Gara në FrPD, tri shenja të së shkuarës apo së ardhmes?

 

Nga Alfred Lela

Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FrPD) përmbyll nesër me anë të Konventës së Tiranës një tur 20 këmbësh të zgjedhjeve për detyrën e kryetarit. 9 mijë të rinj demokratë janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet në kryeqytet. Gjasat janë që e njëjta plogështi që kaplon zgjedhjet në përgjithësi në Shqipëri (apo dhe botë) në dekadën e fundit mund të ndodhë në PD. Demokracia gjithsesi do të kërkonte pjesëmarrje. Fituesi certifikohet ose jo edhe me anë të pjesëmarrjes së ulët apo të lartë.

Për të ardhur deri te finalja e Tiranës është dashur të rrjedhë shumë ujë poshtë urave politike të Partisë Demokratike dhe satelitëve të saj. Çfarë ka ndodhur, ose më saktë çfarë e ka ngjyrosur veten me ndezulli në përballjet për zgjedhjen e kryetarit të FrPD?

Pikë së pari, parimi i votimit ‘një anëtar një votë’ dhe një garë American style huazuar nga primaret e Republikanëve dhe Demokratëve në ShBA. Ky është një zhvillim pozitiv për Partinë Demokratike dhe, në parim e vështirëson mundësinë e ‘ndërhyrjeve nga lart’ sepse sa më e madhe shumatorja e votuesve, aq më i vështirë bëhet ndikimi dhe bllokimi i demokracisë.

Por, nëse PD diku bën përpara, në të njëjtën kohë nuk harron apo mënon të jetë ajo e vjetra, përsëritëse e vetvetes, skuadrilje e pamposhtur fletërrufesh, proselite e Revolucionit Kulturor, Jance kineze së cilës i kemi kaluar njëherë për breg, por asnjë Heraklit nuk na pengon që ta rrahim sërish anën e asaj rrjedhe. E kam fjalën te shpikja eTjetrit të huaj apo armik, siç shumë herë u provua me një prej kandidatëve në garë, ish-anëtarin e kryesisë së PD-së, Ervin Salianji. Ai etiketohej si i majtë apo socialist dhe për të certifikuar këtë shërbeheshin foto të tij në këmbë në një plazh të Jugut me një deputet të Partisë Socialiste. E njëjta gjë ndodhi edhe me kandidatin tjetër Këlliçi, të cilit i përmendej e dashura, bijë prindërish socialistë. E pahijshme në të dyja rastet.

Kjo teknikë nuk është e re, por është e vjetër në PD: kundërshtarët linçohen më lehtë nëse ata hidhen përtej vijës ‘sonë’, drejt e në anën e kundërshtarit. Në këtë parti që i mbërriti Shqipërisë nën shenjën e lirisë (partia më e bukur e Lindjes, e pat quajtur Kadare te Nga një dhjetor në tjetrin), shpesh arsyes i jepen munxët.

Një gungë e tretë në Notre dame-n e garës në FrPD u ngrit prej një paradoksi që rivalët vetë e prodhuan gjatë një përballjeje te Tonight e Ilva Tares. Ata i mëshonin shumë faktit se FrPD është një organizatë partnere e PD, ndërkohë që mezi prisnin rast për t’u investuar duke përmendur emrin e kryetarit të partisë. Basha këtu e Basha atje, e Basha pafund. Kjo më shumë se partneritet, tradhton varësi.

Kandidati Salianji i shpëtoi me stil kësaj kundërthënieje duke u shprehur se do të dëgjonte zërin e të rinjve.

Përballja në emisionin e koleges Tare ka qenë edhe ndër të paktat që i vinte kandidatët në sytë e një audience më të gjerë se strukturat e partisë apo të rinjtë demokratë. Vihej re te të tre një përpjekje për të dancuar larg temave kundërthënëse dhe njëfarë kompleksimi ndaj faktit se mbështetës të tyre, ata që mund të quhen grupe pune, ishin duke lobuar për ta në Fier, qytet ku do bëheshin votimet të nesërmen e emisionit. Nebijaj dhe Këlliçi ua mohuan ekzistencën, ndërsa Salianji që gjeti rastin edhe për sarkazëm, tha se ‘problem është të kesh njerëz që punojnë për ty dhe të mos e dish, por të kesh një grup pune mbështetës, nuk ka asgjë të keqe’.

Ndër të tre kandidatët ai ishte i vetmi që arriti të shfaqej politik, krahasuar me Nebijajn që, me anë shkëlqimit estetik dhe një lehtësie të të marrit të gjësë, rrezatonte sportivitet apolitik, dhe Këlliçin, i cili dukej se ende nuk kish mbërritur te tezat e veta.

Kjo, sigurisht, mund të jetë një pamje e paplotë, duke qenë se nuk i kam ndjekur përballjet përgjatë konventave, por vetëm debatin te Tonight. E pranoj këtë të metë të vëzhgimit tim. E gjykoj etike të sqaroj edhe një element tjetër: marrëdhëniet shoqërore me një prej kandidatëve, pikërisht me Ervin Salianjin. Fakti se në komentin tim ka një gjykim pozitiv për të, lidhur kjo edhe me njohjen personale, mund të etiketohet si konflikt interesi. Mund të jetë edhe kështu, por unë kam një kategorizim tjetër për të ashtuquajturin konflikt interesi: është i tillë vetëm çka ajo që dikush shkruan apo thotë, konflikton idetë apo besimin e atij që shkruan apo thotë.

MAPO

SHKARKO APP