Hartohet projektligj i posaçëm për Inteligjencën Artificiale. Mbikëqyrje njerëzore sistemeve “AI” me rrezik
Shqipëria pritet të ketë së shpejti një kuadër të posaçëm ligjor për inteligjencën artificiale (IA), i cili synon të garantojë zhvillimin, përdorimin dhe vendosjen në treg të këtyre teknologjive në përputhje me standardet e sigurisë, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Projektligji “Për Inteligjencën Artificiale”, i hartuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka dalë për konsultim publik. Ai synon të krijojë rregulla të qarta për përdorimin e sistemeve të IA-së në vend, duke harmonizuar legjislacionin shqiptar me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji parashikon klasifikimin e sistemeve të inteligjencës artificiale sipas nivelit të rrezikut, vendosjen e kërkesave të posaçme për sistemet me rrezik të lartë, si dhe ndalimin e praktikave që konsiderohen të papranueshme.
Dokumenti përcakton detyrime për ofruesit, përdoruesit, importuesit dhe shpërndarësit e sistemeve të IA-së. Gjithashtu, ai parashikon mekanizma për mbikëqyrjen e tregut, vlerësimin e konformitetit, monitorimin pas vendosjes në treg dhe garantimin e mbikëqyrjes njerëzore të sistemeve.
Një nga elementët kryesorë të projektligjit është krijimi i “sandbox-eve” rregullatore, mjedise të kontrolluara testimi që synojnë të mbështesin inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.
Sipas relacionit, mungesa e një kuadri të dedikuar ligjor për inteligjencën artificiale krijon pasiguri juridike për operatorët ekonomikë dhe institucionet publike, si dhe rreziqe për cenimin e të drejtave themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Projektligji synon të rrisë sigurinë juridike dhe teknike në përdorimin e inteligjencës artificiale, të forcojë mbrojtjen e qytetarëve dhe konsumatorëve, të nxisë investimet në teknologji dhe të garantojë një mbikëqyrje institucionale më efektive.
Në zbatim të ligjit, AKSHI parashikohet të ketë rolin e autoritetit koordinues për inteligjencën artificiale, në bashkëpunim me autoritetin përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut, autoritetin njoftues dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Projektligji është hartuar mbi parimet dhe strukturën e Aktit Evropian për Inteligjencën Artificiale (AI Act) dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire në fushën e transformimit digjital.
KOHA JONË SONDAZH

