Gardiani që vrau dy persona në poliklinikën e Patosit del para gjykatës
Martin Skëndaj, gardiani 22 vjeçar, i arrestuar si autor i masakrës me dy të vdekur brenda poliklinikës së Patosit doli sot para Gjykatës së Fierit për vlerësimin e masës së sigurisë.
Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për vrasjen e Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, përkatësisht 22 dhe 26 vjeç, me lidhje gjaku me njëri tjetrin.
Në seancën me dyer të mbyllura, gjyqtarja Adelina Zarka, pranoi kërkesën e prokurorit Çlirim Sina që e akuzon 22 vjecarin për vrasje.
Siç pranoi edhe vetë në dëshminë e parë në polici, shkak për masakrën u bë refuzimi që 22 vjeçari kishte për një lidhje intime mes fqinjit Manol Rrapajt dhe motrës së tij.
Tensionet mes dy familjeve kishin nisur në fshatin Kuqar ku jetonin ballë për ballë.
Të enjten, 19 dhjetor, dy të rinjtë fqinjë u përballën në Poliklinikën e Patosit dhe i janë rikthyer debatit për lidhjen intime
Sherri nisi brenda ambienteve me fjalë dhe përshkallëzoi në derë të poliklinikës me goditje pistolete.
22 vjeçari Kapaj ndërroi jetë në vend, ndërsa 26 vjeçari Rrapaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital.
Martin Skëndaj, sipas policisë tentoi të largohet nga vendngjarja, por u kap në rrugë bashkë me armën e më të cilën vrau dy të rinjtë.
Disa ditë më parë Manol Rrapaj, kishte bërë një kallëzim në Policinë e Fierit ku akuzonte 22 vjeçarin që i mori jetën dhe të atin e tij për kanosje, por gardiani veproi në mëyrën më ekstreme ndaj fqinjit para se institucionet e shtetit të vepronin ndaj tij.