Greqia nuk është koloni
Nga Kujtim Vani
I vendosur që të avancojë dhe të realizojë programin e vet “deri më një”, paraqitet kryeministri Aleksis Cipras në një intervistë për gazetën “Ethnos”, ku gjithashtu vlerëson se është gjetur gjuha e përbashkët me partnerët për reformat. “Programi ynë u prezantua në deklaratat programatike dhe për këtë program ne jemi angazhuar. Ky program ka një horizont katërvjeçar dhe do të realizohet deri më një. Projektligjet që ka shpallur qeveria janë të panegociueshme dhe do të depozitohen menjëherë në parlament”, thekson kryeministri dhe shton: “i kemi informuar institucionet, jemi të hapur në propozimet e tyre, por në Greqi populli grek votoi dhe zgjodhi një qeveri që të qeverisë”. Cipras deklaron se “Greqia nuk është koloni” dhe se “rrugë për kthimin e Greqisë te memorandumi nuk ekziston”, ndërsa sqaron se “nuk ka asnjë rrezik për pagat dhe pensionet, si dhe asnjë kërcënim për depozitat në Greqi”, duke theksuar se “gjëra të tilla nuk duhen thënë as për shaka”. “Marrëveshja e 20 shkurtit me Eurogrupin ishte e qartë dhe marrëveshjet janë që të respektohen. Ne e respektojmë dhe presim që të respektohet edhe nga pala tjetër”, thekson Cipras dhe nënvizon: Në Greqi u bënë zgjedhje dhe qeveria Samaras u rrëzua prej votës së popullit. Nëse kujtojnë se do të insistojnë që qeveria e re të zbatojë ato që la qeveria Samaras, me vjen keq, por do t’i zhgënjejmë”. Kryeministri vlerëson se “çelësi” për t’u arritur një kompromis i ndershëm është “pranimi se politika e mëparshme e shtrëngesës së skajshme ka dështuar jo vetëm në Europë, por edhe në gjithë Europën”, ndërsa i pyetur për një “zgjidhje politike” të këtij problemi, Cipras përgjigjet: “Po të vazhdohet sabotimi i marrëveshjes së 20 shkurtit, është e qartë se do të duhet të ketë zgjidhje politike në nivelin më të lartë të mundshëm”. “Në qeverinë greke bëjmë më të mirën që të garantojmë se gjithë kreditorët tanë do të marrin paratë e tyre dhe njëkohësisht se pensionistët dhe bashkëpunëtorët tanë do të marrin në kohë pagat e tyre”, deklaroi ministri i financave Janis Varufaqis, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me mjaftueshmërinë e likuiditeteve në Greqi, ndërsa bëri thirrje për hartimin e “marrëveshjeve të arsyeshme”, të cilat do t’i lejojnë vendit që të zhvillohet dhe të paguajë borxhet e veta. “Edhe Angela Merkel, edhe Mario Dragi nuk duan përçarje të Europës. Duam një Europë të suksesesshme, një eurozonë të suksesshme”, deklaroi ministri i financave, duke theksuar se fragmentarizmi i Europës do të ishte katastrofë jo vetëm për Greqinë, po për gjithë Europën.
Donald Tusk
“Skenar marrëzie dalja e Greqisë nga euro”
“Një dalje e Greqisë nga eurozona do të ishte katastrofë”, paralajmëron presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk dhe thekson se një zhvillim i tillë kaq dramatik, do të kishte për Europën, jo vetëm pasoja ekonomike, por edhe politike. “Duhet të pengojmë skenarin e marrëzisë” të daljes së Greqisë nga euro për shkak të një aksidenti, deklaron z. Tusk në një intervistë për gjashtë gazeta europiane, mes të cilave edhe gjermanen “Sueddeutsche Zeitung” dhe thekson se edhe lufta e parë botërore ishte rezultat i keqkuptimeve, aksidenteve dhe telefonatave idiote. Qëndrimi i Greqisë në eurozonë nuk është vetëm çështje parash, por duhet të trajtohet në kuadër gjeopolitik, deklaron Tusk dhe thekson se për shkak të krizës në Libi, të situatës së brishtë në Ballkan, në Moldavi, në Transdniesteri dhe në Qipro, “një akt kaq dramatik, si dalja e Greqisë nga eurozona do të ishte katastrofë”, për të shtuar: “Pasojat nuk do të ishin vetëm ekonomike. Një dalje e Greqisë do të ishte kapitulli më dramatik në gjithë historinë e Bashkimit Europian. Duhet ta ndihmojmë Greqinë, kjo është e padiskutueshme”.
