Hapja e BE-së ndaj Turqisë
Nga Havier Solana
Madrid – Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare turke muajin e shkuar, përçuan një mesazh të fuqishëm: demokracia e Turqisë, mbetet e paprekur. Në fakt, ndërsa ka patur disa pakënaqësi në lidhje me transparencën gjatë procesit të fushatës, demokracia u përforcua me një pjesëmarrje mahnitëse prej 86 përqind të votuesve të mundshëm – një normë që rrallë shihet në Evropën e sotme. Pjesa tjetër e botës – dhe në veçanti Bashkimi Evropian – duhet ta marrë këtë parasysh.
Me votën e tyre, qytetarët e Turqisë, ia mohuan partisë qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) shumicën absolute, që ishte e nevojshme për të ndryshuar kushtetutën. Për më tepër, duke i dhënë Partisë Demokratike Popullore (HDP) – e cila mbledh së bashku pakicën kurde, dhe grupet e tjera shoqërore të margjinalizuara – më shumë se 10 përqind të votave, çka i mundësoi kësaj force politike të hyjë për herë të parë në parlament, me përfaqësim në të gjithë vendin, dhe jo vetëm tek zonat me shumicë kurde.
Ajo që e përforcon këtë triumf të pluralizmit, është fakti që alevitët dhe grupet e pakicave të krishtera, kanë fituar një përfaqësim më të madh parlamentar, dhe Jazidët dhe romët do të përfaqësohen për herë të parë. Konfigurimi i ri parlamentar, ka gjasa të ketë një ndikim të madh në politikën e jashtme të Turqisë, e cila është ballafaquar me sfida serioze vitet e fundit.
Në të vërtetë, ndërsa konfliktet rajonale janë intensifikuar, objektivi qëndror i vendit, politika e “zero problemeve” me fqinjët e saj, është bërë e paarritshme. Dhe politikat që Turqia ka ndjekur, sidomos ndaj Sirisë dhe Egjiptit, nuk kanë kënaqur as vendet me shumicë sunite të rajonit dhe as Perëndimin.
Çka është më e rëndësishme, politika e jashtme e qeverisë së AKP-së ka hasur në kritika të konsiderueshme nga forcat e brendshme, të cilat tashmë kanë më shumë pushtet për ta ndryshuar atë – gjë që do të ndodhë, pavarësisht nëse AKP-ja mund të arrijë të formojë një koalicion apo një qeveri të pakicës.
Kahja e ndryshimit, do të duhet të marrë parasysh qasjet e preferuara nga parti të ndryshme. Për shembull, Partia Popullore Republikane, laike dhe e qendrës së majtë, kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të çdo vendi, duke kërkuar që Turqia të ri-vendosë marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Sirinë.
Përkundrazi, HDP kurde protestoi kundër dështimit të qeverisë së mëparshme të AKP-së vitin e kaluar, për të ndërhyrë në Koban, kur Shteti Islamik e rrethoi qytetin kufitar sirian. Nga ana e saj, Partia e djathtë e Lëvizjes Nacionaliste, kritikon vendimin e qeverisë së AKP-së, për të denoncuar qeverinë aktuale egjiptiane, duke argumentuar se ky veprim nuk ka bërë gjë tjetër, veçse e ka eliminuar ndikimin e Turqisë në vend. Tashmë, pohon kjo parti, Turqia duhet të punojë për të mbrojtur integritetin territorial të fqinjëve të saj rajonalë.
Mes gjithë kësaj pasigurie, një gjë është e qartë: Turqia nuk mund të izolohet në vetevete. Si një fuqi rajonale, ajo ka përgjegjësinë për të punuar për zbutjen e tensioneve, dhe për të promovuar zgjidhjen e konflikteve. Ankaraja, ka gjithashtu një interes kombëtar afatgjatë në rritjen e stabilitetit rajonal, veç të tjerash se kjo do të ndihmojë për të frenuar valën e refugjatëve – tashmë numërohen dy milionë-, si dhe duke krijuar më shumë mundësi për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare.
Ringjallja demokratike e Turqisë, paraqet një mundësi ideale për BE-në për të rindezur marrëdhëniet e saj me këtë vend. BE është partneri kryesor tregtar i Turqisë, dhe një nga investitorët e saj më të mëdhenj, duke e konsideruar prej kohësh Turqinë si një aleat të qëndrueshëm në një rajon të paqëndrueshëm.
Përshkallëzimi i luftës dhe dhunës sektare, të cilat janë duke u bërë kronike, rrezikojnë si Turqinë, ashtu edhe Evropën. Në këtë kontekst, marrëdhëniet e rinovuara do t’u shërbenin interesave të të dyja palëve. Për shembull, BE do të mund të siguronte mbështetje diplomatike në marrëdhëniet e Turqisë me fqinjët e saj, dhe ndihmë humanitare për të ndihmuar refugjatët. Duke pasur parasysh se një Lindje e Mesme më e qëndrueshme, do të dërgonte më pak refugjatë dhe terroristë përtej kufijve të saj, Evropa ka një nxitje të fortë për të siguruar një mbështetje të tillë.
Urgjenca e kësaj situate, kërkon që marrëdhëniet dypalëshe të lëvizin përtej diskutimeve të ngushta të pranimit ose jo të Turqisë në BE. Tek e fundit, duke pasur parasysh rezistencën e madhe ndaj çdo zgjerimi të mëtejshëm të BE-së në këtë moment, procesi i pranimit padyshim që do të përparojë shumë ngadalë.
Prandaj, synimi duhet të jetë gjetja e mënyrave të reja dhe më efikase të bashkëpunimit, që do të mund të shmangin problemet dhe konfliktet, dhe të cilat kanë penguar deri më tani negociatat e anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë, se procesi i pranimit duhet të braktiset. Përkundrazi, kanale të tjera më efektive bashkëpunimi, duhet të hapen paralelisht me të.
Një vend i mirë për të filluar, mund të jetë një takim i anëtarëve të parlamenteve evropiane dhe turke. Udhëheqësit evropianë, duhet të monitorojnë me kujdes rishikimin e mundshëm të politikës së jashtme turke, duke mos e humbur mundësinë për të ringjallur dialogun dypalësh mbi çështjet me interes të përbashkët.
Kjo do të kërkojë takime periodike të mëvonshme të nivelit të lartë, në mënyrë që të prodhojë një marrëveshje mbi veprime specifike të përbashkëta për sfidat urgjente. Ky është një moment i artë për marrëdhëniet BE-Turqi, dhe nuk duhet lënë të shpëtojë. Arritja e qëllimit për një stabilitet të zgjeruar në Lindjen e Mesme, kërkon nga të dy palët të punojnë së bashku. Evropa nuk duhet kurrësesi që ta humbasë këtë tren.
Bota.al