Gjovalin Kadeli: Reformat japin efekt të kundërt, nëse s’ka mbështetje financiare
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli flet për reformat e mazhorancës dhe garën për zgjedhjet vendore në Tiranë
Intervistoi: Sidorela Lepuri
“Bojkoti është përdorur nga të gjitha subjektet politike prej 24 vitesh dhe nuk ka dhënë ndonjë rezultat të dukshëm pavarësisht se është një prej formave të ligjshme për mënyrën e të bërit politikë, si një mjet për të arritur objektivin e mundshëm”. Kështu shprehet deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Gjovalin Kadeli në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”.
Ndër të tjera, ai tregon edhe për marrëdhëniet midis vetë koalicionit të majtë dhe reformat e qeverisë. Ai shprehet gjithashtu se efekti real i reformave duket pas dy vitesh qeverisje. Ndërsa shton se “këto reforma duhen shoqëruar me mbështetjen financiare të nevojshme në mënyrë që të mos japin efektin e kundërt”. Dhe se “mbështetja financiare deri tani nuk ka qenë në nivelin e kërkuar e të nevojshëm”…
Aktualisht jeni pjesë e koalicionit të majtë, por më herët keni qenë pjesë edhe e koalicionit të djathtë. Nëse do ishit ende në Partinë Demokratike, cili do të ishte qëndrimi juaj përsa i përket bojkotit parlamentar?
Bojkoti është përdorur nga të gjitha subjektet politike prej 24 vitesh dhe nuk ka dhënë ndonjë rezultat të dukshëm, pavarësisht se është një prej formave të ligjshme për mënyrën e të bërit politikë, si një mjet për të arritur objektivin e mundshëm. Në fund të çdo bojkoti është arritur një marrëveshje, e cila në pjesën më të madhe të saj ka ngelur në letër. Për politikën shqiptare është e pafalshme që gjithmonë të duhet një apo disa të huaj që të ndërmjetësojnë e negociojnë marrëveshjen mes palëve duke dëshmuar paaftësi apo mungesë dëshire e vizioni për të gjetur një kompromis mes palëve pa u ndikuar nga partnerët ndërkombëtarë, duke na bërë të pabesueshëm në ushtrimin dhe përmbushjen e detyrimit për qytetarët shqiptarë që na votojnë për t’i qeverisur. Kjo histori për mendimin tim duhet të marrë fund dhe të kuptojmë njëherë e mirë se populli të voton që ta qeverisësh dhe asnjë opozitë në këtë vend nuk duhet të pengojë qeverisjen, por të japë kontributin e vet në dobi e në interes të votuesve, qofshin këta të majtë apo të djathtë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, edhe kësaj radhe ndërhynë ose u thirrën në skenë faktori ndërkombëtar për të negociuar dhe arritur një marrëveshje, ku më së fundi opozita do jetë në Kuvendin e Shqipërisë nesër për të dhënë kontributin e saj në dobi të integrimit të Shqipërisë, duke dëshmuar përgjegjësi në ushtrimin e së drejtës për të cilën është votuar.
Duke qenë se jemi tek opozita, sipas jush sa e denjë ka qenë opozita deri tani në rolin e saj, sidomos për funksionet dhe detyrat që ajo ka, për të bashkëpunuar me qeverinë në zhvillimin dhe të mirën e vendit?
Historia e marrëdhënies pozitë- opozitë në Shqipëri nuk ka qenë ndonjë sukses i madh bashkëpunimi, ashtu siç nuk është për t’u alarmuar pasi në shumë raste kur ka patur çështje që kanë patur të bëjnë me imazhin apo reformat e rëndësishme është bërë bashkë në interes të Shqipërisë. Opozita nuk është t’i bëjë fresk mazhorancës, por nuk duhet që me qëndrimin jashtë parlamentit t’i largohet mundësisë për të debatuar pasi aty është vendi ku mund të debatosh në sy të publikut dhe ballë për ballë me qeverinë dhe pastaj gjykimin e vlerësimin e kanë votuesit shqiptar ku vendosin me votë vazhdimin ose jo të mandatit pasardhës qeverisës.
Zgjedhjet lokale janë relativisht larg, por lakimi i emrave për bashkitë kryesore ka kohë që ka nisur. Qarkullojnë zëra se në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës kandidatë të mundshëm nga e majta janë Pandeli Majko dhe Monika Kryemadhi. Ju personalisht, cilin prej tyre do të mbështesni?
Unë nuk ndaj asnjërin, nëse ata do jenë kandidatët e mundshëm dhe do mbështes cilindo që do të jetë produkt i marrëveshjes PS-LSI, pavarësisht se jam i prirur të besoj se znj.Kryemadhi është një ndër kandidatet favorite për të fituar kreun e Bashkisë Tiranë dhe kjo falë potencialit intelektual, apo cilësive të veçanta të komunikimit e gatishmërisë për t’u gjendur pranë kujtdo që ajo komunikon. Cilësi të spikatura këto që e bëjnë zonjën Kryemadhi shumë popullore dhe ka fituar prej kohësh besimin e qytetarëve.
Gjatë këtij viti të qeverisjes prej koalicionit të majtë janë ndërmarrë një sërë reformash në fusha të ndryshe respektive, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre kanë hasur në kundërshtime nga ana e opozitës. A janë të drejta dhe në kohën e duhur këto reforma?
