Gjergj Luca marshon në Fish City me fotografitë e Enverit dhe Berishës në Ditën Kombëtare të Rinisë
Gjergj Luca, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, të pamëshirshëm dhe thellësisht simbolik, ka zgjedhur edhe këtë 8 Dhjetor të flasë me gjuhën e alegorisë, të groteskut dhe të ironisë së mprehtë. Në Ditën Kombëtare të Rinisë, ditën që lindi nga guximi, idealizmi dhe kryengritja studentore e vitit 1990, ai sjell një performancë që nuk është thjesht provokim, por një akt kujtese dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
“Ëndrrat që nga viti 1990 na mbetën në sirtar, çelësin e sirtarit e ka marrë Saliu. Saliu nuk ka ndërmend ta hapë. Na jepni çelësin, Saliun mbajeni për vete… Gëzuar Ditën e Rinisë!”, ky është marshimi i fjalës së lirë i shoqëruar me një videomesazh që i drejton gishtin plagëve më të vjetra të politikës shqiptare, hipokrizisë, përdhosjes së idealeve të Dhjetorit ’90 dhe vazhdimësisë së kulturës së pandëshkueshmërisë që lidh në një zinxhir të errët komunizmin e djeshëm dhe tranzicionin e pafund të sotëm.
Në Fish City, nën ritmet parodike të një muzike revolucionare, parade e punëtorëve të armatosur me fshesa, kazma, lecka pastrimi, lopata dhe madje edhe me flamurin e PD-së, ndërmerr një marshim të kuruar si një pamflet vizual. Në ballë të kësaj satire të gjallë që imiton solemnitetin komunist, qëndron vetë Luca, me kollaren e kuqe, një shenjë e pastër e ironisë së tij, një aludim i fortë se fanatizmi i së shkuarës vazhdon të qarkullojë në venat e politikës shqiptare, pavarësisht 35 viteve që na ndajnë nga dhjetori i lirisë.
Dy fotografitë që ai mban lart, ajo e Enver Hoxhës dhe ajo e Sali Berishës, nuk janë thjesht objekte simbolike. Janë akuzë. Janë denoncim. Janë panorama e hidhur e një tranzicioni që ka krijuar pasardhës politikë, trashëgimtarë të logjikës së pushtetit personal dhe jo të vlerave demokratike. Në këtë marsh ironik-komunist, dy figurat përvijohen si dy skaje të së njëjtës pengesë historike që ka mbajtur peng ëndrrat e rinisë së vitit 1990 dhe të çdo brezi që erdhi pas tyre.

Akti i Lucas nuk është thjesht performancë. Është shpallje. Është një apel që shkund nga apatia, që të kujton se idealet nuk vdesin, i vrasin. Dhe se 8 Dhjetori nuk është vetëm festë, por ditë gjykimi.
Një kritikë e zhveshur, e guximshme, e provokuar deri në kockë.
Një ftesë që rinia ta kërkojë çelësin e sirtarit ku ëndrrat s’duhet të rrinë më të mbyllura, por duhet t’u jepen shqiptarëve, brezit të ri që kërkon të përmbushi këtë mision, të bëjë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

