Gjashtë pasojat e zgjedhjeve turke

 

Nga Aykan Erdemir, Ankara

Pas humbjes së shumicës njëpartiake për herë të parë në 12 vitet e fundit, partia me rrënjë islamike për Drejtësi e Zhvillim (AKP) u rikthye në pushtet, pas një ndërprerje 5-mujore. Presidenti gjoja jopartiak i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dëshmoi mjeshtërinë e tij politike, duke fituar bastin e zgjedhjeve, për të udhëhequr rikthimin e partisë së tij në qeveri. Edhe pse AKP-ja ka dështuar të fitojë super-shumicën e nevojshmem për të imponuar në mënyrë të njëanshme një sistem presidencial në vend sipas dëshirës së Erdoganit, ajo fitoi në zgjedhjet e djeshme një mandat të qartë për të qeverisur Turqinë për 4 vitet e ardhshme.

1. Fitoi dhuna

Që nga zgjedhjet e qershorit, politika turke është dëmtuar nga frikësimi dhe dhuna, nga shteti, Partia e Punëtorëve Kurdë dhe Shteti Islamik, duke shkaktuar qindra viktima. Mesa duket Erdogan e shfrytëzoi valën e kaosit për t’u rikthyer në pushtet, duke ia marrë votat e nacionalistëve turq, partisë së ekstremit të djathtë MHP dhe kurdët fetarë nga HDP-ja pro-kurde. Premtimi për një lidership të fortë, siguri dhe stabilitet ka bërë që AKP të arrijë dakordësi me një elektorat thellësisht të shqetësuar rreth spirales së dhunës në Turqi, dhe në një rajon të paqëndrueshëm. Ironikisht, lufta e PKK-së kundër Erdoganit, e ndihmoi partinë e këtij të fundit të rikthehet sërish në pushtet. Por PKK mundet tani të tërhiqet nga armëpushimi i njëanshëm, që shpalli pas atentatit terrorist të ISIS-it në Ankara më 10 tetor, dhe t’i kthehet traditës së saj të dhunshme.

2. Turqia zhytet më tej në një autoritarizëm konkurrues

Ndonëse AKP-ja e humbi shumicën e saj një-partiake në qershor, partia arriti të sundonte Turqinë gjatë 5 muajve të fundit, pa e ndarë pushtetin me opozitën, me përjashtim të një periudhe 25-ditore, kur kjo e fundit u përfaqësua nga dy ministra të HDP-së. AKP-ja e përdori këtë përiudhë për të goditur oganizatat joqeveritare dhe bizneset pranë opozitës, sulmuar mediat kritike, frikësuar gazetarët e figurat e opozitës, dhe kjo strategji duket se ka prodhuar përfitime të rëndësishme për Erdoganin. Me shumë gjasa, ai do të përpiqet të fitojë pike me sulmet e tjera ndaj mediave, bizneseve dhe OJQ-ve kritike ndaj tij duke e minuar më tej demokracinë turke, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe sundimin e ligjit. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që pritet të mbahen në vitin 2019, mund të jenë edhe më të pandershme dhe manipulative sesa ato të deri sotmet.

3. Partia e Demokracisë së Popullit (HDP), në parlament për të qëndruar gjatë 

HDP ishte partia e parë pro-kurde në historinë turke, që kaloi pragun 10 përqind dhe përfitoi përfaqësimin në parlament. Edhe pse dështimi i procesit të paqes dhe përshkallëzimi i dhunës nga PKK, krijuan sfida të mëdha për HDP, kjo forcë politike arriti sërish të kalonte pragun, megjithëse me humbje të mëdha. HDP fitoi më shumë vende sesa partia e ekstremit të djathtë e Veprimit Nacionalist (MHP), duke e bërë për herë të parë në histori pëe një parti pro-kurde, forca e tretë më të madhe në parlamentin turk. Nëse partia do të jetë në gjendje të vërë në pikëpyetje dhe distancohet nga taktikat brutale të PKK-së, që mjerisht i kanë shërbyer ambicjeve autoritare të Erdoganit, ajo mund të integrohet më tej në sistemin politik turk …

4. Partia e ekstremit të djathtë e Veprimit Nacionalist (MHP) ka kryer vetëvrasje

Nacionalistët e së djathtës ekstreme në Turqi, shpresonin të arrinin një rezultat të mirë, duke kapitalizuar reagimin e turqve ndaj shtimit të dhunës nga PKK. Për habinë e tyre, ata humbën jo pak por një të katërtën e mbështetjes që kishin patur. Megjithatë, kjo ishte një disfatë disi e paralajmëruar. Që prej zgjedhjeve të qershorit, MHP nuk pranoi të hyjë në asnjë koalicion, dështoi të ndërmarrë politika proaktive dhe për pasojë spastroi shumicën e anëtarëve të saj të aftë nga listat e kandidatëve. Edhe pse lidershipi MHP priste që baza ideologjike e partisë të mbetej besnike, pa marrë parasysh këto lëvizje, ata u shokuan kur mësuan se edhe votuesit e ekstremit të djathtë, kërkonin përgjegjshmëri nga udhëheqësit e tyre.

5. Një fitore e kushtueshme për AKP-në

Udhëheqja dhe kuadrot e AKP-së, duket se janë të ngazëllyer nga kjo fitore dërrmuese, të cilën nuk arriti ta parashnikonte asnjë sondazh. Megjithatë, ky rezultat mund të shtyjë këtë forcë politike drejt ekseseve të mëtejshme autoritare dhe raprezaljeve kundër opozitës. Nëse AKP-ja vazhdon në rrugën e saj, për të minuar sundimin e së drejtës, tregut të lirë dhe lirisë sëë medias, vendi mund të shytet më tej në klimën toksike të autoritarizmit. Nëse zgjedhjet e së djelës e theksojnë imazhin e Turqisë, si një regjim i sforcuar demokratiko- autoritar, triumfi mund të kthehet në një fitore si ajo e Pirros për AKP-në, teksa vuan kostot ekonomike dhe pasoja politike domethënëse të një Turqie larg nga bota transatlantike. 

6. Kjo fitore mund të jetë fillimi i fundit për duetin Davutoglu-Erdogan
 
Këto zgjedhje nuk arritën t’i sigurojnë Erdoganit me super-shumicën e nevojshme, që ai t’i dhuronte vetes kompetencat presidenciale ekzekutive. Gjithësesi, kryeministri Davutoglu ka korrur një fitore të rëndësishme, duke dëshmuar aftësitë e tij drejtuese dhe forcuar kredencialet e tij në gjirin e AKP-së. A do munden këta dy liderë të vazhdojnë të punojnë në harmoni? A do ndjehet i lodhur kryeministri, duke punuar nën tutelën dhe hijen e Erdoganit? Nëse dy dështojnë të arrijnë në një ‘modus vivendi’ mbi parametrat e ardhshëm të ndarjes së pushtetit, festimet e zgjedhjeve mund t’ia lënë shpejt vendin grindjeve brutale në radhët e AKP, duke ushyer më tej kaosin politik dhe konfliktin në Turqi. Shënim: Aykan Erdemir, ish-anëtar i parlamentit turk për socialdemokratët e CHP dhe anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington. Ai aktualisht jep mësim në Universitetin e Bilkentit në Ankara.
 
“Politico” Bota.al 

SHKARKO APP