Gara për kreun e PD, befason Alimehmeti: Nuk ka kandidaturë tjetër deri sot përveç doktor Berishës
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti thotë se deri më tani nuk ka kandidatura të tjera të shpallura për drejtimin e Partisë Demokratike, përveç doktor Sali Berishës. Sipas tij, deri në këtë moment askush tjetër nuk ka prezantuar publikisht ambicie, vizion apo platformë për të marrë drejtimin e partisë.
I ftuar në ”A2cnn”, u shpreh edhe se procesi organizativ i PD-së do të nisë zyrtarisht pas Kuvendit Kombëtar të 6 qershorit. Në këtë mbledhje do të zgjidhet Këshilli Kombëtar, i cili më pas do të ketë në dorë përzgjedhjen e strukturave drejtuese të partisë. “Kuvendi zgjedh Këshillin Kombëtar dhe nga ai moment të gjitha instancat e tjera të kupolës së Partisë Demokratike – Kryesia, nënkryetarët dhe sekretariatet – zgjidhen nga Këshilli Kombëtar”, tha Alimehmeti.
Ai shtoi se pritet gjithashtu të ketë edhe ndryshime në statutin e partisë, për të cilat po punon një grup i posaçëm. Megjithatë, deri tani nuk dihet se cilat do të jenë konkretisht propozimet që do të paraqiten për diskutim në Kuvend. Alimehmeti theksoi se do të kishte preferuar që proceset të zhvilloheshin më herët, pasi sipas tij periudha e verës e vështirëson aktivitetin politik. Megjithatë, datat tashmë janë caktuar dhe pritet që vendimet të bëhen të qarta vetëm pasi grupi i punës të paraqesë propozimet e tij.
KOHA JONË SONDAZH

