Gara e shtuar për 2 milionë klientë

Tregu i fluturimeve është zgjeruar më tej vitin e kaluar. Gati 2 milionë udhëtarë përdorën aeroportin e vetëm në vend deri më tani. Si u nda torta e kompanive. A do zgjerohet tregu pas heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve, në këmbim të zgjatjes së afatit koncesionar me të paktën dy vjet.

Nga Albana MUÇAJ
Pas një ulje të lehtë një vit më parë, në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, avionët që janë ulur e ngritur në 2015-n janë jo pak, por 16.5% më shumë se në 2014-n.

Fluksi i fluturimeve në një vit ishte gati 20.9 mijë, duke shënuar nivelin më të lartë, përjashtuar vitin 2011. Sipas të dhënave zyrtare të Tirana International Airoport, rekordi më i madh u arrit në numrin e pasagjerëve. Të dhënat e kompanisë tregojnë se vjet fluturuan gati dy milionë persona (saktësisht 1.997.0044). Numri i pasagjerëve u rrit më shumë se 10%. Kjo është një shifër që pritet të rritet më shumë, pasi tregu i fluturimeve në Shqipëri është i pamaturuar.

Rritja e fluturimeve me ritme më të larta se ajo e pasagjerëve tregon se nuk është luftuar shumë për të ulur kostot, ndonëse në çmimin e një bilete ka shumë faktorë që ndikojnë, duke përfshirë edhe politikat e kompanive të fluturimit.

Në nivel menaxhimi, por jo në të ardhurat e administratorit të aeroportit, 2014-a ishte një vit i mirë, kur fluturimet u tkurrën ndërsa u shtua numri i pasagjerëve që udhëtuan. Me gati 2 milionë pasagjerë në 2015-n, bëhen tre vite radhazi, kur fluksi shënon rritje.

ECURIA-NR-FLUTUT-NR-PASAGJECRURIA-FLUTURIMEVE-MIJE

Aktiviteti i fluturimeve duket tërësisht “i shëruar” nga tronditja që la largimi i kompanisë së vetme shqiptare “Belle Air”. Hendeku i tregut u mbush që vitin e kaluar. Deri në fund të 2014-s, sektori i transportit rezultonte me rënie më shumë se 20%.

Ulet qarkullimi i mallrave

Qarkullimi i mallrave shënoi ulje të lehtë vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se në ajër u transportuan 2.23 mijë tonë mallra, ose rreth 4% më pak se një vit më parë. Në 2014-n, mallrat e përpunuara nga aeroporti ishin 2.32 mijë tonë, me rritje vjetore mbi 7%.

Kompania nuk e ka publikuar xhiron vjetore për vitin e kaluar, por, shtimi i fluturimeve (pavarësisht uljes së sasisë së transportit) parashikohet të ketë sjellë më shumë të ardhura për të.

QARKULL-MALLRAVE

Rritja e xhiros së kompanisë u ndal në 2014-n. Sipas të dhënave të raportuara për kompanitë më të mëdha, xhiro vjetore e TIA-s ka rënë 30% në vitin 2014, duke qenë rreth 30 milionë euro. Po për këtë vit, numri i pasagjerëve u rrit me 3%, ndërsa ai i lëvizjeve të avionëve ra me 10%. Kjo vlerësohet të ketë ndikuar në uljen e xhiros së një prej koncesionarëve më të mëdhenj në vend, por kjo nuk do të thotë që kompania nuk arriti të rrisë fitimet. Edhe pse xhiro ra për shkak të boshllëkut të pambushur nga operatori kryesor, Belle Air (që zinte rreth 50% të tregut) Tirana International Airport (TIA) ia doli të rrisë fitimet atա vit me gati 10%. Fitimet e raportuara te tatimet janë 1.2 miliardë lekë, çka tregon se kompania ka mbajtur nën kontroll shpenzimet. Me xhiron e 2014-s, TIA zbriti në nivelin e katër viteve më parë.

ECURIA-XHIRO-VJETR-TIA

 

Italianët kryesojnë tregun
Pas një ndarje të vrullshme të tregut në vitin 2014, mes kompanive ajrore, vitin e kaluar ka pasur pak zhvillime të dukshme në pjesën e tortës që kanë “shijuar” linjat ajrore. Kompanitë italiane vlerësohet të jenë pozicionuar më mirë në pjesën e hapësirës që nxituan të mbushin gjatë 2014-s. Blu Panorama u fut me çmimet më të ulëta, duke arritur të marrë gati 20% të tregut. E ndikuar edhe nga fakti që Belle Air, kishte një grup të madh linjash fluturimi me Italinë, Alitalia rriti pjesën e fluturimeve. Zgjerimi i Alitalia-s erdhi përmes kompanisë së saj partnere low cost (në tregjet e huaja) Air One.

Të tjera linja si Meridiana dhe Fly Albania, përfituan duke u futur në treg, për të marrë hapësirat e fundit të mbetura nga kompania Belle Air.

NDARJA-TREG-FLUTUT

Shqipëria, kryeson për çmimet

Çmimet e larta të fluturimeve u bënë shkak për rishikimin e kontratës koncesionare. Agjencitë e udhëtimit ankohen për tarifat e larta që aeroporti, sipas tyre, aplikon tek operatorët. Deri më tani, çmimi i shtrenjtë i biletave ka vijuar të mbetet shqetësim për ata që udhëtojnë përmes Aeroportit të Tiranës. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria i ka çmimet disa fish më të larta. Disa tur-operatorë tregojnë se, nga Aeroporti i Shkupit mund të udhëtosh në shumë destinacione të Europës dhe vlera e biletës nuk është më shumë se 50 euro, madje ka nga ato vende si Brukseli apo Barcelona, të cilat i gjen me vetëm 36 euro. Çmime, që për ata që fluturojnë nga Tirana, vështirë t’i kenë hasur. Nga aeroporti i vetëm i Shqipërisë, biletat janë më shumë se 130 euro.

