Gruaja në burg, burri në shtëpi!
Nga Albina Gjergji
Nën një heshtje të zhurmshme, sistemi i (pa)drejtësisë tha fjalën e radhës. Ndërkohë që gjithë shqiptarët ditën e djeshme prisnin ethshëm nga gjykata e Apelit vendimin mbi skandalin e Bankës së Shqipërisë një lum zhgënjimesh mori me vete jo vetëm besimin e tyre, por edhe shpresën e së ardhmes që në Shqipëri do të ketë ndonjëherë drejtësi. Çështja “Fullani”, e cila shënon skandalin më të madh financiar të ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, praktikisht tashmë mund të quhet e mbyllur edhe pse teorikisht sipas organit të akuzës hetimet vazhdojnë.
Ditën e djeshme gjykata e Apelit rreth orës 15:30 ka vendosur të lërë të lirë ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Institucioni i Apelit i ka komunikuar atij masën “arrest shtëpie”, duke i dhënë kështu fund ankthit të tij, i cili prej disa ditësh qëndronte prapa hekurave të qelisë. Avokati mbrojtës i Fullanit, nën një elektrizim kënaqësie që i lexohej qartë në portret, u shpreh për mediat se Fullani duhet të ishte hetuar i lirë dhe pa asnjë masë sigurie, madje që do të bëhet rekurs në Gjykatë. “Vendimi i sotëm, pavarësisht në favor, nuk ishte në stadin e atyre vendimeve, pasi kërkuam të mos kishte asnjë masë sigurie. Do bëjmë rekurs në gjykatë. Nuk kam thënë se ka përgjegjësi penale Këshilli Mbikqyrës. Ardian Fullani nuk mund të ndahet nga përgjegjësitë e Këshillit”,- u shpreh avokati Haxhia lidhur me çështjen dhe vendimin më të diskutuar të momentit.
E ndërsa Fullani tashmë duhet të ndjehet më i qetë, pasi pamë të merrte ashensorin për të vajtur në shtëpi, për Inspektoren e Përgjithshme të BSH-së Elivar Golemi, e dyshuar gjithashtu për “shpërdorim detyre” duket se pikërisht tani ka filluar “kalvari i vuajtjeve”, pasi ndryshe nga ish-shefi i saj, Golemi nuk ka as “miqtë e fortë” në politikë e në media sa Fullani dhe as seksin e ish-Guvernatorit që të paktën të mos diferencohej nga përkatësia gjinore në institucionin ku trumbetohet drejtësia. Në Gjykatën e Apelit, Elivar Golemi ka pretenduar se provat ndaj saj janë të pamjaftueshme, por me gjithë mbrojtjen e fortë, trupi gjykues nuk e ka ndryshuar masën, duke e lënë në burg. “Është hera e parë që kam mundësi të sqaroj pozicionin tim. Ka pamjaftueshmëri provash ndaj meje”,- ka thënë ajo para treshes gjykuese (Alaudin Malaj, Shkëlqim Miri dhe Agim Bendo). Në dëshminë e saj, Elivar Golemi u përpoq të mbrohej “me mish e me shpirt”, duke thënë se Prokuroria nuk e ka marrë në pyetje, ndërsa në lidhje me detyrën e saj ka sqaruar se nuk kishte rrezik të prishte provat e prokurorisë, pasi i kishte dorëzuar aty raportet e auditit. “Dua të di, cili është roli i Këshillit Mbikqyrës në këtë ngjarje. Në rregullore nuk përcaktohen auditimet periodike. Kam ushtruar kontroll në Thesar në 2013, kam raportuar çdo 3 muaj para Këshillit Mbikqyrës”- ka thënë ajo, duke lënë të kuptohej që përgjegjësia duhet kërkuar diku tjetër, por… pavarësisht mbrojtjes së fortë nga ana e saj, dikush duhej të bëhej “kokë turku” dhe këtë herë fati nuk ishte me Golemin. Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryeinspektores, Prokuroria kërkoi që të mos merrej dje vendimi, pasi janë shkelur afatet ligjore, por të qëndrojë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi kryeinspektorja nuk ka kryer auditimin konform ligjit. Pikërisht ky vendim i Gjykatës se Apelit për të lënë në burg Inspektoren e Përgjithshme të BSH dhe dhënien e masës “arrest shtëpie” për ish-Guvernatorin e BSH, ka shkaktuar reagime të forta nëpër rrjetet sociale jo vetëm të qytetarëve, por edhe të politikanëve. E para femër që ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës për Golemin ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, e cila i ka kërkuar KLD të vlerësojë dy standardet e gjykimit të apelit të djeshëm, ku burri-shef shkon në shtëpi dhe vartësja-femër përfundon në burg. Ajo ka shtruar pyetjen, “a ka kuptim, Elivar Golemi arrest me burg, ndërsa Fullani është jashtë”? Deputetja Doda ka thënë se “nuk ka as rrezik publik e as mundësi për të tjetërsuar provat zonja Golemi, ndaj justifikim për trajtim ndryshe nuk ka. Para disa muajsh ishim së bashku me zonjat e tjera të parlamentit në burgun e grave. Shqetësimi i tyre më i madh ishte pamundësia për një drejtësi të barabartë dhe trajtim të njëjtë me burrat”!
