Gjykata shfuqizon përjashtimet e deputetëve të PD, Bardhi: Vendime të paligjshme
Gjykata ka vendosur shfuqizimin e masave disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare” për një periudhë 30-ditore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka.
Avokati i PD-së Marash Logu bën të ditur në rrjetet sociale se ky është rasti i dytë që Gjykata vendos shfuqizimin e masave të tilla ndaj deputetëve të opozitës, pas vendimit nr. 4011 (4089), datë 06.11.2024, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke i konsideruar ato në kundërshtim flagrant me ligjin.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cilëson masat si përjashtime arbitrare, vendime të paligjshme dhe heqje të padrejtë të fjalës. ”Maxhoranca është kapur sërish në flagrancë nga drejtësia duke ushtruar me urrejtje pushtetin kundër opozitës”,-shprehet Bardhi.
Postimi i plotë nga Bardhi
Përjashtime arbitrare! Vendime të paligjshme! Heqje e padrejtë e fjalës në Parlament! Maxhoranca është kapur sërish në flagrancë nga drejtësia duke ushtruar me urrejtje pushtetin kundër opozitës!Vendimi i Gjykatës për paligjshmërinë e përjashtimit të kolegëve Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka është një sinjal alarmi se në Shqipëri nuk sundon shteti ligjor, por Partia-Shtet e Edi Ramës. Në Parlament, ne do të vazhdojmë të rezistojmë ndaj një pushteti që e ka zëvendësuar ligjin me vullnetin e keq të Kryeministrit, por, sot, deputetët dhe qytetarët kanë një mision të përbashkët: të protestojmë për të fituar të drejtën për t’u qeverisur nga një ekip me integritet, që jep llogari dhe nuk vjedh qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

