Guvernatori raporton në Kuvend për buxhetin: Duhet të jetë realist
Buxheti i shtetit duhet të jetë realist dhe të ndihmojë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike.
Kështu u shpreh sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa po raporton në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me buxhetin e vitit 2016.
"Në këndvështrimin tonë, buxheti duhet të respektojë me përparësi dy objektiva të rëndësishme dhe të ndërvarura. Së pari, duhet të jetë një buxhet realist dhe i mbështetur në parashikime të kujdesshme. Së dyti, duhet të ndihmojë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Sipas projeksioneve të projekt buxhetit të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në nivelin 417.7 mld lekë gjatë vitit 2016 ose në rreth 27.7% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Kjo vlerë përfaqëson një rritje vjetore prej 4.9% krahasuar për nivelin e planifikuar për vitin 2015. Ndërsa shpenzimet publike gjatë vitit 2016 do të jenë rreth 452.1 mld lekë ose 29.5% të PPB. Shpenzimet e pritura pritet të tkurren me rreth 0.9% krahasuar me një vit më parë.
Deficiti buxhetor i vitit 2016 është parashikuar në masën 34.4 mld lekë ose rreth 41% më i ulët se një vit më parë. Në terma të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto Defiçiti buxhetor lerësohet në rreth 2.2% të PPB, çka përfaqëson një reduktim prej 1.8 pikësh përqindje ndaj nivelit të vitit 2015. Reduktimi vjen si pasojë e pagesës së detyrimeve të prapambetura me një ndikim prej 1.3 pikës përqindje dhe politikë fiskale diskresionare me një ndikim prej 0.5 pikësh përqindje", detajoi Sejko.