Gjergj Luca: “Unë i mbaj premtimet e punëve të mira”, ky në Elbasan është një premtim me zemër e vizion
Nga Albert Vataj
Pas suksesit të Allishverishit në Tiranë, aventura gastronomike e Gjergj Lucës ngre siparin e saj të radhës në zemër të Elbasanit, duke sjellë jo vetëm një restorant, por një mënyrë të re komunikimi përmes shijes, artit dhe atmosferës së gëzimit.
Allishverishi i Elbasanit është një skenë që flet me shumë gjuhë: me atë të detit, përmes gatimeve të kuruara me pasion; me atë të muraleve, që sjellin alegori, figura të dashura, karikatura të mençura e miqësore; dhe me gjuhën e mikpritjes, që në botën e Rozafës është kthyer në standard.
“Unë i mbaj premtimet e punëve të mia dhe ja ku jam! ‘Allishverishi’ i ri në qytetin e Elbasanit i çeli dyert mbrëmë. Mes miqve të mirë e plot oreks, kuzhina e detit me pasion e pa hile ju mirëpret!”, shkruan Gjergj Luca në njoftimin e tij, duke shpërndarë jo vetëm lajmin e hapjes së restorantit, por edhe atmosferën festive që e shoqëroi mbrëmjen me miq, të ftuar specialë, dashamirës të kuzhinës së detit dhe të filozofisë së tij të punës, një bashkësi që prej vitesh e njeh vlerën, seriozitetin dhe integritetin e kësaj marke.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Luca, një nga emrat më të spikatur të sipërmarrjes shqiptare, i lidhur në simbiozë me suksesin e “Rozafës” dhe me transformimin e industrisë së akuakulturës, çel një tjetër kapitull të rrjetit të tij gastronomik.
Dhe e bën këtë duke e kthyer hapjen e një restoranti në një ngjarje komunitare, një festë të njerëzve të qytetit, një shenjë respekti ndaj të shkuarës dhe një thirrje për të krijuar bashkë përvoja të reja.
Mes muraleve që nderojnë figura të mëdha të Elbasanit dhe të botës, Gjergj Luca theksoi frymën që dëshiron të kultivojë se ushqimi ka fuqinë të bashkojë njerëzit, pa dallim feje, race apo bindjesh politike, dhe ky është mesazhi që Allishverishi i ri sjell në këtë prag Krishtlindjesh.
“Uroj që çdo gjë të na shkojë mbarë dhe kjo të jetë një hapje me fat. Mirë se të vini!”, – shprehu ai me një ngrohtësi që tejkalon format zyrtare dhe vjen drejt e nga zemra e një njeriu që ka ndërtuar një perandori mbi punë, korrektësi dhe përkushtim.
Me këtë hapje, Gjergj Luca rikonfirmon vizionin e tij, rrjeti i “Allishverish”-eve do të shtrihet në gjithë Shqipërinë, duke e shndërruar përvojën Rozafa në një standard kombëtar të mikpritjes moderne, të cilësisë në kulinari dhe elegancës estetike.
Në Elbasan nisi një kapitull i ri. Dhe, sipas filozofisë së Lucës, ky kapitull nuk është thjesht për të ngrënë: është për të përjetuar, për të komunikuar, për t’u afruar me artin, me tjetrin dhe me vetveten përmes këtij përbashkimi të asaj çfarë na përfaqëson.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

