Granata që pëlciti në… halenë e repartit

(Sipas një ngjarjeje të vërtetë)
Rrëfenjë nga Skifter Këlliçi
Kohë më parë një shok imi, V. GJ., më kallëzonte ngjarjen e mëposhtme, ndodhur në verë të vitit 1953, kur ai kishte qenë ushtar në një repart kufitar, pranë një zone malore. Ushtarët kishin bërë qitje me karabinë, me mitralozin trikëmbësh që quhej DP dhe tani e kishin radhën të bënin qitje me granatë. Ndaj në poligonin e repartit ushtarak, në një largësi prej 25 metrash ishte hapur një gropë me hapësirë pak më të madhe e perimetri një pusi uji. Granatat ishte nga ato nga ato që lëçitësit e këtyre radhëve në mos “pe vërteti”, i kanë parë nëpër filma, pra kishin formë vezake, me vija të thelluara vertikale dhe horizontale, si meridianët dhe paralelet e globit tokësor ku kemi fatin të jetojmë lumturakisht. Kësisoj, nga largësia e mësipërme ushtarët, një nga një, do të merrnin hov dhe do të flaknin granatën, mundësisht brenda sipërfaqes së mësipërme, ose sa më afër saj. Merret me mend se ato ishin mësimore, pra që nuk sillnin asnjë rrezik, sepse ciflat e tyre nuk fluturonin më larg se tre-kaër metra rreth gropës.
Për të parë qitjen, kishin ardhur shumë nga oficerët dhe nënoficerët e repartit, madje edhe Cufja, oficer i dalë në pension, shumë I afërt me një nga gjeneralët më të mëdhenj të asj kohe , edhe në udheheqje.
Gojë më gojë e vesh më vesh, deri në repartin e largët malor, kishte ardhur llafi se gjatë luftës ai kishte qëruar nga faqja e dheut plot armiq edhe me gjuajtje granatash. Madje një herë, si$ rrëfenin, kishte gjuajtur me granatë që nga një kodër larg, ku qëndronin partizanët, mu brenda dritares së një komandature gjermane, ku pas plasjes së saj surretërve dhe trupave pa jetë të ushtarakëve që ndodheshin brenda asaj zyre, nuk u dallohej as nami dhe as nishani.
Ta pret mendja, se me këtë largësinë, teprohej, sa nuk hante as kandari. Mirëpo, Cufja, për këtë ngjarje të vërtetë ose e të pavërtetë, nuk kishte bërë kurrë zë… Me të mbaruar qitja, e cila doli shkëlqishmërisht, sa nuk pritej, me një fjalë që të gjitha granatat e gjuajtura nga ushtarët ranë mu brenda gropës, disa nga ushtarët iu lutën Cufes, veteran të këtij reparti që, si nishanxhi i regjuar që kishte qenë gjatë Luftës, të bënte një hedhje demonstrative të granatës. Por, ama, jo me granatë mësimore, nga plasja e të cilave prej gropës së gërmuar, ve$ ciflave fluturonin edhe ca guriçka, grimca dheu dhe pluhur, por me granatë të njëmendtë.
