Haxhinasto: Hapa të përbashkët, për të rritur kthimin e investimit të projekteve

Me pjesëmarrjen e Ministrave të Transportit të Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, si dhe Drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të KE, z Jean-Eric Paquet, kryefjala e këtij takimi ishte konkretizimi i rrjeteve rajonale me investime dhe adoptimi i metodologjive të suksesshme evropiane për planifikimin, projektimin dhe implementimin e projekteve me rëndësi rajonale.   

Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto i bëri referencë fokusit, që rajoni ka marrë në konferencën e Berlinit, në Gusht të këtij viti dhe ftoi Ministrat të bashkonin forcat për shfrytëzimin e kësaj mundësie, që po i jepet rajonit nëpërmjet krijimit të sinergjive, duke pasur një plan veprimi të përbashkët për zgjidhjen e sfidave në planifikim dhe implementim të investimeve, me qëllim final lidhjet intermodale të rrjeteve tona kombëtare me ato Evropiane.  

"Ka ardhur koha  të vendosim për hapa konkrete të përbashkëta, sepse axhenda jonë për integrimin Evropian është e njëjtë; nevojitet më tepër koordinim për të planifikuar më mirë në menyrë që, sipas udhëzimeve edhe të Komisionit Evropian, të  nxjerrim segmentet kyç nga rrjeti gjithëpërfshirës, në mënyrë që të rrisim kthimin e investimit për projektet tona, për të tërhequr edhe partnerë privat", – tha ai gjatë fjalës së tij. 

Ai kërkoi që SEETO të ketë në vëmendje edhe elementë të tjerë të infrastrukturës, veç investimeve kapitale, siç janë siguria rrugore, standardet e projektimit dhe implementimit, si edhe mirembajtja, jo vetëm si masa shumë efikase në rritjen e sigurisë në rrugë, por edhe si metodologji optimizimi të infrastrukturës aktuale. Ministri theksoi eksperiencën e vendit tonë, ku janë disafishuar fondet për sigurinë rrugore dhe mirëmbajtjen e rrugëve. 

Ndër zhvillimet në vend, ministri Haxhinasto përmendi reformat në sektorin e transportit, rritjen e standardeve, si edhe metodologjinë e prioritarizimit të investimeve me fokus rëndësinë ekonomike të veprave, turizmin dhe veçanërisht lidhjeve me fqinjët. Gjithashtu, ai shtoi se nëpërmjet këtyre hapave synimi është liberalizimi i mëtejshem i  shërbimeve të transportit në rajon edhe me vendet e BE.  

SHKARKO APP