Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, Lamallari takon ministrin britanik: Stereotipet janë të padrejta
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka përcjellë shqetësimin e qeverisë shqiptare ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve britanikë, gjatë një takimi në Tiranë me Lord Timpson, Ministrin e Shtetit për Burgjet, Shërbimin e Provës dhe Uljen e Përsëritjes së Veprave Penale në Mbretërinë e Bashkuar.
Lamallari theksoi se narrativa që synojnë një kombësi të caktuar përmes etiketimeve negative nuk i shërbejnë bashkëpunimit mes dy vendeve. “Qasjet që nxisin stereotipe dhe përçarje janë të padrejta dhe në fund rezultojnë të pavlefshme apo edhe kundërproduktive,” u shpreh ai, duke publikuar edhe pamje nga takimi.
Ky reagim vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama e quajti “zhgënjyese” deklaratën e ministres britanike Shabana Mahmood, e cila foli për mbi 700 familje shqiptare që, sipas saj, pas refuzimit të kërkesave për azil vazhdojnë të jetojnë në Britani me fonde publike.
Në bisedimet dypalëshe në Tiranë u diskutua gjithashtu mbi ecurinë e marrëveshjes për transferimin e të dënuarve, bashkërendimin e procedurave të ekstradimit dhe forcimin e bashkëpunimit gjyqësor mes dy shteteve.
Nuk është hera e parë që autoritete të larta britanike ngrejnë akuza ndaj shqiptarëve në kuadër të debateve për emigracionin. Në të kaluarën, deklarata me tone të ngjashme kanë ardhur edhe nga ish-sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, duke shkaktuar reagime të forta nga Tirana.
KOHA JONË SONDAZH