Sigurisht se ishte kërkesë habitshme, që nuk përfshihej në programin, por Cufes ato fjalë lavdiplota i erdhën ëmbëlake dhe i gudulisën shpirtin dhe zemrën. Ndaj dhe ktheu kokën nga komandanti i repartit, si të kërkonte edhe mendimin e tij. Dhe komandanti e mori këtë vështrim si urdhër, sepse, helbete, fjala ishte jo vetëm për një ish-oficer famëmadh të këtij reparti, por për më tepër, edhe për një të afërm të një gjenerali nga më të mëdhenjtë dhe, pa e zgjatur, vetëm me një lëvizje të kokës, urdhëroi magazinierin të sillte nga depoja e armatimeve një granatë që pëllciste vërtetësisht. Dhe magazinieri pa një dhe pa dy, zbatoi urdhrin e tij. Në këto e sipër, Cufja e mbërtheu granatën në dorë, e tundi, si të maste forcat dhe pastaj ktheu kokën nga gropa ku duhej të flakte. Në luftë kishte qenë i fuqishëm si dem. Por edhe tani, mesoburrë, po si dem ishte. Mirëpo, përpara se të fillonte qitja mësipërme mësimore, ai kishte rrëkëllyer ca gota në klubin e repartit, ku, doemos, e kishin qerasur oficerët dhe komandanti në fjalë. Mendjen e kishte top, por jo shikimin. Sidoqoftë, i hoqi granatës sigurecën dhe nderi dorën prapa, që ta degdiste tutje e tëhu, bash në gropën ku kishin përfunduar granatat e tjera mësimore. Por, ngaqë dielli që vazhdonte si i dremitur rrugëtimin e tij të zakonshëm nëpër qiell, i lëbyri cazë sytë, ose, ngaqë e kuptoi se granatën nuk do të mund ta vërtiste shumë larg, u kthye të merrte vrull, por mbeti cazë si i mëdyshur. Këtu ndodhi mënxyra. Të tërë sa ishin aty përreth, oficerë dhe ushtarë, lëshuan ca britma veshçjerrëse, që sikur i kallën datën Cufes, dhe ai, duke e marrë me mend se granata mund edhe t’i shpërthente në dorë, e lëshoi sa i hante dora dhe krahu, pa e ditur e se ku do të bitisej… Duhet të sqaroj lëçitësit, se siç më rrëfente shoku këtë ngjarje, andej nga Cufja hidhte vështrimin e tij humbarak, ndodhej gropa e ujërave të zeza të nevojtoreve dhe pak më tutje klubi i kulturës që pasohej nga menca, zyrat, magazina e rrobave dhe pastaj fjetorja e ushtarëve. Dhe, për djall, granata e flakur nga dora e Cufe shenjëtarit, bitisi jo në gropën e hapur nga ushtarët për hedhjen e granatave mësimore, por shi në gropën e halesë së repartit. Dhe tanimë që atje nuk u shpërthyen në hava, guriçka, mbështjellë me re pluhuri, por rrëke ujërash haleje me kutërbime të ukubetshme që lyen e përlyen gjithçka në një hapësirë të madhe, së pari trupat e oficerëve dhe ushtarëve të shtirë palmuç për tokë, dhe, çka ishte edhe më e beterosur, u hallakatën mbi çatitë e ngrehinave e mësipërme të repartit, pastaj brenda tyre, në tryezat e mencës, në librat e dhomës së kulturës, në mbulesat e shtretërve të fjetores, në magazinës rrobave… Por këto nuk ishin hiçmosgjë para përlyerjes me copa të zeza të pëgërash të busteve të vogla të Enver Hoxhës dhe Stalinit që komandanti mbante në zyrën e tij, të cilat ishin bërë sterrë. Si mbetën të tromaksur nga kjo gjëmë brengëmadhe, tërë me oficerë dhe ushtarë, pa edhe guzhinierë, brofën vrikthi më këmbë, prekën gjokset, mullaqet e syfeteve të tyre, se mos ishin ishin zografisur, mos o zot, me cifla të asaj granate të mallkuar, dhe morën frymë lirisht, ndonëse duart iu qullosën nga shukat e lëngëshme të fekaleve, që u kullonin deri poshtë në grykë. Daha më ligsht e kishte pësuar shkaktari i kësaj zallamahie, Cufja që ishte plandosur në një pellgth muti dhe po zhgërryhej si derri në llum në të. Por e keqja me e madhe i priste me pas. Pasdite ishte parashikuar që të vinte për vizitë një grup ushtarakësh sovjetikë, i shoqëruar nga gjenerali, si$ përmenda më lart, mik i Cufes. Ndaj të tërë u turrën nga banjot, zhveshën rrobat që u qelbeshin për ibret dhe zunë të sapunoseshin të laheshin e shpëlaheshin me ujë të nxehtë në dushe, pa e vrarë mendjen, veçanërisht oficerët, se ishin hallatebythëjashtë para vartësve të tyre ushtarë. Pastaj ashtu çullak, si i kishte bërë nëna, u sulën nga magazina dhe si mundën rrëmbyen rroba të reja, se të ato që kishin veshur, disa ushtarë, roje, që nuk kishin pësuar këtë hata mënxyrëmadhe, po i mblidhnin, për t’i çuar në lavanteri. Në këto e sipër, u bë sa kaq rrëmujë, sa nuk e merrte vesh qeni të zonë. Dhe kjo, sepse edhe një pjesë e rrobave në magazinë ishin njollosur nga ujërat e zeza që kishin depërtuar nga dritaret. Ata ushtarë që nuk mundën të gjenin rroba të reja në magazinë, nisën të hiqnin prej rrobave që mbani n njollat e fëlliqura. Pati fat komandanti, që kishte ruajtur në raftin që mbante në zyrë një uniformë tjetër, fshiu sa i I bëri xixë bustet e vogla të Enver-Stalinit, duke mallkuar veten që i kishte dhënë urdhër nënoficerit të depos së armëve të sillte granatën. Pra, mallkonte edhe Cufen që kishte shkaktuar tërë këtë katrahurë.