Tur-operatorët shqiptarë po përdorin aeroportet e vendeve fqinje për udhëtimet në grup. Ndërkohë, agjencitë thonë se e kanë të vështirë të organizojnë grupet e tyre për të ardhur në Shqipëri pasi oferta që ata nxjerrin është më e lartë se ajo e rajonit. Vendi vijon të mos ketë linjë fluturimesh Low Cost.

Rajoni konkurron vendin tonë edhe me destinacionet direkte. Wizz Air në Maqedoni ka 30 linja direkte, ndërsa të gjitha kompanitë bashkë në Tiranën, ofrojnë rreth 25 destinacione të tilla.

1 prill 2016, hiqet ekskluziviteti

Tratativat që zgjatën rreth dy vjet për heqjen e ekskluzivitetit morën përgjigje përfundimtare javën e kaluar. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, e bëri të ditur lajmin përkrah drejtorit të TIA-s dhe ministres së Ekonomisë. Në sallë nuk mungoi ministri Arben Ahmetaj. “Është ditë e rëndësishme për aviacionin shqiptar, po hapim një faqe të re të zhvillimit të infrastrukturës. Besoj që qytetarët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e re. Do të fillojmë të marrim hapat për Aeroportin e Kukësit, sipas marrëveshjes do të nisë funksionimin shumë shpejt.

Heqja e ekskluzivitetit pritet të krijojë mundësi të menjëhershme edhe për marrëdhënie koncesionare me operatorë të tjerë, me qëllim që Shqipëria të jetë vend me akses të plotë aeroportual. Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se kjo do të ndihmojë zhvillimin e turizmit.

I pyetur për çmimet e reja, ministri u përgjigj se tarifat nuk janë vendosur ende. “Ne do të bëjmë një rivlerësim të tyre, që do të çojë në rritjen e konkurrueshmërisë”,- tha ministri, duke shtuar edhe se kjo marrëveshje e re me koncesionarin e TIA nuk do të ketë kosto shtesë për qeverinë.

Në këmbim të heqjes së ekskluzivitetit dhe konkretisht hapjes së aeroportit të Kukësit, kontrata koncesionare e TIA-s zgjatet dy vite. Kjo parashikon që koncesionari do të zgjasë deri në vitin 2027.

Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, afati i koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncesionit.

Në planet e ardhshme të qeverisë është studimi i fizibilitetit për aeroportin në Jug të vendit. Përfaqësues të qeverisë theksuan se janë të gatshëm dhe të hapur ndaj çdo oferte koncesionare nga investitorë të huaj. “Hapi i ardhshëm është miratimi në qeveri dhe në Parlament i kësaj marrëveshjeje. Pastaj kemi një plan masash për të bërë gati aeroportin e Kukësit që të jetë i disponueshëm, duke nisur nga kolaudimi dhe pastaj stafi. Kemi nisur punën për studimin e fizibilitetit të aeroportit të Jugut. Do të administrojmë të gjithë kërkesat e investitorëve të ndryshëm për koncesion, dhe pse jo edhe investitorët e TIA-s”, tha javës së kaluar ministri Haxhinasto.
Lufthansa nis fluturimet e përditshme drejt Frankfurtit

Në fund të marsit, në Tirana International Airport (TIA) u përurua destinacioni i ri Tiranë-Frankfurt. Linja e përditshme e Lufthansa Airlines me një avion të tipit Embraer E190, mund të transportojë deri në 94 pasagjerë. Fluturimi zgjat 2 orë e 15 minuta. “Kjo verë do të jetë e ngarkuar për Tirana International Airport dhe ky është lajm i mirë. Lufthansa ka 20 vjet që operon në Shqipëri dhe shoqëria ajrore prestigjioze është gjithmonë e mirëpritur për krijimin e destinacioneve të reja ditore, të cilat mund të ngjallin interes për pasagjerët shqiptarë dhe të vendeve të tjera”, u shpreh z. Rolf Castro-Vasquez, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Tirana International Airport.

Aeroporti i Frankfurtit është një nga aeroportet më të rëndësishëm të Europës, i ndodhur në rajonin e dytë më të madh metropolitan të Gjermanisë, si dhe një nga rajonet ekonomike më të mëdhenj dhe më të fuqishëm në Europë.

Përmes British, brenda ditës në Nju Jork

Disa kompani raportojnë shtime të fluturimeve. Kompania britanike e fluturimeve thekson se këtë vetë do të ketë 7 fluturime në javë, ndërsa vjet kishte 5 fluturime.

Disa nga fluturimet e sezonit të verës e kanë nisjen herët në mëngjes (rreth orës 3:00 të mëngjesit) dhe kjo mundëson lidhjen me pothuaj të gjithë rrjetin e fluturimeve/destinacioneve të British Airways. Risi, vëren kompania është shtimi i një fluturimi direkt nga Gatwick në Nju Jork (ndërkohë që fluturimet e tjera janë nga Heathrow). Kjo është me shumë rëndësi për stacionin e Tiranës, vërejnë përfaqësuesit e kompanisë, sepse për pasagjerët që kanë destinacion final Nju Jorkun u mundëson lidhjen brenda ditës dhe lidhjen brenda të njëjtit aeroport. Këtë vit, British Airways përforcon pozitën e stabilizuar në tregun shqiptar dhe mbush 10-vjetorin e veprimtarisë.

/ Monitor

SHKARKO APP