E në fakt, kur përmendim fjalën drejtësi, a nuk duhet të nënkuptojmë vendime të barabarta, apo në rastin e Fullanit, dikush duhej të bëhej “kurban” për të mbyllur gojët e uritura për drejtësi. Apo tashmë shprehja popullore se “burgu për burrat është” duhet të ndryshuar në “burgu për gratë është”?!
Vendimi i Apelit të ditës së djeshme mbi çështjen “Fullani”, në kuadrin e skandalit të vjedhjes së BSH, më shumë sesa ka qetësuar e ka shqetësuar opinionin publik për mënyrën e dhënies së drejtësisë. Natyrisht që nuk gëzohemi kurrë për dikë që futet në burg, sidomos në rastin kur ende nuk është provuar me vendim të gjykatës fajësia e personit, por është e padrejtë, në mos edhe mizore që njeriu që ishte vartëse, me një fjalë e urdhëruar, pa miq, pa media pranë, pa politikë mbështetëse të dergjet në birucat e burgut, ndërsa shefi… doli. Nëse do të na duhej të flisnim në lirinë tonë mund të shtonim që nuk kishte pse as Fullani e as Golemi të qëndronin në qeli që në fillim, pasi nuk besojmë se janë persona që mund të arratiseshin dhe të zhdukeshin. Ka mendime të ndryshme që shkojnë nga burgu deri tek hetimi në gjendje të lirë, derisa gjykata të shqyrtojë në themel akuzën e Prokurorisë.
Mënyra se si veproi dje gjykata e Apelit ishte e ashpër në raport me standardin e barazisë para ligjit dhe për caktimin e masës së sigurisë. Aq më tepër që futet në qeli një femër, ndonëse nuk mund të gjykojmë për fajësinë, apo pafajësinë e saj në këto momente. Nisur nga çka është thënë në media e në akt-akuzë i binte që, ose të dy në qeli, ose të dy jashtë dhe në pritje të gjykimit.
Gjykata dje ka hapur prapë debatin se sa është e përlyer drejtësia shqiptare. Rasti i prangave të zonjës Elivar Golemi tregon se ajo që është pa miq, pa para për të paguar, që është femër do të vuajë burgimin. Natyrisht që prokuroria po punon për të hetuar deri në themel fajësinë e ish-guvernatorit, ashtu sikurse do t’i duhet të pyesë në qeli femrën Golemi, e cila do të ketë mbetur e shokuar kur ka parë ish-shefin e saj të ikë dhe vetë të rikthehet në qeli.
Në rrjetet sociale, aty ku derdhen mijëra komente e debatohet lirshëm, pasi kanë edhe anonimatin e të shkruarit, mbi 95 për qind janë kundër mënyrës se si veproi gjykata e apelit dje. Pra që zonjën-vartëse e rrasën në birucë, kurse burrin-shef e çuan në shtëpi.
(Shtator – 2014)