Duhet të kemi të qartë se çdo qeveri deri më sot në vitin e parë të saj ka ndërmarrë reforma të ndryshme për të implementuar programin qeverisës mbi bazën e të cilit ka fituar zgjedhjet. E vërteta është se këto reforma janë shoqëruar me pakënaqësi të momentit, por kanë rezultuar të suksesshme në vitet e mëvonshme, kështu që reformat e ndërmarra në kohët e fundit në disa sektorëi kemi parë efektet që tani dhe duhet të jemi të kënaqur sidomos në drejtim të zbatimit të ligjit, po shohim se çdo ditë po vendoset shteti ligjor në çdo cep të Shqipërisë duke ecur drejt barazisë se gjithë qytetarëve para ligjit. Me këto reforma, nuk mund të ketë në Shqipëri mëasnjë njeri të paprekshëm nga ligji, sado pranë qeverisë apo i pushtetshëm mund të jetë. Po kështu, këto reforma kanë filluar në të gjithë sektorët, të hapura për publikun e grupet e interesit e të diskutuara me ta duke u bërë e qartë nevojat emergjente të zbatimit të tyre se ato janë shumë të domosdoshme. Këto reforma do të japin efektin e duhur në vitet në vazhdim gjatë implementimit të tyre, ku qytetarët ndihen të vlerësuar e të barabartëpara ligjit nga shteti i tyre. Ashtu siç unë mendoj se këto reforma duhen shoqëruar me mbështetjen financiare të nevojshme në mënyrë që të mos japin efektin e kundërt. Mbështetja financiare deri tani nuk ka qenë në nivelin e kërkuar e të nevojshëm dhe kjo dihet, pasi Shqipëria trashëgoi një borxh jo të vogël nga keqpërdorimi i pushtetit mandatin e kaluar, por gjithsesi jam i bindur se dy vitet e fundit të qeverisjes do të kemi një Shqipëri tjetër, ku njerëzit do mësohen të zbatojnë ligjin dhe padyshim do të ketë një zhvillim më të madh ekonomik. Duke dëshmuar nevojën e këtyre reformave nuk mund të presësh dukshmëri të madhe dy vitet e para, por për këtë do ketë një vlerësim në zgjedhjet e ardhshme për parlamentin e ri. Një reformë e thellë duhet në sistemin e drejtësisë i cili ka dëshmuar se është tërësisht i kalbur. Ky sistem e ka deformuar shoqërinë shqiptare ku do i duhen vite të tëra të riparojë ato çrregullime të bëra në fushën e drejtësisë, pasi dihet se ne nuk kemi vuajtur nga ligjet por nga shtremëerimi i tyre pikërisht nga ato që duhet të japin drejtësi. Të mos harrojmë se këto reforma bëhen në kushtet e aspirimit të Shqipërisë për në BE dhe legjislacioni e zbatimi i tij në vitet në vazhdim duhet të jetë në përputhje të plotë me kërkesat e Bashkimit Europian.
Marrëdhëniet mes dy forcave politike kryesore, PS-së dhe PD-së, do t’i cilësonit më të mira gjatë kohës që kjo e fundit drejtohej nga Berisha, apo tani që drejtohet nga Basha?
Marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës janë në nivel jo siç e kërkon koha moderne e bashkëpunimit politik me sandartet demokratike të politikës europiane. Në gjykimin tim, këto marrëdhënie mund të ishin më të mira nëse PD-ja do të drejtohej nga Berisha, pasi zoti Berisha është një politikan me përvojë dhe ka njohje të mirë të funksionimit të parlamentit dhe qeverisjes. Po kështu, me partnerët ndërkombëtarë është më i azhornuar me komunikimet e tij të vazhdueshme prej shumë vitesh dhe kështu që unë do besoja se opozita do ishte më e fortë me z.Berisha, por më luajale në marrëdhënie me mazhorancën, ndërsa zoti Basha e pati mundësinë që të ishte komod para ndërkombëtarëve si një lider në formim e sipër dhe do ishte më i besueshëm nëse nuk do të ishte kaq radikal, por siç duket nevoja për t’u konsoliduar në krye të PD-së e kërkoi që të ishte në një pozicion jo fort të këndshëm në marrëdhënie të ashpra me mazhorancën e parlamentin.
Po përsa i përket marrëdhënieve midis vetë koalicionit të majtë. A janë të forta si në fillim kur u krijua koalicioni?
Marrëdhëniet me koalicionin janë shumë të mira dhe kjo falë një bashkëpunimi korrekt mes dy forcave politike. Po kështu, programi pothuajse i njëjtë si dy forca të majta e bën më të qëndrueshëm këtë marrëdhënie, pavarësisht ndonjë rasti sporadik mund t’u them se ky bashkëpunim është i garantuar për vazhdimësinë për të cilën është dakortësuar që në fillim të marrëveshjes. Të dyja forcat janë të vetëdijshme se bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm në përmbushjen e detyrimit që kanë të dyja para një milion shqiptarëve që i kanë votuar si një koalicion të majtë.
Cilat janë marrëdhëniet e mazhorancës me presidentin Bujar Nishani. Ju personalisht a e konsideroni Nishanin një president që përfaqëson të gjithë popullin?
Marrëdhëniet me Presidentin e Republikës janë shumë korrekte, pasi ne jemi të vetëdijshëm për vlerësimin instuticional të kreut të shtetit, megjithëse historia e marrëdhënieve president-parlament në Shqipëri ndër vite nuk ka qenë siç e kërkon nevoja e bashkëpunimit instucional, pasi disa herë ka ndodhur që Presidenti është sulmuar nga forca politike që e ka zgjedhur për arsye banale se i ka dalë nga rreshti pasi ka kthyer një projektligj në kuvend apo një emërim në instuticionet e rëndësishme për të cilat e ka patur kompetencë. Krejt e kundërta ndodh sot në marrëdhënie me Presidentin e Republikës, duke e vlerësuar autoritetin e tij kushtetues dhe kjo falë vizionit perëndimor me të cilin drejtohet Kuvendi i Shqipërisë.