Genc Tukiçi: Këshilla ime për muzikantët shqiptarë
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Tukiçi shprehet se edhe kur duhet të zgjedhë mes bashkëpunimeve, në vend të parë vë ato me artistët shqiptarë. Diçka të tillë e quan të natyrshme, pasi siç shprehet ai, “është njëlloj sikur të më thërrasë dikush nga familja”. Teksa e pyesim për artin në Shqipëri, jo vetëm atë klasik, Tukiçi nuk preferon të bëjë rolin e moralistit estetik. Megjithatë, pakënaqësinë apo dhe vërejtjet i shpreh qoftë edhe me një këshillë, që duket se i ka brenda saj të gjitha ato çka mendon ai për muzikën që bëhet sot në Shqipëri. “Muzika është një sakrificë e bukur, që kërkon përkushtim dhe përpara se të kërkohen të drejtat, duhen bërë detyrat”, – shprehet Tukiçi. Pianisi i njohur flet dhe për projektet fundit artistike. I pari në listë është një koncert me sopranon Inva Mula në Londër, gjatë fundit të muajit nëntor. Ku nuk do të mungojnë dhe elementët e tjerë shqiptarë, siç është himni. Jo pa humor për këtë gjë, Tukiçi shprehet se “në vazhdim të dronit, do jetë himni shqiptar ai që do të ngrihet në mes të Londrës”….
SOMARIO
“Një këshillë për muzikantët shqiptarë: Muzika është një sakrificë e bukur, që kërkon përkushtim dhe përpara se të kërkohen të drejtat, duhen bërë detyrat”
Keni qenë i angazhuar në një sërë aktivitetesh dhe koncertesh gjatë këtij viti, kë prej tyre do të veçonit, ose cili ju ka lënë mbresa më shumë?
Është një pyetje e vështirë paraprakisht, është gati njësoj si t’i thuash një prindi cilin prej fëmijëve preferon më shumë dhe padiskutim, që një prind i do të gjithë fëmijët njësoj. Predispozita ime është të jap maksimumin kudo ku jam dhe është mjaft e vështirë të ndaj se cili prej këtyre vendeve bën një dallim të madh për mua. Gjithsesi, mund të bëj një përjashtim të vogël, pikërisht vitin e kaluar fati desh që të bëja një koncert me sopranon Ermonela Jaho, edhe pse duhet theksuar se nuk ishte e planifikuar nga unë, pasi janë njerëz të tjerë që e planifikojnë. Gjithsesi, të jesh me një artiste kaq të madhe në skenë, aq më tepër kur bëhet fjalë për dy shqiptarë në një skenë, pikërisht në një shtet ku është epiqendra e kulturës botërore, është një privilegj dhe ndjehesh vërtet mirë. Kur bëhet fjalë për muzikë, unë së bashku me të gjithë kolegët e mi anëembanë botës, flasim një gjuhë. Pra, kjo është ajo që doja të veçoja.
Para pak kohësh keni dhënë një koncert dhe ka qenë një mbrëmje gala në Les Chorégies d’Orange, një festival i artit lirik ku ju është dashur të luani i vetëm përballë një orkestre gjigante. Sa sfidues ka qenë për ju ai moment?
Ah ajo sallë, është pa diskutim një moment i jashtëzakonshëm, sepse Les Chorégies d’Orange është një nga skenat më të njohura në Europë, është një teatër antik romak, në mos gaboj i shekullit II p.e.s dhe është një sensacion i jashtëzakonshëm, pasi detyra kryesore e një pianisti është të ndajë me sallën interpretimin e tij me një numër të konsiderueshëm njerëzish, rreth 8000 mijë apo 9000 mijë vetë, pra ndjesia është padiskutim e jashtëzakonshme dhe nuk ka të krahasuar me skena të tjera. E imagjinoj tani, unë me pianon në një skenë aq madhështore dhe për më tepër, pianoja një instrument aq i vogël, përballë asaj salle gjigande dhe të ndash emocion me një numër aq të madh njerëzish, është e vështirë të përshkruhet. Është një kënaqësi e veçantë dhe një impenjim i jashtëzakonshëm nga ana ime.
A kishte shqiptarë në atë skenë atë ditë?
Sipas informacioneve të mia jo, sepse aktiviteti ishte organizuar nga një tjetër kompozitor dhe unë isha aty si një pianist franko-shqiptar dhe kjo për shkak të pasaportizimit tim francez. Fakti që luhet në atë skenë është edhe përgjegjësi e madhe, pra është “puna ime” fakti që njerëzit të kënaqen vetëm me pjesën e muzikës, pa pasur në konsideratë punën time të vështirë dhe përgatitjet për atë skenë!
Konsiderohet tepër e rëndësishme pjesa e bashkëpunimeve në botën e muzikës. Cilat janë preferencat tuaja dhe sa e vështirë është në këtë rast të zgjedhësh?
