Gjeneral Ahmetaj: ISIS – “Përballë me RAMBO-t e Gjeneratës së IV”!

"Në planin historik, grupi ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), i vetë-deklaruar në prill 2013 me prejardhje nga grupi Al-Qaeda në Irak (AQI) është grupi më radikal krahasuar me të gjithë grupet e militantëve islamikë, por është edhe grupi terrorist më i pasur financiarisht në botë – kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme, vendet e rajonit dhe për botën perëndimore"…

Nga Piro Ahmetaj*

Para 3 muajsh, pata privilegjin dhe si gjeneral detyrimin, për t’i bërë parathënien botimit me titull “Nëpër labirintet e ISIS”, shkruar nga Koloneli dhe Nderi Kombit Dritan Demiraj. Mbas të “Premtes së zezë të Parisit”, krahas ndjekjes së analizave nga ekspertët me të ndriçuar në fushën e terrorizmit, e ri-lexova me shumë  vëmendje. Në vijim do të paraqes një analizë rreth kontekstit historik, hapësirës gjeopolitike, ekonomike, të faktorëve&aktorëve; të mësimeve të nxjerra, duke shpresuar të kontribuoj mbi një nga konfliktet më të përgjakshme të ditëve të sotme, perballjen me terrorizmin dhe konkretisht me shtetin e vetëshpallur islamik (ISIS).

 

Në planin historik, grupi ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), i vetë-deklaruar në prill 2013 me prejardhje nga grupi Al-Qaeda në Irak (AQI) është grupi më radikal krahasuar me të gjithë grupet e militantëve islamikë, por është edhe grupi terrorist më i pasur financiarisht në botë – kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme, vendet e rajonit dhe për botën perëndimore. Shpallja e Shtetit Islamik (Kalifatit) është një përpjekjet për të funksionuar si entitet shtetëror, duke kontrolluar territore të gjera, nëpërmjet veprimeve makabër (si dy ngjarjet e Parisit) të kryera ndaj pengjeve perëndimore dhe sekteve të tjera të vetë fesë islame, të mbuluar me “fushatë shpërdorimi te fesë”, shfaqet si një kërcënim potencial në rritje. Por mbetet ende dilemë nëse: kjo ISIS nënkupton që grupet e tjera terroriste kanë krijuar lidhje hierarkike me ISIS/ISL, apo grupet ruajnë autonominë dhe koordinojnë veprimet brenda tyre?.

Hapësira gjeografike është shumë e madhe. Konkretisht, territori nën kontrollin e ISIS, ka një sipërfaqe rreth 650.000 km2 (afërisht sa Franca), duke përfshin qytetet, e Mosulit, Baijit, Tikritit, Falluxhas, Ramadit, Abu Ghraib, Al-Qaim, disa pjesë të Kirkukut, Provincën e An Anbarit dhe Provincën e Nineveh-ut në Irak dhe qytetet Deut ez-Zor, Raqqa, Minbej, Hassakek dhe Idleb në Siri, etj. Ne këtë hapësire jeton një popullsi, rreth 10.500.000 banorë. Ndërsa hapësira përreth territorit te ISIS, përfshin Afrikën Veriore, Gadishullin Arabik dhe Lindjen si: Algjeria, Egjipti, Maroku, Sudani, Somalia, Xhibuti, Jordania, Libani, Irani, Kina, Arabia Saudite, Afganistani, Pakistani, Jemeni, Iraku, Turqia dhe Siria. Kjo hapësirë përbën sot qendrën e gravitetit të sfidave të sigurisë, ku edhe natyrshëm, është fokusuar e gjithë vëmendja e aktorëve, analistëve, gjeo-strategjistëve, që merren me çështjet e sigurisë strategjike.

Faktorët me influencë: grupe me kundërshti ekstremiste kundër Regjimit të Asad-it dhe ish Kryeministrit Iraken Nuri al-Maliki. Interesat ekonomike: në territoret që ISIS kontrollon vetëm në Irak prodhohet aktualisht një shifër që shkon diku nga 25.000 deri në më shumë se 40.000 fuçi naftë në ditë (nga 80.000 fuçi në ditë kapacitete), ose një minimum të ardhurash prej 1.200.000 $ në tregun e zi.Fuqia ushtarake: ka arritur të zotërojë një ushtri me mbi 30.000 ushtarë, mijëra milicë, si dhe një armatim dhe teknikë luftarake të teknologjisë së fundit, të rrëmbyer nga divizionet ushtarake të Mosulit dhe Kirkukut (donacione USA), topa “Howitzer” 50 copë (550 mijë dollarë copa!), makina të blinduara “Homwwi” 2200 copë, mijëra mitraloza M-60, etj. Kështu, faktorët që gjenerojnë konfliktin janë etnike, fetar, kulturor, faktorët ekonomik, civilizimin, etj.

