qe shprehja e parë e kundërshtimit të hapur ndaj prirjeve diktatoriale staliniste të Enver Hoxhës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tërë kampin socialist. Disa muaj më pas, urrejtjen ndaj regjimeve të tyre komuniste do ta shprehnin masat popullore në Poloni dhe Hungari. Por, megjithatë, në këto vende vendimet e Kongresit të 20, sidomos lufta e hapur që u bë kundër kultit të Stalinit, siç u përmend më sipër, solli si pasojë që ish-udhëheqësit stalinistë më pas të pësonin fatin e Rakoshit në Hungari, i cili atëherë u zëvendësua nga Kadari dhe të Beirutit, në Poloni, vdekur në Moskë më 1955, që u zëvendësua nga Gomulka e kështu, siç e vumë në dukje me radhë.
Vetëm dy udhëheqës kryesorë partish, mbetën në fuqi deri në vdekje: Titoja në Jugosllavi dhe Enver Hoxha në Shqipëri, por me të vetmin ndryshim se i pari ishte antistalinist i tërbuar dhe i dyti stalinist i flaktë, i cili, ditën e vdekjes së Stalinit më 3 mars 1953, pati detyruar popullin e Tiranës në mitingun e përmortshëm, të mbajtur me ketë rast, të përulej me kokën poshtë deri në tokë. Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e luftoi kultin e Stalinit, ashtu siç kërkuan diskutuesit në Konferencën e Tiranës, bazuar në vendimet e kongresit të 20-të, por e ngriti në piedestal.
Në Konferencën e Tiranës u luajt një nga dramat më të mëdha të Shqipërisë komuniste, ku, siç ka përsëritur disa herë me pendim të thellë në shtyp dhe kanale televizive Liri Belishova, ish-udhëheqëse e vjetër komuniste, atje u varrosën dëshirat e shumë e shumë komunistëve të ndershëm, sepse: “…jo vetëm nuk realizuam premtimet që i dhamë popullit, por edhe ëndrrat tona, për të cilat sakrifikuam rininë, dhe ëndrrat e shokëve që na janë vrarë…”.
Kam cituar disa herë në këtë dosjer fragmente nga libri “Jeta ime” i Ramiz Konferencës së Tiranës, ngjarje duhet të zinin vend shumë më gjerë dhe më thellë. Për fat të keq, siç e kam theksuar më lart, ai i ka përmbledhur shkarazi në dy faqe gjysmë. Dhe në qoftë se kjo ka ndodhur sepse ai “nuk mbante mend ngjarjet tragjike të saj”, mund të kishte lexuar librin e Peço Kagjinit “Konferenca e Tiranës, (1956)”, i cili do ta kishte ndihmuar së tepërmi.
Më kujtohet se kur vite më parë pata shkruar për ngjarjet tragjike të kësaj konference, një pasdite më telefonoi dikush. Ishte pikërisht Peço Kagjini, sot burrë 92-vjeçar, me të cilin nuk kisha pasur rast të njihesha nga afër. Kisha mësuar se si të tjerë pjesëmarrës pas Konferencës së Tiranës ishte dënuar me internim, të cilin në kushte shumë të rënda e kishte kaluar në Zvërnec dhe Belsh të Elbasanit, deri në vitin 1991. Pra për 35 vjet! Dhe më fliste nga Jorku, vetëm katër orë larg me makinë nga Kuinci, (Boston), ku jetoj. Një e papritur e këndshme. Nisi të më tregonte se ndonëse kaq larg Shqipërisë, kishte shkruar librin e mësipërm, kushtuar Konferencës së Tiranës, por, fatkeqësisht, pa të dhëna nga Arkivi i Shtetit, sepse ndodhej prej vitesh larg atdheut.
Ma dërgoi librin me postë. Pavarësisht se atij i mungonin të dhëna arkivore që unë në këtë dosjer e kam cituar, libri i tij është i mahnitshëm, veçanërisht për përshtypjet e tij, të përjetuara në sallën ku ishte zhvilluar kjo konferencë. Dhe m’u kujtua se përshtypje të tilla më pati dhënë edhe Niazi Jaho, ish-sekretari i Partisë së rrethit të Tiranës, kur 21 vjet të shkuara pati lexuar artikullin e parë analitik që pata shkruar rreth Konferencës së Tiranës, në të cilën, siç e pamë, pati mbajtur një diskutim të fortë, dhe pas tij edhe Adriatik Kanani, ish-gazetari “Zërit të Popullit”, që si shumë të tjerë pati ndjekur shembullin e tij.
Pas plot 60 vjet nga zhvillimi i kësaj konference, shumë prej protagonistëve që janë përmendur në faqet e kësaj analize të gjatë historike, nuk janë më midis nesh. Por mbetet vepra e tyre, të cilën u mundova t’ua përcjell lexuesve, si shenjë respekti për këta pararendës të demokracisë, që kurrë nuk u vendos gjatë diktaturës së zymtë komuniste.
North Kuinci, Boston, SHBA, 2004-2016
Shënim: Ky dosjer është shkruar në bazë të fakteve të nxjerra nga materialet e ruajtura në Arkivin e Shtetit, Tiranë: Fondi 2 i Komitetit të Partisë së Tiranës, Dosja, A/1, A/2, faqe 1-530, veprat e Enver Hoxhës, “Ditari”, 1955-‘57, (1973), “Hrushovianët”, (1979), “Titistët”, (1982), Vëllimi i 13-të, (1975), Ramiz Alia “Jeta ime”, Peço Kagjini “Konferenca e Tiranës, (1956), materiale na arkivat ruse, (1956), artikuj të pr.dr. Ana Lalajt rreth Konferencës së Tiranës, si dhe artikuj nga “Zëri i Popullit”, 13 prill, 27maj 1956, “RD”, 21 nëntor 1994 etj.
FUND
Lexoni pjesët e botuara më parë të Dossierit
Kronika tragjike e Konferencës së Tiranës (14-20 prill 1956)
Konferenca e Tiranës/Kur Iljaz Ahmeti i përmendte shpenzimet e byrosë Enver Hoxhës