Gjakmarrja luftohet në familje dhe shkolla

Nga Fran Gjoka/Gjakmarrja është një nga fenomenet sociale që jo vetëm është shumë shqetësuese nga pikëpamja politike dhe qytetare, por dhe nga pikëpamja ekonomike dhe sociale. Dukuria e hakmarrjes dhe gjakmarrjes ka marrë përmasa serioze është detyrë e rëndësishme e politikës, shoqërisë civile,  organeve të drejtësisë, medias, familjes dhe shkollës për të zgjeruar konturet e aksionit kombëtar kundër kësaj plage të madhe. Një plagë që cenon rëndë rendin kushtetues dhe që merr padrejtësisht jetë në vazhdimësi.

Psikologjikisht dhe kulturalisht është e domosdoshme që sytë të kthehen jo vetëm në aspektin juridik të vlerësimit dhe ndëshkimit të krimit të gjakmarrjes, por sidomos të luftës për të krijuar kulturën e duhur të respektimit të së drejtës së jetës së gjithkujt, i cili për çdo gjë që bën ka përgjegjësi personale dhe po në mënyrë personale duhet të përballet dhe të vuajë pasojat e ligjit. Ka ardhur koha që në shoqërinë tonë të krijohet kulturë tjetër për vlerën e madhe dhe të pacenueshme të jetës së njeriut.

Një shoqëri që nuk ka sigurinë e jetës dhe që ka sindromën e vetëgjyqësisë, të hakmarrjes dhe gjakmarrjes tregon se akoma nuk është në kuotat e kërkuara të qytetërimit europian. Fronti i luftës kundër fenomenit të hakmarrjes dhe gjakmarrjes është i gjerë dhe kompleks. Ai duhet parë si detyrë obligative e shoqërisë civile dhe shtetit ligjor, e medias dhe shoqërisë. Unë besoj se në kompleksitetin e faktorëve që kanë ndikim në zbutjen e fenomenit të gjakmarrjes dy janë aktorët më të rëndësishëm dhe me peshë të zgjeruar fondamentale: familja dhe shkolla.

Në familjen shqiptare nuk mund të ecet duke ushqyer në çdo kohë dhe rast pas rasti shpirtin e deformuar të hakmarrjes dhe gjakmarrjes tek njerëzit tanë. Përkundrazi është koha që familja shqiptare të besojë tek drejtësia dhe shteti ligjor dhe jo tek veprimet arriviste antiligjore individuale që i shërbejnë ndërtimit të kalvarit tragjik të hakmarrjeve dhe gjakmarrjeve pa fund.

Familja ka nevojë për tjetër kulturë qytetare dhe frymë besimi dhe tolerance, të cilat duhet të bëhen “limfa” që duhet të rrjedhë në gjakun e të rinjve tanë. Nuk është normale që të fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë të rriten me kulturën e deformuar e kriminale të hakmarrjes apo që ata të lindin dhe të jetojnë me hijen dhe frikën e vdekjes mbi kurrizin e tyre të pafajshëm. Në këtë kontekst kjo mund të ndodhë vetëm në se gradualisht do fillojmë të mendojmë ndryshe duke e konceptuar hakmarrjen dhe gjakmarrjen si një dukuri që nuk e nderon qytetërimin tonë. Madje atë duhet ta konsiderojmë një turp për qytetërimin tonë të sotëm.

Situata e zhvillimeve të fundit, ngjarjet e rënda dhe krimet e ndodhura me motive të hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë krijuar situate humane, ekonomike dhe sociale që janë paradoksale për shekullin që jetojmë dhe qytetërimin që duam të ndërtojmë. Pasoja akoma më e rëndë është zgjerimi i njerëzve që përjetojnë nga frika e gjakmarrjes dukurinë e ngujimit, e cila është një problem social që është zgjeruar në mënyrë të frikshme. Nuk është në nderin tonë që të pranojmë se në disa zona kjo kategori e njerëzve që jetojnë në ngurrim dhe përjetojnë pasojat e saj është bërë shtresa më e margjinalizuar, më pak e integruar në jetën ekonomike dhe shoqërore.

Në këto rrethana duket se pasojat rëndojnë mbi të gjithë pjesëtarët e familjes së ngujuar nga frika e krimit të gjakmarrjes. Por brenda shtresës së njerëzve të ngujuar ka një kategori sociale të veçantë që përjeton pasoja të thella deformuese dhe katastrofike për zhvillimin e tyre intelektual, social dhe qytetar siç janë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë.

Barra sociale e gjakmarrjes rëndon më shumë mbi këtë grup social, të cilët mbeten jashtë obligimeve dhe detyrimeve të zhvillimit moshor, mbeten pa shkollë dhe zhvillim kulturor, mbyllen në “biologjinë e tyre të ekzistencës dhe mbeten jashtë rrjedhave normale të kulturimit dhe zhvillimeve të natyrshme qytetare. Fëmijët dhe të rinjtë e izoluar bëhen qenie të deformuara që rriten me ndjenjën e frikës dhe frymën e dyshimit, që nuk besojnë në ekzistencën e mundur të lirisë individuale nga që ngujimi tejet i gjatë nuk i lejon që ta përjetojnë dhe kuptojnë të mirat e lirisë qytetare.

Në përgjithësi ata të rinj që rriten në kushtet e izolimit dhe ngujimit të plotë nuk mund të pritet që të kenë aftësi për socialitete, për të jetuar në bashkësi dhe për të ndërtuar marrëdhëniet e duhura shoqërore. Mënyra e të jetuarit në vetmi për ta bëhet në mënyrë të detyrueshme një patologji sociale me pasoja të rënda individuale.

