Gjiknuri: Fund informalitetit në sektorin e energjisë
I pranishëm në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë ku po diskutohet nen për nen pr/buxheti i virtit 2015, Gjiknuri gjithashtu theksoi se kamatvonesat në pagimin e energjisë elektrike nuk do të fallen, por shtoi se për qytetarët do të ketë lehtësira, duke zgjatur në kohë shlyerjen e detyrimeve, siç është edhe forma me këste.
“Do ketë lehtësi në pagesa, të shtrihen në kohë. Do ketë lehtësira, por jo falje. Nuk do ketë falje, nuk do bëjmë amnisti. Amnistia i ka nxitur njerëzit të mos paguajnë. Qytetarët kanë nevojë të kenë shërbime më të mira, lehtësira do të bëjmë”, tha ai. Duke u ndalur tek aksioni i fundit mes OSHEE dhe policisë për të evidentuar dhe ndalur çdo lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Gjiknuri pohoi se, ka pasur ulje të konsumit të energjisë dhe rritje të faturimeve.
“Synimi ynë është që të frenohet vjedhja e energjisë, që të mos bëhet barrë për konsumatorin. Këtë muaj ka pasur ulje të konsumit të energjisë në 15%. Kemi rritje të faturimeve me 10%, ka filluar legalizimi i informalitetit në energji”, tha ai. Sipas tij, sistemi ka filluar të ketë efekte pozitive dhe se qeveria tërhiqemi më nga kjo qasje. “Aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin ka dhënë rezultatet e para të përmirësimit të gropës financiare të krijuar ndër vite në Shqipëri.”, tha Gjiknuri.
Në vijim ai theksoi se për këtë vit arkëtimet janë rritur në masën 84% duke, me një vlerë prej 66 milionë dollarësh. Kjo sipas Gjiknurit është një përmirësim i dukshëm krahasur me valën e mos pagimit të faturave që krijoi qeveria e kaluar duke falur faturat e papaguara në vitin 2012, çka sipas tij shkaktoi një thellim të krizës energjitike.
Më tej, Gjiknuri nënvizoi se aksioni kundër vjedhësve të energjisë, ka sjellë një ulje të humbjeve në rrjet në shifrën 34%. Sipas Gjiknurit, nëse vazhdohet në këtë drejtim, në vitin 2018 parashikohet që të mos ketë më ndërhyrje në sistemin energjitik nga buxheti i shtetit. “Ne shpresojmë që deri në vitin 2018 sistemi energjitik të mos ketë më nevojë për ndërhyrje nga buxheti i shtetit. Shpresojmë që vitin tjetër hendeku të jetë 12 milionë dollarë më pak, ose e një ulje të humbjeve në vlerën 5%.
Muaji tetor arriti një rekord uljesh të humbjeve, në shifrën 34% dhe shpresojmë që trendi të jetë akoma në zbritje, në një mesatare 38% ose më poshtë. Këto janë humbje teknike dhe jo teknike, ku vjedhja zë gjysmën e peshës. Vjedhja ka sjellë një gropë të madhe financiare. Këto janë konkretisht të dhënat e fundit për shkak të masave të marra”, tha Gjiknuri . Për sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë, ministri tha se ky është një proces që do shkojë në mënyrë graduale. “Liberalimizimi do rriste tarifat e energjisë. Ky proces do shkojë në mënyrë graduale. Do fokusohemi tek konsumatori”, tha ai.
Më tej Gjiknuri akuzoi qeverinë e kaluar për fshehje të vërtetës ndaj konsumatorëve, ndërsa shkoi më tej, duke i akuzuar për falimentimin e KESH-it. “Qeverisja e kaluar asnjëherë nuk iu tha shqiptarëve se çdo investim i ri, fatura duhet ti shkojë konsumatorit final. Çdo burim i ri energjie duhet të reflektohet në çmim. Qeveria e kaluar e fshehu të vërtetën, e çoi KESH në faliment”, theksoi ministri i Energjitikës. Ai tha më tej, se shitja e 4 HEC-eve në vend është akti më i rëndë që i është bërë sektorit të energjisë. I pranishëm në Komisioni e Ekonomisë, deputeti Gjovalin Kadeli, i kujtoi ministrit se ashtu siç kërkon me rigorozitet që qytetarët të paguajnë energjinë, ashtu duhet edhe t’ju përgjigjesh. Sipas tij një lagje në Lezhë vuan prej 9 ditësh mungesën e energjisë dhe ky nuk është shërbimi që presin qytetarët që e paguajnë energjinë. Sipas tij, problem mbetet edhe fakti që qytetarët nuk kanë ku të ankohen për faturat e energjisë.
“Krahas kërkesave për pagimin e faturave të energjisë, qytetarëve duhet t’u garantohet edhe ankimimi në lidhje me faturat, duhet t’u garantohet shërbim në kërkesat që kanë, ndaj duhet të ketë një përmirësim dhe marrje masash në këtë drejtim”, tha Kadeli.