Fushata elektorale nisi?

 

Nga Sadedin Çeliku

Gjatë prezantimit në Korçë të sloganit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, Kryeministri Edi Rama theksojë se objektivi i qeverisë është pastrimi i Shqipërisë nga të gjitha aspektet, duke filluar nga rendi, ekonomia etj. Nisma e tij ka lidhje me frikën se në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017 Partia Socialiste e maxhoranca aktuale (nuk dihet saktësisht e ardhmja e koalicionit me LSI-në pas debatit lidhur me ndryshimin e kodit elektoral dhe filtrimit e Ramës me Bashën për bashkëpunimin në interesin e të dy palëve me qëllim mënjanimin e partive të tjera përfshi këtu dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim) humbet zgjedhjet. Nisma, krahas të tjerave, ka si pikwsynim kryesor paraqitjen e arritjeve të qeverisë në këto tre vjet. Është krejtësisht e pakuptueshme se për çfarë arritjesh bën fjalë Kryeministri?

Së pari, Kryeministri erdhi në pushtet sepse premtoi të hapte 300 mijw vende pune, punë të cilën njerëzit presin ta prekin realisht dhe nuk e realizoi. Edhe ato vende pune që janë, po i redukton nga konçensionimi i disa sektorëve që po bëjnë kohët e fundit.

Së dyti, premtoi të luftoi trafiqet dhe krimin e organizuar por rezultatet janë të dobëta se njerëzit po shikojnë me sy që droga e mbjellw kudo në vend që të reduktohet është shndërruar në plagë.

Së treti, na premtoi tolerancë zero për korrupsionin, premtoi anulimin e konçensioneve të dhëna nga qeveria e mëparshme, por këta po vërtetojnë se janë qeveria e vazhdimësisë.

Së katërti, premtoi se në parlament do të vijnë njerëzit më të ndershëm, më të përkushtuar, por në fakt parlamenti u mbush me njerëz me të shkuar e me rekorde kriminale e pa shkolla por dhe me përfaqësues firmash ndërtimi me të cilët ai vetë bashkëpunoi.

Së pesti, premtoi reforma në kodin penal, kodin civil, reformën në drejtësi, reformë në administratën publike dhe në arsim. Asnjë prej tyre nuk ka realizuar, përkundrazi ka krijuar një mal me konflikte kudo. Pra shkurt nuk i ka mbajtur premtimet. Kryeministri duhet ti përgjigjet shumë pyetjeve për të cilat kanë mbetur pa përgjigje. Kështu, investimet e kryera deri më sot nuk kanë gjeneruar vende të reja pune dhe papunësia në vend të reduktohet është shtuar më shumë. Të ardhurat nga doganat e tatimet nuk janë realizuar. Lufta ndaj informalitetit nuk çoi në rritjen e të ardhurave përkundrazi në uljen e tyre, çka nënkupton që qeveria nuk drejtohet me aksione dhe politikat fiskale nuk janë në drejtimin e duhur. Borxhi publik nuk është reduktuar por është rritur me 2% sepse qeveria nuk e ka prioritet dhe shpenzimet qeveritare rriten në dinamikë. Borxhet e huaja po rriten me shpejtësi dhe këtë po e vërteton qeveria që merr borxh për të larë borxhet apo vendimi i fundit për eurobondin e dytë. Pra është hapur një gropë e zezë në kurriz të brezave që vijnë. Informaliteti që lidhet me të punësuarit që nuk paguajnë sigurime shoqërore na serviret për punësim, ndërkohë që ky fenomen vjen nga rritje e taksave. Korrupsioni, vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve publike është i shtrirë në të gjitha nivelet ku ai qeveritar paraprin nivelet e tjera. Droga dhe trafikimi i bimëve narkotike kurrë më parë s’ka qenë si sot, trafikimin e qenieve njerëzore është kthyer në plagë dhe këtë e vërtetojnë raportet e ndërkombëtarëve. Konçensionimi i ekonomisë dhe i sektorëve të shërbimeve vijon me ritme të shpejta dhe vërteton vazhdimësinë dhe jo luftën ndaj këtij fenomeni. Kështu ajo po shtrihet dhe ka marrë përmasa të frikshme korruptive në shëndetësi me hemodializën dhe sektorët e tjerë të shëndetit publik, ndërkohë që paralajmërohen sektorë të tjerë të jepen me konçension. Dhënia e segmentit hekurudhor Fier-Ballsh-Vlorë është një aferë e pastër. Ai segment është dhënë vetëm për transportin e naftës. Sa për atë të pasagjerëve shikoni trafikun nga Fieri në Vlorë dhe do bindeni se ky trafik nuk ekziston, rehabilitimi dhe pajisja me mjete komunikimi, sinjalistika, mjete lëvizëse dhe rikonstruksioni i linjës nuk do pësojnë ndryshim dhe nuk do bëhet kurrë.

Nuk jepen shpjegime për ÇEZ, OSSH, KESH dhe nuk bëhet transparencë, nuk flitet asgjë për raportin e auditimit të Kontrollit Lartë të Shtetit me anë të së cilës akuzon qeverinë për shpërdorim të milionave eurove. Ideja për konçensionimin të taksës rrugore në rrugën e kombit, grumbullimin e tatimit të vlerës së shtuar përmes privatit e cila është në kundërshtim me ligjin, për dhënien me konçension të kontrollit fizik të automjeteve, sa e gabuar aq e mamoralshme. Populli është më i varfër se 2013-tën por dhe krahasuar me 2014-tën, këtë e vërtetojnë ulja e konsumit, buxheti familjar më i vogël se më parë dhe familjet shqiptare jetojnë nën minimumin jetik. Emigracioni i qytetarëve shqiptarë klandestin për në Gjermani e gjetkë vërteton këtë. Njerëzit kanë humbur besimin dhe shpresën tek qeveria e sotme. Thirrjet e dëshpëruara të kryeministrit për ti shpërndarë ministrat nëpër rrethe për fushatë dhe për të bindur opinionin publik se gjoja po punojnë për të realizuar objektivat qeverisëse është sa e turpshme aq e pamoralshme. Nuk po bëhen ndryshime të reja në qeveri edhe pse ka një paaftësi dhe korrupsion të madh në tenderë. A e shikoni që po na servirin për investim edhe pse kështu quhen, rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, drejtorive të policisë dhe ato të shëndetit publik, Ministrisë Mbrojtjes, Kulturës sepse zotërinjve ju mbeti hatri nga rikonstruksioni i institucionit të kryeministrisë. Mos ndryshimet në qeveri tregon për përgjegjësinë e vet kryeministrit që ndofta do vihet në dyshim ekzistenca e tij deri në fund të mandatit. Ngjarjet në Rumani, Malin e Zi, Maqedoni duhet ti marrë seriozisht kryeministri e ti vlerësojë maksimalisht ndryshe ato do kapërcejnë pragun dhe do vijnë shumë shpejt në vendin tonë. Fjalimi i Kryeministrit në Korçë, mburrja për premtimet që nuk ka mbajtur dhe kokëfortësia në mbrojtjen e pa drejtë kabinetit qeveritar, nuk do ti japin luksin atij edhe për një mandate tjetër me ata njerëz dhe atë grup parlamentar që po e çojnë Shqipërinë drejt greminës.

SHKARKO APP