Greqi, radikalët kryesojnë në sondazhe

Nga Kujtim Vani

Përfundimisht, të lindurit në vitin 1997 nuk do të votojnë në zgjedhjet e 25 janarit 2015. Sipas komunikatës që nxori Ministri i Brendshëm në detyrë, është e pamundur  që të votojnë, nga momenti që ligji përcakton se çdo kryebashkiak harton çdo vit, nga 1 shkurti deri në fund të këtij muaji, listat emërore të zgjedhësve ku përfshihen gjithë sa janë të regjistruar në gjendjen e bashkisë dhe që fitojnë të drejtën e të votuarit.  Regjistrimi në listat zgjedhore të bashkive është kusht i domosdoshëm për ushtrimin e të drejtës së votës.

Sondazhet

Avantazh të SYRIZA-s me 3,2% kundrejt Demokracisë së Re, paraqet sondazhi i kompanisë GPO për llogari të televizionit Mega. Më konkretisht, SYRIZA merr 28,5% dhe Demokracia e Re 25,3%. Pasojnë: Lumi 5,8%, Partia Komuniste 5,7%, Agimi i Artë 5,4%, PASOK 5%, Grekët e Pavarur 2,7%, Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2,6%, LAOS 2% dhe ANTARSYA 1%. Në sondazhin e ALCO që publikohet në të përjavshmen “Pontiki”, SYRIZA arrin 33,8%, Demokracia e Re 30,5%, Lumi 4,5%, Agimi i Artë 4,4%, Partia Komuniste 4,1%, PASOK 3,9%, Grekët e Pavarur 2,4%. Sondazhi i kompanisë Pulse RC për llogari të televizionit Action 24, rezulton me avantazh 3,5% për SYRIZA-n, që merr 29%. Demokracia e Re 25,5% dhe pasojnë: PASOK, Lumi dhe Agimi i Artë me nga 5,5%, Partia Komuniste 5%, Grekët e Pavarur 3%, dhe Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2,5%.

“Interesat e spekulatorëve të dhrahmisë”

Një mesazh optimizmi dhe sigurie për fitoren, ka dërguar kryeministri Antonis Samaras nga Halkida, ku përsëriti sulmin e ashpër ndaj SYRIZA-s. “Kam ardhur t’ju sjell mesazhin e fitores që do të lehtësojë popullin grek”, tha z.Samaras duke filluar fjalimin e tij dhe shtoi: “Do të marrin në këto zgjedhje të njëjtën përgjigje që morën edhe në zgjedhjet për pushtetin lokal . Jua them me siguri se nuk do të fitojë thjesht partia jonë, por do të fitojë Greqia në këto zgjedhje. Ata thonëse po bëjmë ne një fushatë frike. Ata terrorizojnë njerëzit me ato që thonë”, theksoi Samaras, duke vënë gjithashtu në dukje se “në titujt e shtypit të huaj dominon fjala Grexit. Gënjeshtra dhe tmerri janë instrumentet e tyre. një minorancë e çoi vendin në zgjedhje, zgjedhje të cilat nuk i donte shumica, dhe në vazhdim ata u tallën me ata që donin për aleatë. Thonë se duan të bashkëpunojnë me partinë komuniste dhe me ANTARSYA-n. Mirëpo, KKE as që i dëgjon, ndërsa ANTARSYA është një forcë që don ta nxjerrë Greqinë nga BE”. Në vazhdim të sulmit kundër SYRIZA-s, Samaras tha se ata nuk i duan burgjet e sigurisë së lartë dhe pyeti: Përse? Për t’u arratisur të burgosurit? Kanë shpallur se do të shpërbëjnë policinë. Dhe pastaj habiten përse zvogëlohet avantazhi i tyre i vogël. Tani po thonë se nuk do të bëjnë akte të njëanshme. Mirëpo, gjithë sa thonë, janë akte të njëanshme. Të mos paguash interesat dhe amotrizimin, është përcaktimi i falimentimit. Borxhin grek e kemi negociuar dhe e kemi reduktuar më shumë se 40%, pa u konfrontuar me askënd”, nënvizoi kryeministri. Në mbyllje të fjalës së vet, kryeministri tha se SYRIZA u shërben interesave të spekulatorëve të dhrahmisë.

