Gjergj Luca: “Aman o doktor, lugat mbetesh për mua; edhe bashkëpunëtorët e mi e dinë se vetëm ti më bën të gërthas”
Në videon e postuar prej tij, Luca sjell edhe reagimin e menaxherit të tij italian, Paco Sigura – njeri që punon me të prej 23 vitesh dhe që duket se është mësuar me temperamentin e gjallë të Gjergjit.
“Paco Sigura është menaxheri që punon me mua prej 23 vjetësh dhe sot ka një pyetje për ju: ‘Akoma është gjallë doktori?’”, shkruan Luca, duke treguar habinë e të huajit, i cili prej më shumë se dy dekadash e dëgjon atë duke gërthitur.
Dhe pyetja pasuese vjen natyrshëm:
“Ende jeton Sali Berisha?”
Me të njëjtin humor therës, Luca vijon:
“Se mua vetëm ai njeri ma ka nxirë jetën dhe më ka bërë nervoz.”
Më pas, me seriozitetin karakteristik që e shoqëron edhe kur bën shaka, ai shton:
“U bëfsh 100 vjeç o doktor. Aman o doktor, lugat je për mua… shih çfarë më thonë njerëzit që punojnë me mua.”
Natyrisht, Gjergj Luca nuk nxehet vetëm me “doktorin” dhe nuk gërthet vetëm për të. Ai nuk e ka si objekt të vetëm të zemërimit Berishën.
Temperamenti i tij shpërthen sa herë përballet me fenomenet dhe dukuritë negative të këtij vendi – politike apo jopolitike. Ai reagojnë sepse e do me zemër që puna, drejtësia dhe e vërteta të triumfojnë. Dhe në këtë betejë të përditshme, ai shpesh bëhet zëri i pak filtruar i atyre që ndihen të lodhur nga padrejtësitë, nga ngërçet dhe nga stanjacioni.
Gjergj Luca, me gjithë gjuhën e tij të drejtë e pa dorashka, mbetet i njëjti: një njeri që nuk kursen veten kur ndjen se e vërteta duhet thënë – edhe kur kjo e vërtetë del përmes një britme.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

