Gjokë Hasi, intelektuali që la pas respektin dhe dashurinë njerëzore

 IN MEMORIAM

 Nga Fran Gjoka/“Veprat e mira, kur bëhen në mënyrë të thjeshtë, janë si të vdekurit, që rrojnë edhe në varr, si lule, që u bëjnë ballë tufaneve, si yje, që nuk perëndojnë kurrë.” (Klaudios).

Kanë kaluar plot nëntë vjet që farmacisti i talentuar nuk jeton më, mbase vetë koha disi zbehet në përmasën e një kapaciteti të tillë, që nuk i përket më individuales, por një hapësire të pamasë, të përhapur pafundësisht në jetën e një gjenerate. Në mes të gjithë atyre që lënë gjurmë të pashlyera në punë dhe në jetë, ishte dhe Gjokë Hasi. U lind në fshatin Gurzë të rrethit të Kurbinit, në një familje të shkëlqyer, me tradita patriotike dhe arsimdashëse. Nga ky trung familjar janë ngjizur cilësitë e karakterit të tij, që përcollën në breza traditën, zakonet, si: trimërinë, burrërinë malësore e shumë të tjera. Ai u rrit, hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur nga Kelmendi dhe u mëkua që të donte vendin e tij dhe njerëzit. Që në fëmijëri të hershme dallohej për shkathtësinë dhe zgjuarsinë që kishte dhe pasi mbaroi shkëlqyer arsimin shtatëvjeçar, pushteti vendor i asaj kohe e dërgon në Shkollën e Mesme Mjekësore, Tiranë.

Me mbarimin e arsimit të mesëm profesional fitoi bursë në Fakultetin e Mjekësisë, dega Farmaci. Vitet studentore kalonin dhe ai rritej si një pemë e mirë në “pyllin” njerëzor me plot virtyte, që dallohej e respektohej nga të gjithë studentët dhe pedagogët e tij. Pra, djaloshi me origjinë nga trojet e famshme të Malësisë së Kelmendit, të përfaqësonte krahinën e tij në mënyrën më të mirë.

Me mbarimin e shkollës së lartë, filloi punë farmacist në qytetin e Krujës e më pas të Fushë-Krujës dhe për pak kohë në Tiranë. Ai, farmacisti i ri plot kulturë, u përkiste të gjithëve, e donin të gjithë. Pra, që në rininë e tij të hershme e konsolidoi veten, duke u shërbyer ditën e natën njerëzve në nevojë. Dhe ai, me atë buzëqeshjen e tij të lindur e tepër njerëzore, ua kthente respektin e tyre. Transferimi në qytetin e Laçit i dha mundësi të shërbejë me devotshmëri qytetit të tij dhe fshatrave përreth. Ai, farmacisti i ri, një djalë energjik, me trup mesatar, fytyrë të qeshur, flokë të shkurtra, i veshur thjeshtë, por me elegancën e kohës, shkoi me bindje e dëshirë për të zbatuar detyrat që do të merrte në sektorin e farmaceutikës. Shumë shpejt, ky djalë i ri, u ambientua me qytetin dhe fshatrat përreth, ku shpejt njohu botën shpirtërore të komunitetit dhe u bë dashamirësi më i mirë i tij.

Vitet kalonin dhe ai qëndronte i palodhur në krye të punëve, tashmë jo vetëm si përgjegjës i farmaceutikës, por edhe si studiues e hulumtues i mirë në fushën e kërkimit shkencor. Popullariteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Kur një ilaç mjekësor nuk gjendej, njerëzit përdornin një shprehje të tillë orientuese: -Shkoni se ilaçin e gjeni te Gjokë Hasi.

Falë talentit dhe përkushtimit, i shoqëruar me asistencën e kualifikuar të profesorëve me emër, fitoi shumë shpejt shprehitë dhe cilësitë e një farmacisti të karrierës së shkëlqyer, shkon Drejtor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, si ekspert tashmë i njohur për farmaceutikën shqiptare. Një farmacist i madh me emër dhe zanat si Gjokë Hasi vlen jo vetëm të kujtohet, por dhe të përgjithësohet e të kapësh edhe detajet më të vogla të aktivitetit tij dyzetvjeçar, pasi edhe ata do të ishin dukuri pozitive për brezat e rinj farmacistë.

Dhe, siç duket, do kalojnë plot vite e dekada të tjera dhe emri i të ndjerit Gjokë Hasi do të mbetet në kujtesën e brezave, ku sot është bërë shpirti dhe zemra e kujtdo. Kur bisedon me njerëz të profesioneve të ndryshme, e kujtojnë shpesh farmacistin, ku mbante një shtrirje të gjerë miqësie e shoqërie nga trevat shqiptare e më gjerë, me fushë veprimtarie të ndryshme shoqërore e shtetërore, duke u skalitur në kujtesën e brezave me atë portretin si një emblemë e veçantë, që rrezatonte dashuri e frymë atdhedashurie. Ai, në sistemin e punës drejtuese e si ekspert i farmacisë, ruajti me kujdes të madh raportin profesionist – punë të pandërprerë e udhëhiqej nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën çdo ditë njeriu. Kjo, siç duket, ka shumë rëndësi. Tek Gjokë Hasi aftësia profesionale shoqërohej me punë të dendur dhe rezultate kulmore, që flasin dhe sot për vlerat e shkëlqyera të punës së tij.

Asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin “korruptiv”të punës së tij, por i qëndroi besnik Betimit të Hipokratit. Asnjëherë nuk diti t’i diferencojë njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte profesioni, edukimi dhe kultura e tij qytetare. Sa jetoi e punoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përballë përfitimeve, të mirave materiale e famës shoqërore e miqësore. Mbeti deri në frymëmarrjen e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Prandaj, me të drejtë, Këshilli Bashkiak i qytetit të Laçit i pat dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Ja çfarë thotë një i moshuar, kur unë i përmenda emrin e Gjokë Hasit: “Eh, mor mik. Kam në shpirt një dashuri të papërshkruar dhe e kujtoj shpesh e me mall shumë, që nuk arrita kurrë t’ia shlyeja. Më siguroi në kohë ilaçin dhe më shpëtoi fëmijën nga kthetrat e vdekjes”. “Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhè, por kur harrohet!”, – thoshte Sokrati.

Ndërsa shkruaj këto radhë, për këtë njeri të madh, më vjen keq për harresën e organeve të pushtetit. Kurrë s’ka punuar për lavdi, ndonëse lavdinë me punë e sakrifica, emrin e mirë që la kudo, e meriton plotësisht pas vdekjes që t’i jepet, nga organet kompetente, edhe një titull tjetër “Mjeshtër i Madh i Punës”. Për njerëz të tillë të ditur, të emancipuar, tolerant në shërbim të popullit për dyzet vjet me radhë, që mbajti titullin e lartë dhe të denjë “Njeri”, si Gjoka, sa shumë ka nevojë shoqëria e sotme shqiptare.

Kam rastisur shpesh të takohemi e të bisedojmë, veçanërisht kur biseda binte te tema e ndryshimeve të tranzicionit të tejzgjatur, gjithnjë i hapur, me vështrimin e ëmbël e të respektueshëm, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument për vlera e alternativa, për ide dhe mendime të dobishme për demokracinë në Shqipëri.

I ngritur në dinjitet, parimor, jashtë çdo dukurie negative, mbetet një vëlla, shok, mik e bashkëshort ideal, që s’pati kurrë fëmijë, por një drejtues e profesionist i njohur e farmacist i talentuar, për Veriun e Shqipërisë, ishte dhe la mbresa të pashlyera. Gjokë Hasi ishte i mprehtë në logjikë, një argumentues dhe debatues për të mirën e profesionit, që shqyrtonte dhe argumentonte me baza shkencore mbi origjinalitetin dhe funksionin e medikamentit mjekësor. Pra, ishte shumë impulsiv e vendimtar në marrjen përsipër për të siguruar me kohë ilaçet e pacientëve në nevojë. Prirja e këtij burri gjashtëdhjetë e katërvjeçar, në kulmin e formësimit dhe formimit të tij njerëzor, ku prirja e tij vinte tashmë në përshtatje me realitetin, ai, fatkeqësisht, ndahet nga jeta. Sot nuk ndodhet fizikisht në mes nesh, përsëri zonja e tij, motrat, vëllezërit, nipat e mbesat, kolegë e miq të shumtë të tij e kujtojnë, e nderojnë atë përsëri, duke vendosur pranë varrit tufa me lule të freskëta.

Ndërsa zonja e tij, Mrika, një grua e qetë, të çliron nga druajtja me zërin e ngrohtë e miqësor, me mikpritjen karakteristike, që priste e përcillte miqtë dhe shokët e Gjokës, gjithnjë buzagaz. Edhe pse kanë kaluar vite, motra e tij, Shaqja ndihet shpirtërisht e shqetësuar për humbjen e vëllait, ku sakrifikoi dhe vuri shëndetin në rrezik, vetëm të shpëtojë jetën e vëllait në një nga spitalet më me zë të Turqisë. Ndërsa vëllezërit Deda dhe Doda sakrifikuan shumë dhe me muaj të tërë, duke qëndruar pranë dhe me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës. Dhe, si për ta vazhduar shqetësimin e tyre, Deda, me lot ndër sy, thotë: “Vërtetë ishte më i miri ndër ne dhe ëndërrojmë çdo ditë të ishte në mes nesh. Pra, të mos na mungojë Gjoka, vëllai e shoku ynë i mirë”.

Me gjithë karrierën e tij të shkëlqyer si farmacist e politikan i orëve të para të demokracisë, prania e të cilit pa dyshim ka luajtur një rol pajtues dhe shërues në orët e nxehta të politikës shqiptare. Ishte Anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Republikane dhe prej disa legjislaturave Anëtar i Këshillit Bashkiak, që i kreu me ndershmëri deri në fund të jetës së tij. Këtu më vjen ndër mend një shprehje të Gëtes së madh: “Jeta është një fushë, që na jep ashtu si ta përdorim ne, një korrje gjembash ose lulesh!”. Kuptohet, që është e vështirë, që brenda një shkrimi të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën dhe veprën e gjerë e të gjithanshme të një personaliteti të tillë si Gjokë Hasi. Do të duhet që figura e farmacistit të talentuar të një modeli të cilësisë dhe dashurisë njerëzore të ndriçohet më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të rinj farmacistë dhe të historisë së farmaceutikës tonë kombëtare.

SHKARKO APP