Gjermani, pilotët sërish të vetëm në komandën e avionëve
Pas tragjedisë së “Germanwings”, ishte urdhëruar që në kabinë të qëndrojnë gjithnjë të paktën dy persona. Por kjo gjë nuk shton nivelin e sigurisë
Dy vjet pas tragjedisë së “Germanwings”, e shkaktuar nga ndihmës piloti Andrea Lubitz, në Gjermani rregullat për drejtimin e avionit ndryshojnë sërish.
Nuk do të jetë më e nevojshme që në kabinë të jenë dy persona në komandë, siç ishte caktuar pikërisht pas tragjedisë së shkaktuar nga 27-vjeçari gjerman, i cili pasi mbylli derën i vetëm në kabinë, përplasi avionin në një zonë shkëmbore, duke shkaktuar vdekjen e 149 personave.
Rregulli i ri ishte caktuar pikërisht pas dinamikës së tragjedisë së ndodhur dy vjet më parë, kur ndihmës piloti i ri, mbeti i vetëm në komandë dhe rrëzoi avionin, duke lënë jashtë kabinës pilotin kryesor.
Por tani, sipas Shoqatës së Trafikut Ajror, “verifikimet e bëra tregojnë që rregulli i dy personave nuk mund të sjellë avantazhe sa i takon sigurisë”.
Hetuesit kishin zbuluar se Lubitz, ishte mbyllur brenda në kabinë sapo piloti tjetër kishte shkuar në banjë dhe kështu e kishte drejtuar avionin mes alpeve franceze. Sipas të njëjtës shoqatë gjermane, rregullorja e dy pilotëve në kabinë, jo vetëm që nuk rrit sigurinë, por rrezikon të krijojë edhe rreziqe të tjera të lidhura për shembull me faktin që dera duhet të qëndrojë e hapur gjatë për të lënë të lirë kalimin e ekuipazhit, brenda dhe jashtë kabinës.
Kjo në fakt do të ishte një mënyrë më e lehtë për rrëmbyesit e avionëve, që në të vërtetë janë më të shumtë në raste në krahasim me ndonjë vetëvrasje si në rastin e Lubitz.
Ndryshimi vjen në vazhdën e rregullave të reja të përfshira sa i takon sigurisë mbi shëndetin mendor të pilotëve për të përmbushur objektivin e reduktimit të rrezikut të ngjarjeve të ngjashme dhe të dhimbshme si ai i “Germanwings”.