Genti Sejko: Mungesa e menaxhimit solli vjedhjen në Thesarin e BSH-së
Genti Sejko, i dekretuari i Presidentit të Republikës për Guvernator të Bankës së Shqipërisë ka prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë vizionin e tij për drejtimin e këtij institucioni. Sejko i ka mëshuar fort çështjes së menaxhimit si një nga më të rëndësishmet, mungesa e të cilit, sipas tij solli ngjarjen në Thesar.
“Vizioni im bazohet në katër çështje: Së pari Menaxhim-Administrim. Do theksoja së nuk ka çështje të vogla. Vëmendja më e madhe vërtetë është fokusuar tek politika monetare dhe mbikëqyrja, por menaxhimi është i rëndësishëm, pasi mungesa e tij solli ngjarjen në Thesar”, ka thënë Sejko.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të funksionojnë gjithë hallkat e sistemit, sidomos kontrolli i brendshëm. Ai ka theksuar se ngjarja e ndodhur ka nevojë për një plan për të përmirësuar imazhin e BSHsë, i cili u cenua rëndë nga ngjarja.
“Kjo është e lidhur edhe me Inspektorin e Përgjithshëm. Burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme. Janë një vlerë për BSH-në, por duhen parë politikat e rekrutimit, duhen parë rregullat e promovimit që nga fillimi e deri tek rritja në karrierë”, ka thënë gjithashtu Sejko.
Më 19 dhjetor Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i propozoi zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Gent Sejkos, për anëtar të këtij Këshilli, çka i hap rrugën zgjedhjes së tij në krye të BSH-së.
Gent Sejko u dekretua nga Presidenti Nishani si kandidat për Guvernator i BSH-së, ndërkohë që kandidatura e tij për Këshillin Mbikëqyrës u mbështet edhe nga Partia Socialiste.