Gërdeci” që vazhdon të na vrasë!

 

Nga Andrea Stefani

“Katastrofa e Gërdecit shkaktoi zemërim në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u detyrua të japë dorëheqjen. Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji të Alb-Demilit u prangosën si shkaktarë. Një prokuror i pavarur hartoi padinë prej pesëqind faqesh. Dukej sikur do dilte e vërteta. Por hetimi u tulat shpejt”. Kështu shkruan amerikan Gai Lajson në librin “Çunat dhe armët”. Dhe e vërteta nuk ka dalë akoma. E aq më pak janë ndëshkuar të gjithë ata qeveritarë që shkaktuan të gjithë atë tragjedi me 26 të vrarë dhe qindra jetë të rrënuara. Por që nuk janë ndëshkuar, do të qe e keqja më e vogël. Sepse vazhdojnë të jenë në krye të politikës, t’u shesin moral shqiptarëve nga tribunat e mitingjeve dhe salla e parlamentit. Ndoshta të vetmit vuajtën një dënim për ato afera municionesh janë “çunat”, Diveroli dhe ndonjë bashkëpunëtor i tij në trafik. Por ata janë shumë larg, përtej oqeanit, në një botë ku drejtësia ndëshkon. Ndërsa Shqipëria refuzon prej vitesh të ketë punë me drejtësinë. Në Shqipëri nuk është drejtësia që ndëshkon krimin por krimi që ndëshkon drejtësinë. E bën të tulatet, të heshtë. E kthen në skllave duke e detyruar të shndërrohet në të kundërtën e vet, në padrejtësi. Dhe duke bërë të gjitha këto, e vret drejtësinë. Çdo krim i pandëshkuar është një thikë në zemër të saj. Prandaj edhe “Gërdeci” vazhdon ta godasë çdo ditë për vdekje drejtësinë.

***

Vdekja e drejtësisë është katastrofa më tragjike që mund t’i ndodhë një shteti, shoqërie apo kombi. Edhe një diktaturë nuk mbahet dot pa një minimum demagogjik drejtësie e jo më një demokraci që duhet ta ketë në gen drejtësinë. Se pa drejtësi nuk ka barazi qytetare dhe pa barazi nuk mund të ketë liri për askënd. Dhe le të bërtasin e pretendojnë sa të duan sharlatanët e politikës për liri e demokraci. Madje një pjesë, dhe kjo është pjesa tallëse, janë po ata të krimit të Gërdecit. Por e vërteta e hidhur është se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Në Shqipëri sundon padrejtësia. Dhe farsa e hidhur e “shtetit ligjor”, sa thumbuese aq edhe poshtëruese, për çdo shqiptar që ajgëton sado pak shpresën për drejtësi.

***

Por ç’duhet të na bëjë që të na dhembë mungesa e drejtësisë? Asgjë më shumë se të qenurit njerëz. Nuk është e thënë të vuajmë personalisht padrejtësinë në gjykatë. Por duhet të kemi dhimbje kur shohim kriminelë dhe shkaktarë krimesh të mbeten të pandëshkuar. Si në rastin e Gërdecit. Sepse pas gjithë kësaj farse pandëshkueshmërie dergjet një pellg i madh dhimbjeje. Dhimbja e atyre që kanë humbur të afërmit, familjen. Një dhimbje si ajo e Zamira Durdës që shpërthimi i vrau djalin e saj. Duhet ta vëmë veten në pozitën e asaj nëne që një lakmi e pangishme zyrtarësh të lartë të shtetit, që u ngjitën në poste ndoshta edhe me votën e saj por që sigurisht paguhen me taksat e saj, i ktheu në gërmadhë jetën, ja mori gazin dhe diellin, gjithçka që i jep kuptim ekzistencës. Dhe e kuptoj se shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit e ka lidhur ekzistencialisht këtë nënë me drejtësinë në një përpjekje që ne e kemi ndjekur ftohtë nga ekranet. Sepse ajo dhe vetëm ajo, e vuan në tërë qenien e saj prej nëne kur sheh medijtë dhe salijtë, pikërisht ata që gatuan në zyrat luksoze “Gërdecin”, t’u predikojnë shqiptarëve, pra edhe asaj vetë, “reformën në drejtësi”! Ata që po mbijetojnë në sajë të padrejtësisë do ngjallin drejtësinë? Aha, po kjo është pak ta quash tallje! Kjo është një orgji e pandëshkueshmërisë! Dhe vetëm ajo (dhe jo ne të paaftësuar nga fakti që në Gërdec nuk u vra dikush nga familja jonë) më shumë se e kupton, e ndjen thellë, deri në palcë të zemrës përdhunimin e skajshëm që po i bëhet njeriut, shqiptarit. Dhe njeriu për të është loçka që humbi në Gërdec. Fakti që përgjegjësit politikë dhe jo politikë të “Gërdecit” nuk janë ndëshkuar janë për të një dhunë mbi dhunë, një krim mbi krim, një kob. Ta pushonte luftën për drejtësi është për atë nënë, një tradhti ndaj kujtimit të të birit. Përpjekja për drejtësi është tashmë për të fatale, e pa transhendueshme si vetë dashuria e nënës për fëmijën.

***

Por ne, shoqëria, gjykatësit, prokurorët, politikanët, e kemi lënë vetëm këtë nënë në luftën e saj për drejtësinë. Lufta e saj ka kohë që nuk është lufta jonë. Se jemi të gjymtë për një përpjekje të tillë sa maratonomake aq edhe sublime. Se nuk kemi eupati, që do të thotë, dhimbje për dhimbjen e tjetrit. Aq më pak ca nga ata politikanë të “Gërdecit” që tashmë po përveshin mëngët për “reformën në drejtësi” tamam si ata kirurgët që përgatiten ta çojnë pacientin në botën tjetër. Por si fuqizohet, si të “përmbyt” dhimbja për dhimbjen e tjetrit? Mos vallë duhet që gjithkujt t’i trokasë një arkivol “Gërdeci” në derë që të mund ta rrokë dhe ta përqafojë atë?! Pa dyshim që jo. Ndoshta duhet patur ca frikë. Frikë se zinxhiri i krimeve të pandëshkuara do të ta sjellë pashmangshëm një ditë të keqen në derë. Dhe nuk është e thënë vetëm në formën e një shpërthimi vrastar. Krimi dhe e keqja kriminale kanë shumë fytyra. Kjo frikë, e ka emrin arsye. Një arsye që të detyron të ngrihesh dhe të kërkosh drejtësi për “Gërdecin”. Edhe pse të duket se pak lidhje ke me të ngaqë ke harruar se në këtë botë, gjithçka është e lidhur. Një arsye qytetare që të bën të kuptosh me alarm rrezikun e madh që të vjen nga një situatë e krimit pa ndëshkim nga e cila Shqipëria po lëngon këtu e 25 vjet!

DITA

SHKARKO APP