Gabon dhe Shteti, kur nxitohet…

Nga Vladimir Lulaj/

Në takimin e zhvilluar me kryediplomatin, sekretarin ‘modest e madhështor’ të SHBA-ve, Xhon Kerry, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, u zotua se ndryshimet kushtetuese do të miratoheshin brenda muajit mars 2016. Për mentalitetin  e politikës shqiptare, duke mbajtur parasysh precedentët e ndryshimit “urgjent” të Kushtetutës, ky angazhim mund të konsiderohet si krejt normal, për shkak se liderët aktualë të klasës politike ekzistuese tjetërsimin e konceptit juridik strategjik e shohin si një akt të menjëhershëm dhe jo si procedurë, që kërkon kohën e vet për t’u maturuar.

Premtimi i ‘nxituar’, për të ‘miratuar ndryshimet  kushtetuese’ brenda ‘pranverës’ së parë, krijon përshtypjen sikur gjoja ‘diplomacia e SHBA-ve’ ka ushtruar ‘presion’ dhe mezi ‘po pret’ ndryshimin ‘urgjent dhe drastik’ të Kushtetutës së Shqipërisë, gjë që nuk është aspak e vërtetë; sepse ‘përçuesi dhe transmetuesi’ i politikave të Presidentit Obama në Tiranë, ambasadori shqipfolës, z. Donald Lu, ka deklaruar se Uashingtoni pret rezultate konkrete lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi brenda pranverës së këtij viti, që nënkupton datën 31 maj 2016. Më tej, për të qenë të saktë, ambasadori, z. Lu, aspak rastësisht, ka deklaruar  se mund t’u ‘prishej’ kënaqësia e pushimeve ‘verore’ gjyqtarëve, që mbanin në dorë ora ‘më të shtrenjta’ se vlera monetare e makinës së Tij. Sipas ‘kodit diplomatik’, duke ditur se gjykatat pushojnë së gjykuari gjatë muajit gusht, nënkuptohet se praktikisht reforma në drejtësi ‘përfundon’ në fund të verës. Muaji Shtator, ose ‘vjeshta e parë’, duhet ta gjejë Shqipërinë me Byro Hetimi të konsoliduar dhe staf  gjykimi të distancuar nga ‘korporata’ e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Pra, rudhtazi, mund të themi se SHBA ka kërkuar miratimin e ligjeve organikë; që kanë lidhje me ‘FBI’-në e Shqipërisë, me ndryshimin e koncepteve organizative, ligjore dhe funksionale të Prokurorisë dhe Gjykatave ekzistuese; të cilat nuk varen nga ‘ndryshimi urgjent’ i Kushtetutës, por lidhen me kërkesën për të shpallur si  absolutisht të pavlefshme tre ndryshimet antikushtetuese, të kryera në vitin 2007, më 21 prill 2008 dhe motin 2012; gjë që nënkupton ‘rikthimin’ te gjendja e mëparshme , ‘restituito integrum – ashtu siç ka qenë’ Kushtetuta, e miratuar me Referendum Popullor më 28 nëntor të vitit 1998.

Dikur, për një dekadë rresht, nga 21 tetori 1998 deri më 20 prill 2008, Kuvendi i Shqipërisë e zgjidhte Presidentin brenda pesë seancave ‘me votim të fshehtë dhe pa debat me një shumicë prej 3/5 të gjithë anëtarëve të tij’; madje, ‘në rast se pas votimit të pestë asnjeri prej kandidatëve nuk merrte shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahej dhe brenda 60 ditëve bëheshin zgjedhjet e reja të përgjithshme’. Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme elektorale, duhej ta zgjidhte presidentin “sipas procedurës së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të nenit 87 të Kushtetutës’; përndryshe edhe ky Kuvend shpërndahej. Vetëm Kuvendi pasardhës kishte të tagër ta zgjidhte Presidentin “me shumicën e të gjithë anëtarëve”.   Por liderët egocentristë të diadës PD- PS, s’mund ta duronin provën kushtetuese për të mbetur 4 muaj pa pushtet politik; ndaj më 21 prill 2008 ndryshuan nenin 87 të Kushtetutës, ku ‘ngulën’ konceptet e tyre destruktive në raport me ndërtimin juridik dhe kushtetues të shtetit. Tashmë, te neni i lartpërmendur, është sanksionuar koncepti i mosshpërndarjes së Kuvendit për shkak të mos zgjedhjes së Presidentit të Republikës “me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve…”. Por edhe koncepti juridikisht paradoksal: “Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat.” … Për të qenë seriozë dhe të ndershëm, deklarojmë se, për të ndryshuar Kushtetutën nuk mjafton puna paraprake e ekspertëve të nivelit të lartë; nuk mjafton ‘pazari’ dhe dakortësia meskine e kryetarëve të ‘kuçedrave politike’; nuk mjafton kartoni i deputetëve kapadainj partiakë të emëruar prej tyre; nuk mjafton retorika ‘boshe’ ose tautologjike e kryetarit aktual të opozitës, që bën thirrje për ‘mosbindje civile’;  sepse, principalisht, pas miratimit të Kushtetutës me Referendum Popullor, ndryshimi qoftë edhe i një ‘presje’ apo dispozite të Kushtetutës, mund dhe duhet të bëhet vetëm nga Sovrani Popull.

Ndaj të gjitha ndryshimet kushtetuese konstatohen absolutisht të pavlefshme dhe  reforma në drejtësi nuk duhet parë e lidhur me ndryshimin e Kushtetutës. Fare mirë Byroja Kombëtare e Hetimit, ristrukturimi i sistemit gjyqësor, decentralizimi i Prokurorisë, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe ndëshkimi i ‘korporatës’ së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, mund të bëhen me ligje organikë, që kërkojnë proceduralisht votimin me 3/5, ose 84 vota të të Kuvendit Popullor.  Diversioni partiak destruktiv, kryer kundra Kushtetutës natën e 21 prillit 2008,  ka përmasa strategjike, që shmangen vetëm duke u rikthyer te Kushtetuta e miratuar më 28 nëntor 1998.

SHKARKO APP