Për fat të mirë, bashkëpunoj me muzikantë shumë të mirë, me të cilët të gjithë flasim vetëm një gjuhë, atë të muzikës dhe sensacionet në këtë rast janë shumë të mira. Ka dhe raste kur ka muzikantë, të cilët nuk janë të mirë, por është detyra ime që të nxjerr maksimumin në këtë bashkëpunim, edhe pse më duhet ta them që jo çdo herë duhet të zgjedh. Ajo që unë sigurohem është që muzika jonë të jetë e bukur, pra ajo që ne do të sjellim, të jetë një muzikë cilësore. Mund të them se këtë ia “imponoj” çdo partneri, me të vetmen arsye: për të nxjerrë një muzikë cilësore. Dua të përmend faktin që kur më thonë “Je një pianist shumë i mirë” nuk është në kualitetin e duhur, pasi vetë pianoja është një instrument, ndërsa nëse dikush më thotë që me muzikën tënde je duke bërë diçka ndryshe, ah, kjo është ndryshe!
A ka pasur raste kur u është dashur të refuzoni ftesën e ndonjë muzikanti shqiptar?!
Përkundrazi, muzikantët shqiptarë janë të parët, sepse është njëlloj sikur të të thërrasë dikush nga familja, pra do e anuloja diçka tjetër për të bashkëpunuar me shqiptarët, sepse unë këtu kam lindur dhe jam rritur dhe është si një borxh që i kam atdheut tim. Në Francë unë kam marrë diplomat më të mëdha dhe nëse bëhet fjalë për të zgjedhur, normalisht që është preference nacionaliste, në kuptimin pozitiv të fjalës.
Jemi kuriozë të dimë se sa orë në ditë maksimalisht ushtroheni në shtëpinë tuaj dhe njëkohësisht, sa të hapur jeni ndaj “eksperimenteve” në muzikën tuaj?!
Pyetje me vend. Nuk mjafton vetëm predispozita ime, por duhet të jetë dhe publiku me një dispozitë, pra dhe publiku duhet të ketë darkuar dhe të ndihet gati e rehat për të shijuar muzikën, duke marrë emocion dhe jo të qëndrojë i ftohtë. Nganjëherë duhet që unë të ndahem në katër pjesë, të tërheq publikun. Pra, nëse ka ftohtësi, duhet që ta tërheqësh publikun. Pra, është një frekuencë që unë duhet ta ndjek, pra është një komunitet i madh dhe një sensacion i jashtëzakonshëm. Aq më pak, kur bëhet fjalë për muzikën. Dhe kur më pyesin cili është nacionaliteti i parë, u përgjigjem: “Jam muzikant!”. E para që dua të ndaj me publikun, e çdo skene, nuk është fakti se jam shqiptar, por muzika që unë përcjell dhe më pas nacionaliteti im. Për ne muzikantët ekziston një gjuhë që quhet: Muzikë.
Është e kuptueshme që për talentet shqiptare vendi i tyre qëndron veçmas çdo zgjidhjeje tjetër, por guxoj t’ju pyes: midis Parisit dhe Tiranës kë do të zgjidhnit?
Është shumë e vështirë, por do të zgjidhja projektin më të bukur muzikor, pra nuk do të vendosja sipas qytetit, por sipas vendit ku bëhet muzika më e mirë. Nëse bëhet më mirë në Tiranë, patjetër aty, nëse bëhet më mirë diku tjetër, pa diskutim që nuk do hezitoja.
Po nëse në Tiranë nuk bëhet muzikë e mirë?!
Atëherë do zgjidhja Parisin! Do shkoja pa diskutim atje ku është cilësia, sepse kur bëhet fjalë për muzikë, atëherë nuk ka justifikime.
Çfarë po bën Genci për muzikën shqiptare, nëse e konsideron atë disi të deformuar?
Nuk mund ta konsideroj veten një hero në shpëtim të muzikës shqiptare, por mund të jap një këshillë: Të qenit muzikant është një profesion ose zanat që i duhet përkushtim, nëse merret me sportivitet për të bërë muzikë se duhet bërë muzikë atëherë nuk ia vlen, pasi një muzikant i vërtet i përkushton shpirtin muzikës së tij. Nuk ka fundjavë, nuk ka ditë dhe natë, pra jo në sensin e të punuarit ditë e natë. Muzika është bërë si një shkencë ekzakte, unë vërtet mund të ndaj emocione në skenë, por në punën në studio, më duhet të punoj ditë e natë për të kënaqur publikun. Një këshillë për muzikantët shqiptarë: “Muzika është një sakrificë e bukur, që kërkon përkushtim dhe përpara se të kërkohen të drejtat, duhen bërë detyrat”.
Cilat janë projektet për të ardhmen dhe a është e përfshirë Shqipëria në to?
Projekti më i afërt që lidhet indirekt me Shqipërinë është një koncert javën që vjen, në datën 26 në Londër. Do të jemi së bashku më Inva Mulën, me rastin e Festave të Nëntorit. Në fillim do të luaj muzikë botërore dhe pjesa e dytë do të jetë muzikë shqiptare dhe është tamam përfaqësim i Shqipërisë në qendër të Europës. Do të luaj gjithashtu himnin anglez dhe atë shqiptar. Në vazhdim të dronit, do jetë himni shqiptar ai që do të ngrihet në mes të Londrës. (qesh)
Si ndjehet një artist i muzikës klasike, në një vend ku shumicën e kohës të rinjtë dhe artistë të tjerë, janë të pritur drejt rrymave komerciale, apo dhe turbo-folk e tallava?
I vlerësoj të gjitha rrymat, aq më pak kur bëhet një tallava e mirë, vetëm në rastet kur luhet me cilësi, sepse nuk është gjithçka matematike dhe histori. Muzika është kulturë dhe një sirtar shtesë në shpirt.