Këto janë ca arsye vërtetë madhore që na detyrojnë të ngremë zërin më fort për këto të këqija madhore që po përjetojnë fëmijët adoleshentët dhe të rinjtë nga pasojat e fenomenit të gjakmarrjes.

Për të cilat është e patolerueshme për të gjithë ne shtetin, shkollën, familjen, shoqërinë dhe drejtësinë që të jemi indiferentë apo të bazohemi në ca deklarata të sipërfaqshme që nuk kanë efektin e vërtetë dhe të duhur të ndryshimit të situatës sociale për fëmijët dhe të rinjtë tanë që vuajnë nga kjo plagë që nuk është për faj të tyre dhe nuk është e lidhur me mungesën e zhvillimit të jetës individuale dhe të personalitetit të tyre.

Padyshim në se ka një të keqe të madhe që vjen nga kjo plagë sociale siç është gjakmarrja është lidhja e saj me situatën e varfërisë ekstreme që përjeton familja që për shkak të hakmarrjes dhe gjakmarrjes është e detyruar të jetojë në ngujim të plotë. Ngujimi është ndarje e sforcuar e pjesëtarëve të familjes nga “bota e punës” dhe mirëqenies sociale. Varfëria, mungesa e angazhimit në punë dhe e të ardhurave që vijnë prej saj e kanë bërë gjakmarrjen një plagë të vërtetë sociale me efekte polivalente dhe ndikime polidimensionale ekonomike.

Të rinjtë e ngujuar, të mbetur pa shkollë, pa njohuri, shprehi dhe shkathtësitë e duhura jo vetëm që vuajnë plagën e varfërisë për shkak të situatës së gjakmarrjes, por dhe janë kontingjenti që ka më pak shanse që të mund më vonë kur situate e gjakëmarrjes të zgjidhet që të intervenojë në tregun e punës. Përgjithësisht ata janë të destinuar ose të mbeten të papunë ose të jenë të lidhur vetëm me punët e thjeshta të ekonomisë së mbyllur private e cila nuk mund të japë të ardhura aq të mjaftueshme sat ë mund të rregullojë në parametrat e duhur mirëqenien e familjes së tyre.

Varfëria që vjen nga statusi i familjes në situatë gjakmarrjeje është një lloj i ri i varfërisë që vjen në mënyrë artificiale në një grup jo të vogël familjesh. Kjo varfëri është  forma më e rëndë e padrejtësisë sociale sepse varfëria që vjen nga gjakmarrja është një “shtesë artificial” që i bëhet numrit jo të vogël të familjeve që përjetojnë situatë varfërie dhe që trajtohen me ndihmë ekonomike nga skemat e mbështetjes sociale të shtetit. Kjo ka bërë që shpesh familjet dhe të rinjtë e tyre të përfshihen në çdo lloje veprimtarie për të siguruar ekzistencën e familjes në kushtet e jetës minimale.

Padyshim ekzistenca e gjakmarrjes është një plagë e rëndë sociale që ka peshë dhe pasoja mbi të gjithë pjesëtarët e familjeve të ngujuar. Por barra më e rënë peshon mbi fëmijët dhe të rinjtë. Qëndrimi i gjatë i tyre në këtë situatë sociale dhe bombardimi i përditshëm nga psikologjia e ankthit, frikës nga gjakmarrja kanë lënë pasoja tmerrësisht të rënda dhe shumë të vështira për t’u riparuar. Situata psiko- sociale e familjes së ngujuar është një ambient totalisht i rëndë dhe antiedukativ për fëmijët.

Në vend që tek ata të kultivohet ndjenja e qytetarit, e solidaritetit social dhe e mundësisë së lidhjeve shoqërore krijohen fobi të llahtarshme për “ambientin social” i cili në përfytyrimin e tyre për shkak të statusit që përjetojnë duket tejet armiqësor dhe i papranuar. Në vend që të mësohen me frymën e tolerancës dhe shpirtin e humanizmit qytetar tek ata kultivohen ndjenjat e deformuara të urrejtjes dhe vdekjes, të marrjes hak dhe të mos faljes së gjakut Të gjitha këto situate jo vetëm që nuk janë adekuate dhe edukative për fëmijët, por janë në kundërsens me nevojat e zhvillimit të tyre psiko-fizik dhe kulturoro- qytetar.

Doemos që do të ishte e udhës që për fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja duhet vendosur një kod tjetër ligjor, moral, kulturor dhe pedagogjik për të shmangur ekzistencën e tyre të gjatë në gjirin e familjes së ngujuar e cila është “pasdarmë deformuese” e zhvillimit të personalitetit të fëmijës. Në këtë kontekst ka qenë ide e mirë e një shoqate të Lezhës, e cila ka menduar të krijojë një qendër sociale multidisiplinare me funksione sociale, kulturore dhe pedagogjike për të trajtuar në mënyrë të veçantë fëmijët e familjeve që janë në gjak apo që nuk kanë zgjidhur akoma problematikat e ndërlikuara të gjakmarrjes.

Ndoshta është koha që të mendojmë më thellë dhe të bëjmë çdo gjë të mirë që mundemi për të shpëtuar fëmijët dhe të rinjtë nga prangat e ndryshkura të gjakmarrjes dhe për të siguruar zhvillimin e tyre kulturor, social dhe qytetar.

SHKARKO APP