Hajdarmataj-Ramës: Pse po pengoni vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova??
Në 11 vjetorin e vdekjes së Presidentit të parë Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë qenë me mijëra mesazhet në përkujtim të figurës së tij.
Deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, në mesazhin e saj ka dhe një pyetje për kryeministrin Edi Rama, se përse po vazhdon të mos lejojë ngritjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë.
Ajo thekson se që në vitin 2014-të me iniciativë të kreut demokrat Lulzim Basha, në atë kohë kryetar i Bashkisë, dhe qindra qytetarë të Tiranës me kontribute vullnetare realizuan shtatoren e Rugovës, por që nuk u lejua nga qeveria e majtë për tu vendosur në asnjë shesh të kryeqytetit.
Ja mesazhi i deputetes:
“Sot në përvjetorin e ndarjet nga jeta të legjendarit të Kombit, Presidentit Ibrahim Rugova, kujtimi dhe nderimi për të është obligim.
Zemrës së Kombit, metropolit të shqiptarisë, Tiranës tonë, i mungon një shtatore.
Një shtatore që do të përjetësonte mirënjohjen kombëtare për veprën e Tij të pavdekshme.
Edhe pse qysh prej vitit 2014, kur me iniciativën e Z. Lulzim Basha dhe me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës është realizuar dhe është gati shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova, kjo nuk gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen e pinjollëve të diktaturës në pushtet.
Për ta më të rëndësishme janë bunkerët”.