Mësimet e nxjerra. Terroristët, fanatikët dhe fundamentalistët, janë adaptuar dhe kanë krijuar një lloj lufte e cila mundohet të dominoje superioritetin teknik dhe teknologjik të Perëndimit, duke u kundërvënë me taktika të terrorit dhe “dëshirë të madhe për të vdekur”. Kjo qasje i mundëson të dobëtit që të përballet me më të fortin dhe që i bën të besojnë se do të jenë efikas kundër ushtrive të NATO-s. Është mjaft e gjetur dhe mesazhi i fortë i përzgjedhur nga Gjeneral Smith: “Që nga lufta e Izraelit për pavarësi, ushtritë islamike janë mundur 7 – 0 kur janë përballur me ushtritë perëndimore dhe kanë fituar 5 – 0 kur kanë luftuar në mënyrë jo-konvencionale, kundër forcave më të fuqishme dhe më moderne të Izraelit, Ish-Bashkimit Sovjetik dhe tashmë SHBA-së.

Sigurisht, lufta mbetet bashkudhëtare e njerëzimit. Fillimisht, lufta në Gjeneratën e I u formësua nga taktikat  lineare, dhe taktikën e kolonave, ku betejat ishin të përcaktuara dhe teatri i luftimeve i njohur. Gjenerata e II lindi si rezultat i mbështetjes në fuqinë e zjarrit dhe e formësuar nga përdorimi i pushkës, telit me gjemba, taktikat mbetën lineare, por theksi u vu në lëvizjen. Gjenerata e III erdhi si përgjigje e rritjes së fuqisë së zjarrit në fushëbetejë, e zhvillimit të taktikës, mbrojtjes në thellësi dhe përdorimin e teknologjisë së re. Gjenerata e IV, që fillon pas 1989, një lloj luftimi qe synon përfshirjen e gjithë shoqërisë në luftë, shkatërrimin e armikut nga brenda (hearts and minds) sesa dëmtimin e tij fizik nëpërmjet betejave. Dallimi ndërmjet paqes dhe luftës mbetet i paqartë. Është luftë jo lineare, betejat frontale dhe dallimet ndërmjet civilëve dhe ushtarëve do të ngushtohen. Veprimet do të ndodhin në të njëjtën kohë, në të gjithë thellësinë, duke përfshirë shoqëritë e tyre kulturore jo vetëm si entitet fizik, por edhe si identitet social apo kulturor. Rritja e sasisë së robotëve, e avionëve të drejtuar pa pilot, komunikimi, zbulimi do te imponoje ndryshimin e taktikave te luftës. Gjenerata e IV kërkon para së gjithash liderë vizionar dhe të zotë, mjeshtër të artit të luftës dhe teknologjisë. Komandantët ndeshen në fushën e betejës me përzgjedhjen e objektivave, jo vetëm ushtarake dhe mbingarkesa e informacionit. Fakti që teknologjia përbën bazën e Gjeneratës së IV nuk do të thotë se tashmë ajo është vetëm armë e Perëndimit, pasi aziatiket, afrikanet, përshi edhe terroristet mund të zhvillojnë.

Koncepti i Gjeneratës së IV, perspektiva e luftës drejt paqes, është një vijimësi e konceptit “Hearts and Minds, të Gjeneral (me 4 yje) McChrystal, emblema e Forcave Speciale Amerikane, komandanti i Operacionit me 142 mijë trupa operacionale, në 6 rajone të Afganistanit, një lider “idhull” për të gjithë komunitetin FS në botë. Ky koncept është një tejkalim nga “vrit ose të vrasin”, duke mbrojtur më të dobëtit, pasi zgjidhjet me paketë aktivitetesh “ushtarake të ashpra”, përfshi fushatat ajrore dhe tokësore, mundet ta zgjidhin përkohësisht,  por  ushqejnë  urrejtjen dhe konfliktin.

II. Vlerësime dhe rekomandime për vendin tonë: Asnjë vend, pra as Shqipëria nuk mundet të jetë e izoluar dhe e imunizuar nga këto kërcënime asimetrike (=të paparashikuara), përfshi edhe nga terrorizmi si kërcënimi më brutal; domosdoshmëri konsensusi politik dhe solidariteti qytetar; qasje, koncepte, kapaciteteve infrastruktura dhe stërvitje të integruara mbarë-kombëtare; pajisjen me teknologji bashkëkohore; rritjen e besimit ne zinxhirin e kushtetuese te komandimit; kohezionit ndërmjet strukturave dhe rritjen e besimit publik ndaj strukturave të sigurisë!

