Gjergj Luca në mbështetje të thirrjes së eurodeputetes Arba Kokalari: Paqja politike, garancia e integrimit europian të Shqipërisë

Nga Albert Vataj
Në një kohë kur Shqipëria ndodhet në prag të një momenti historik për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, zëri i arsyes, i ndershmërisë dhe i përgjegjësisë qytetare vjen nga Gjergj Luca një figurë që ka folur gjithmonë përmes punës, e jo fjalëve, përkushtimit dhe këmbënguljes për të bërë gjithçka që t’u besojmë energjive dhe kapaciteteve tona për progresin dhe mirëqëniesn, që e sigurojmë këtu, nga puna.
Sipërmarrësi vizionar, i cili me përkushtimin e tij të palodhur ndaj zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit ka treguar se dashuria për atdheun nuk është një parullë, por një përpjekje e përditshme për ta bërë Shqipërinë më të mirë, i është bashkuar thirrjes së eurodeputetes suedeze me gjak shqiptar, Arba Kokalari, për paqe politike dhe unitet kombëtar si themel i integrimit europian.

Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Luca shfaqet i qartë dhe i vendosur në mbështetje të këtij apeli që vjen nga zemra e Europës dhe nga një zë që e njeh nga afër shpirtin shqiptar.
“Arba Kokalari nuk është vetëm mikesha ime, por mikeshë e gjithë shqiptarëve evropianë, që integrimin në atdheun e madh kontinental e kanë detyrë historike dhe patriotike. Arba, të falënderoj edhe në emër të sherrxhinjve të politikës, me të cilët kam vite që merrem, dhe do t’ua fitoj betejën!”, shkruan ai me një ton që përzien ironinë e ndershme me thirrjen serioze për reflektim kombëtar.
Luca, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe përkushtimin ndaj interesit publik, e quan “kyçin e artë të momentit historik” bashkimin e forcave politike, përtej grindjeve dhe armiqësive, për të realizuar ëndrrën e kahershme europiane të shqiptarëve.
“Mjaft më me sherre e me shamata,” thotë ai, “sepse ky është hapi i fundit, dhe ndoshta më i rëndësishmi. Ky është investimi ynë më i shenjtë, jo për ne, por për fëmijët tanë, për brezat që do të vijnë. Ata do të gjykojnë nëse ne kishim mençurinë të lëmë mënjanë mërinë dhe të ndërtonim një Shqipëri që ecën me dinjitet në familjen e madhe europiane.”
Apeli i Arba Kokalari: “Tani është në dorën tuaj”
Fjalët e eurodeputetes Arba Kokalari, në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, më 28 tetor 2025, ranë si një kumbim shprese dhe përgjegjësie:
“Shqipëria është në një moment historik. Është krenari të jem këtu, në rrënjët e mia. U bëj thirrje si opozitës ashtu edhe mazhorancës që të kuptojnë se ky është çasti i artë i Shqipërisë. Për breza me radhë, vendi juaj ka luftuar kundër shtypjes. Sot ju keni mundësinë ta ktheni Shqipërinë aty ku e ka vendin, në Bashkimin Europian.”
Duke folur me një frymë përfshirëse, ajo shtoi: “Të gjithë në Bruksel flasin për Shqipërinë. Të gjithë duan që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. Kjo është një punë që kërkon përkushtim, miratim ligjesh dhe mbi të gjitha zbatim të tyre. Nuk është e lehtë, por është e mundur. Dhe është tani në dorën tuaj.”

Në të njëjtin frymëzim, Gjergj Luca thekson se politika nuk mund të jetë më pengesë e zhvillimit, por duhet të kthehet në mjet të kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj së ardhmes.
“Ne duhet të jemi brezi që korrigjoi historinë dhe e lejoi Shqipërinë të jetë pjesë e BE-së jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht. Kjo është koha jonë për të treguar pjekuri, tolerancë dhe vizion — për të dëshmuar se dimë të jemi të mëdhenj në paqe, jo vetëm në fjalë.”
Mesazhi i tij përmbyllës vjen si një apel që tejkalon politikën dhe i drejtohet ndërgjegjes kombëtare:
“Le ta dëgjojmë këtë zë që vjen nga zemra e Europës, nga një shqiptare që na përfaqëson me dinjitet, dhe të tregojmë se jemi gati të bëhemi pjesë e së ardhmes europiane me dinjitetin e një kombi që ka vuajtur, ka duruar dhe tani është gati të fitojë.”
Në këtë rezonancë të dy zërave, të një sipërmarrësi që ndien përgjegjësinë kombëtare dhe të një eurodeputeteje që mban krenarinë shqiptare në arenën europiane, ndjehet një bashkim frymëzues: thirrja për unitet, maturi dhe dashuri për Shqipërinë, që mund të na çojë më në fund aty ku e kemi ëndërruar gjithmonë, në zemrën e Europës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?