Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë, mund të jetë edhe shtetas i huaj
Ky ka qenë vendimi i marrë sot nga deputetët e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, përmes miratimit prej tyre të ndryshimeve në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.
I propozuar nga një grup deputetësh, në mbështetje të nenit 81, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, projektligji i ri kërkon shfuqizimin e fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë”, në pikën 3, të nenit 44, të ligjit për Bankën e Shqipërisë.
“Në kushtet kur, Kushtetuta nuk përcakton si kriter për zgjedhjen e Guvernatorit apo anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, shtetësinë shqiptare, atëherë nuk ka pse ky kufizim të jetë në ligj”, deklaroi nga ana e tij, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, duke shtuar se tashmë çdo shqiptar mund të kandidojë për Guvernator të ri të BSH-së.
Kjo nismë vjen në prag të dekretimit të emrit të Guvernatorit të ri, teksa kreu i shtetit, Bujar Nishani, deklaroi pak ditë më parë se pas festave kombëtare do të dekretojë emrin e pasuesit të Fullanit.