Prioritet-afatshkurtër: ngritja e kapaciteteve të mbrojtjes nga rreziqet kibernetike të afta për t’ju përgjigjur kërcënimeve moderne në hapësirë, në kohë dhe me efikasitet të plotë. Për natyrën e rreziqeve dhe mundësitë që ka vendi ynë, modernizimi i kapaciteteve të Inteligjencës dhe Forcave Speciale Elitare (pse jo të frikshme), e çmoj si opsionin më racional për sigurinë e  qytetarëve, stabilitetin e shoqërisë dhe interesat mbare-kombëtare. Ky projekt, është një qasje e aplikuar në SHBA, UK, France, Turqia, Greqia, Kroacia, Polonia, Sllovenia, Norvegji dhe në të gjithë vendet anëtare të NATO-s.

Është e pa-precedentë pa-përgjegjshmëria propagandistike në ushtrimin e përgjegjësve zyrtare në fushën e sigurisë dhe te mbrojtjes. Kështu, MM Znj. Kodheli, e keq-informuar, se: “Shqipëria nuk kërcënohet nga ISIS; avionët ngrihen “si UFO për 6 minuta” mbi hapësirën e RSH; lodra fjalësh për buxhetin dhe kapacitetet; përqasjen e Islandës në NATO; riciklimin e “Prokurores Fuqiplotë” për akuzat e ish-opozitës, etj”. Për ta bërë me konkret, ketë “keq-shpërdorim zyrtar”, po analizojmë qëndrimin e MM në lidhje me Pajisjen e Përgjimit të Shërbimit të Inteligjencës: një pajisje e domosdoshme, bashkëkohore dhe mjaft eficente në përballjen me këto rreziqe/terrorizmin! Fatkeqësisht, kjo pajisje (1.6 milion dollar konfirmon  MM) vijon prej 27 muajsh të mbetet peng i akuzave politike të ish-opozitës (sot në pushtet) deri sa të “vërtetohet?” që është përgjuar ish-opozita dhe ambasadat e huaja?! Pra nuk do të përdoret edhe 20 muajt e mbetur të mandatit të kësaj qeverie, thua të ishte kapacitet në inventarin e propagandës se partisë? Shqetësimi dhe mesazhi im profesional për MM dhe stafin e  saj, është të ndal pa- përgjegjshmërinë institucionale, pasi: “mos-ushtrimi i detyrës, mos-përdorimi ose shpërdorimi i kapaciteteve të mbrojtjes në dëm të misionit të shërbimit/ve, dhe të sigurisë kombëtare përbën vepër të rëndë penale”! Si nënshkrues (në emër të qeveris se RSH) i Marrëveshjes së Mirëkuptimit (MoU) me Qendrën e Inteligjencës së NATO-s (IFC), kam negociuar, lobuar, dhe kontribuar në ngritjen dhe funksionimin e këtij kapaciteti, kujtoj me keqardhje se me këtë arrogancë-karakteristike, që në ditët e para të marrjes së detyrës, MM mbylli Zyrën Kombëtare të Inteligjencës në Kosove (NIC), ku Shqipëria në bashkëpunim me NATO-n, arriti krahas rreth 22 vendeve, të ngrejë këtë kapacitet (NIC) dhe të prodhojë produkte inteligjence me vlera strategjike për vendin dhe NATO-n. Me këtë nuk bëj avokatin, nëse është keq-përdorur, dhe as të personave kushdo-qofshin nëse kanë përfituar nga ky rast, dhe në asnjë rast tjetër!! Kjo nuk është as puna ime, por besoj nuk është as detyra institucionale e MM? Në të kundërt, kjo por është një thirrje përgjegjshme profesionale për ti trajtuar burimet dhe kapacitetet me peshë kritike për sigurinë dhe mbrojtjen jo si prona dhe mekanizma propagandistike të partisë. Ky shqetësim mbetet në avance edhe për 100-dra objekte, 100 mijë m2 hapësira të infrastrukturave ushtarake hequr si nga lista e burimeve të mbrojtjes, janë darovitur si në “Sulltanatë” në përdorim ose me qira për 35 vjet?!.   

Së fundmi, pa pretenduar që të “privatizoj të vërtetën”, shpresoj që këndvështrimet në këtë opinion të kontribuojnë (jo si opozitë!) si oponencë profesionale për profesionistët dhe autoritetet që ushtrojnë përgjegjësi në përballen me rreziqet asimetrike të sigurisë. 

Gjeneral (r) Piro AHMETAJ, ish: Këshilltar i Presidentit, Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s 

SHKARKO APP