KOMENT
Ja pse po falimenton euro
Nga Matt O’Brien
Herën e fundit që dollari kishte me shumë vlerë sesa euro, ishte në dhjetor të vitit 2002, vetëm 3 vite pasi monedha e përbashkët evropiane u fut në treg. Por në vitet që pasuan, euro fitoi fuqi, ndërsa kontinenti importoi më pak dhe eksportoi më shumë. Euro arriti kulmin me një normë rekord këmbimi me dollarin amerikan, në raportin 1 me 1.59. Kjo ishte e mjaftueshme që në vitin 2007, ish-Kryetar i Rezervës Federale të SHBA-së, Alen Grinspen të pyeste nëse euro do të mund të zëvendësonte dollarin, si monedhë e rezervave botërore- me fjalë të tjera në valutën që çdokush e përdor në rast emergjence-dhe madje edhe supermodelja braziliane Gizel Bundshen, thuhej se këmbëngulte të paguhej në çdo rast në euro dhe jo dollarë. Ky pra, ishte një konsensus i qartë. Por rezultoi se raportet mbi “vdekjen” e dollarit ishin tejet të ekzagjeruara. Që atëherë, euro ka rënë 24 përqind kundrejt dollarit, në më pak se një vit, duke bërë që të gjithë të harrojnë ambiciet e saj të mëdha. Këtu mund të na vijë në ndihmë Robert Frosti. Dy politikat monetare kundërshtuan njëra-tjetrën, dhe Evropa mori më në fund rrugën që njihte më mirë. Në mënyrë të veçantë, për të rritur ekonominë jashtëzakonisht të dobët të Evropës, Banka Qendrore Evropiane, bleu bono me paratë e sapo-shtypura, ose siç njihet ndryshe lehtësimit sasior, ndërsa Rezerva Federale është shumë larg kësaj lëvizje, duke u përgatitur të rrisë normat e interesit. Kjo do të thotë se normat e interesit janë në rënie, nganjëherë në nivele negative, në Evropë, dhe, të paktën në fund rezultojnë me rritje në SHBA. Mendoni në këtë mënyrë. A ia vlen më mirë që të blej bono 10-vjeçare gjermane me 0.25 përqind interes, apo bono amerikane 10-vjeçare me interes 2.1 për qind? Investitorët, sidomos ata të mëdhenj evropianë, kanë reaguar duke kthyer masivisht paratë e tyre nga euro, në dollarë. Dhe ja ku u bë, euro ka rënë nga 1.39 $ vitin e kaluar në 1.06 $ aktualisht. Mënyra më e thjeshtë për ta interpretuar këtë, është se ekonomia amerikane, gëzon një formë shumë më të mirë, sesa ajo e Evropës. Papunësia këtu në SHBA është 5.5 përqind dhe në rënie të shpejtë, ndërsa në BE 11.2 përqind dhe me pak gjasa për të rënë së afërmi. Tani, një ekonomi më e fortë do të thotë një monedhë e fortë, sepse ka nevojë për norma të larta interesi, për të mbajtur nën kontroll inflacionin, që nga ana e vet duhet ta bëjë atë një vend më tërheqës për të investuar. Por, sikurse Evropa e ka zbuluar, e kundërta nuk është e vërtetë. Normat e larta nuk e bëjnë ekonominë tuaj më të fortë, nëse ajo është realisht e dobët. Dhe, ndonëse mund të mbajë të fortë monedhën tuaj për një kohë të shkurtër, për një periudhë afatgjatë ajo do të shënojë rënie. Ky është një gabim që BQE-ja e ka bërë 2 herë rradhazi në vitin 2011, kur ngriti normat e interesit për të luftuar rritjen e rrufeshme të inflacionit. Rezultati ishte një recesion i dyfishtë, që thuajse e shpërbëu bashkimin e monedhës të përbashkët. Për ta bërë këtë BQE veproi shumë ndryshe nga sa mund të mendohej, duke ulur normat e interesit dhe duke blerë 60 miliardë euro obligacione në muaj. Më fjalë të tjera, euro po bie shumë më shumë sot, sepse nuk e pësoi si duhej dikur. Ndërkaq, SHBA ka shtypur para sa ka dashur, të paktën shumicën e kohës. Ajo e filloi lehtësimin sasior në vitin 2008, duke e zgjeruar atë në 2009-ën, e rifilloi atë në 2010, dhe prapë në 201-ën, me premtimin për të vazhduar kështu, derisa papunësia të fillonte të binte. Dhe kjo politikë funksionoi. Tani të gjitha këto fillime dhe ndalesa, janë arsyeja se përse dollari kuotohet sa lart dhe poshtë vitet e fundit, por që së fundmi po njeh vetëm rritje. Në të vërtetë, FED po vazhdon të blejë obligacione dhe ndryshe nga thuajse çdo bankë tjetër qendrore, është duke u përgatitur të rrisë sërish normat e interesit. Ky hap po e rrit vlerën e dollarit, përkundrejt çdo monedhe tjetër, dhe veçanërisht euros, tanimë që BQE po shtyp sasi të mëdha parash. Tek e fundit, kjo do të varet nga ajo sesa FED-i do të rrisë normat e interesit, dhe përsa kohë BQE-ja do të vazhdojë të blejë obligacione. Nga njëra anë, nuk ka asnjë shenjë të rritjes së inflacionit apo sjellje spekulative, që të mund të detyrojnë FED-in të rrisë normat. Por në anën tjetër, Rezerva Feredale ka bërë të qartë se dëshiron të fillojë në qershor politikën e normalizimit, për shkak të papunësisë tashmë në nivele të pranueshme. Dhe në krye të kësaj, presidenti i FED-it për Nju Jorkun, Uiliam Dadli, tha madje se mund të kenë rritje të normave me luhatje të shpeshtë, nëse normat afatgjata nuk rriten, çka ka të ngjarë të ndodhë me rendimentet e bonove evropiane. BQE-ja ka premtuar të vazhdojë blerjen e bonove të paktën deri në shtator të vitit 2016, dhe madje edhe më gjatë, nëse inflacioni do të vazhdojë të mbetet shumë i ulët. Tani inflacioni në Evropë disi po ringjallet, por sikurse thekson ekonomisti i njohur Pol Krugman, tregjet duket se besojnë se duhet të kalojë një kohë e gjatë para se ekonomia evropiane, përmes zgjerimit të politikës së saj monetare, të rrikthehet të jetë afërsisht normale. Shto këtu edhe faktin se Banka Qëndore e Gjermanisë, Deutsche Bank, pret që euro të zhvlerësohet në raport me dollarin me 0.90 deri në fund të 2016, dhe 0.85 deri në fund të 2017. Kështu që ju e dini shumë mirë, se kur duhet t’i blini ato bileta për pushimet.