
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Lezhës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai thotë se drejtimi i bashkisë nuk është një ambicie personale, por thekson se është i gatshëm të sakrifikojë mandatin e deputetit nëse këtë ia kërkojnë demokratët e Lezhës.
“A është në ambiciet e mia Lezha? Jo, të them të drejtën, sepse politikisht sapo kam hyrë në politikëbërje. Por a duhet të sakrifikoj? Patjetër që duhet ta bëj. Nëse e kërkojnë demokratët e Lezhës, nuk e përjashtoj”, u shpreh Gjoni.
Ai nënvizoi se demokratët i kanë besuar mandatin përmes votës dhe se përgjegjësia për të fituar zgjedhjet duhet të jetë e përbashkët edhe për deputetët e tjerë të PD-së. “Demokratët më dhanë mandatin dhe unë s’kam ardhur nga listat e mbyllura, por nga votat e Lezhës dhe Mirditës. Në momentin që do të kërkohet, do të marr vendimet dhe qëndrimet e mia në favor të demokratëve”, deklaroi ai në ”A2cnn”.
Gjoni komentoi edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, duke bërë të ditur se po zhvillohen diskutime për gjetjen e një figure që të bashkojë sa më shumë mbështetje përtej spektrit politik opozitar. “PD i ka dhënë të dy opsionet. Ka diskutime për të gjetur një emërues të përbashkët, për një figurë që jo vetëm të jetë sa më përfaqësuese, por të ketë gjithë spektrin politik opozitar, edhe studentët, qytetarët e thjeshtë të Tiranës, edhe elektoratin gri”, tha deputeti. I pyetur për mundësinë e kandidimit të Ilir Alimehmetit, Gjoni u përgjigj: “Mund të jetë një nga personat”.