Rreziku

“Greqia ime nuk do të dëmtojë Europën”, është titulli i një artikulli të kryetarit të SYRIZA-s, Aleksis Tsipr as, që publikohet në gazetën italiane “Corriere della Sera”. “Greqia ndodhet para një kthese historike: SYRIZA nuk përbën më thjesht shpresë për popullin grek. Mishëron pritshmërinë e një ndryshimi kursi për gjithë Europën, e cila nuk ka për të dalë nga kriza, pa një revizionin radikal të politikave të veta. Fitorja e SYRIZA-s do t’u japë një shtysë të re forcave që luftojnë për ndryshimin. Sepse, përderisa Greqia përfundoi në qorrsokak, edhe Europa e sotme do të ketë të njëjtin përfundim”, shkruan kryetari i SYRIZA-s dhe shton: “SYRIZA nuk konsiderohet më një rrezik, si në vitin 2012, por një sfidë me qëllim ndryshimin”. Në një tjetër pikë të artikullit, shefi i opozitës greke vë në dukje: “Samaras nuk ka asgjë për të ofruar përveç nënshtrimit ndaj një shtrëngese të dëmshme dhe të dështuar, që i imponuan Greqisë shtim të taksave dhe reduktim të pagave e pensioneve, që u shtohen gjashtë viteve të sakrificave”.

 

GJERMANI

Merkel: Synimi im, qëndrimi i Greqisë në euro

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar gjatë vizitës së saj në Londër se Greqia ka respektuar angazhimet e veta sa i përket ekonomisë vitet e fundit dhe shtoi se pret të vazhdohet kjo, duke hedhur poshtë zërat për një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona. “Besoj se dikush duhet t’u thotë njerëzve dhe tregjeve financiare se unë, si kancelarja gjermane, si dhe qeveria gjermane, gjithmonë synuam (të zbatohet) një politikë që parashikon qëndrimin e Greqisë në eurozonë”, vuri në dukje Merkel dhe shtoi se “angazhimet që ndërmorëm”, angazhimet që u ra dakord “midis Greqisë dhe trojkës, Greqisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, u mbajtën dhe u respektuan”. Angela Merkel i bëri këto deklarata gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin britanik David Cameron. “Greqia ka bërë vërtet mjaft sakrifica. Për shumë njerëz në Greqi këto ishin vite shumë të vështira. Kemi bërë shumë rrugë”, vuri në dukje Merkel. “Dhe nuk kam dyshim se do të mund të arrijmë në një konkludim të sukseshëm, të udhëhequr gjithmonë nga parimi se nga njera anë grekët duhet të bëjnë atë që u takon dhe nga ana tjetër, ne duhet të tregojmë solidaritet”, shtoi kancelarja gjermane.

 

MEDIA

“Bild”: Berlini po përgatitet për një dalje të Greqisë nga eurozona

Qeveria gjermane po përgatitet konkretisht për mundësinë e një daljeje të Greqisë nga eurozona në rast të ardhjes në pushtet të së majtës radikale duke shkaktuar madje një panik bankar në këtë vend, konfirmoi sot e përditshmja ”Bild”, pa bërë të ditur burimet. “Nëse do të ketë një dalje të Greqisë nga eurozona, ekspertët qeveritarë gjermanë i tremben një dyndjeje të klientëve drejt bankave greke për të siguruar të ardhurat e tyre në euro dhe pasoja mund të jetë një kolaps bankar”, konfirmoi e përditshmja më e lexuar në Evropë. “Sipas kësaj hipoteze, unioni bankar evropian (kontribuesit evropianë) do të duhet të ndërhyjë me ndërprerje të miliardave”, konfirmoi Bild. “Bild bëri të ditur se kancelarja po punon për disa skenare në rast të fitores së aleancës së majtë Syriza në Greqi gjatë zgjedhjeve legjislative të 25 janarit”, konfirmoi e përditshmja. “Mes pritshmërive të parashikuara, nëse procesi i reformave dhe ekonomisë do të ndërpritet në Athinë, kësti i mbetur prej 10 miliardë eurosh nuk do të mund të paguhet”, shkruan “Bild”. Zërat për një dalje të mundshme të Greqisë nga euro kanë qenë të shumta që kur e përjavshmja gjermane “Der Spiegel” konfirmoi këtë fundjavë se Angela Merkel do të ishte e gatshme të lejonte Greqinë të dilte nga zona euro në rast fitoreje të së majtës radikale Syriza në zgjedhjet legjislative të 25 janarit.

Korrespodent i “Koha Jonë”, Athinë

 

SHKARKO APP