Kuptohet se më i sikletosuri i gjithëve ishte vetë Cufja, jo vetëm për marrëzinë me okë, që kishte bërë, por edhe sepse, i veshur me rroba beharore, që ishin bërë helaq, tani rrekej të gjente një uniformë ushtari. Mirëpo, nga që ishte bullafiq, mezi gjeti një të tillë dhe shëmbëllente tani me Shvejkun e filmit aq të goditur të romanit dhe filmit.
Kur grupi ushtarakëve sovjetikë me gjenaralin mik të Cufes shkeli këmbë në repart, ata i priti me temenara, por zemërdredhur komandanti dhe oficerët. Doemos, i priti edhe Cufja. Gjenerali zgurdulloi sytë , kur e pa atë të veshur ushtar. Por Cufja i ftilloi me lezet se kishte marrë pjesë në stërvitjen e ushtareve për hedhjen e granatës, ndaj ishte veshur ashtu. Atëherë gjenerali e lëvdoi dhe ua shpjegoi këtë veprim të Cufess miqve të dashur sovjetikë.
Mirëpo atyre u bëri përshtypje një erë disi e qelbur, që i bënte të mblidhnin buzët dhe të mbyllnin fyejt e hundëve. Por jo gjeneralit, që fatmirësisht ato ditë i kishte hundët të zëna nga rrufa. Atëherë Cufja, që kishte shtrydhur trutë më parë, si gjente një bi$im shkaku të kësaj hataje që kishte ndodhur kaq papritur për gomarllëkun e tij me brirë, si me lezet i shpjegoi atij se era vinte nga një burim ujërash… termale që kishte shpërthyer pa pritur diku pas kodrave, tutje repartit ushtarak. Gjenerali zhgarrepsi sytë, por pasi i hodhi mikur një vështrim zhbirues për shpjegimin që i kishte tërcifërsirosur, u shpjegoi sovjetikëve $’kishte ngjarë. U bindën, a s’u bindën ata nga ky shpjegim i sajuar, këtë nuk e mori vesh askush aty, por miqtë e shquar sovjetikë, dhe tok me ta edhe gjenerali madhor, u ranë druve shkurt, pra nuk e zgjatën shumë vizitën, sepse duhma që era e fortë sillte nga ai… burimi me ujëra termale, ishte bërë pambarimisht e sëkëlldishm. Nga ana tjetër, gjenerali e mori pak a shumë me mend, $’kishte ndodhur… Por, ngaqë më pas komandanti mbeti po komandant, dhe Cufja, ndonëse rrallë, shihej të kalonte serbes nga rruga ku ndodhej reparti, kuptohet se i kishte vënë kapak kësaj meseleje, sepse, në fund të fundit, ve$ mutrave qe kishin pëllcitur në hava nga gropa e halesë dhe stërkalave të tyre, që kishin sjellë këtë duhmë hundëshpuese për gazep pas hedhjës fatgremisur të granatës nga shenjëtari mësipërm namëmadh , asnjë rrezik tjetër nuk kishte ndodhur në atë repart.

SHKARKO APP