Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, javën e ardhshme marrëveshja
Javën e ardhshme do të nënshkruhet marrëveshja për instrumentat financiar për fillimin e punimeve për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, projekti i parë dhe shumë i rëndësishëm për hekurudhën shqiptare në 25 vite.
Lajmin e bëri me dije Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, i cili tha se ky është një sektor që do të zhvillohet edhe më tej, për shkak të rritjes së interesit nga Bashkimi Europian dhe nga aktorë të tjerë të ndërlidhshmërisë të rajoneve të ndryshme ekonomike.
Deklaratat Dervishaj i bëri nga Kina ku mori pjesë në forumin e nivelit të lartë të zhvilluar në Kinë, “Një brez, një rrugë”, që u mbajt në kujdesin e Presidentit të Republikës Popullore të Kinës Xi Jingpin.
Në këtë forum të nivelit të lartë me të pranishëm krerë shtetesh nga 27 vende të ndryshme të botës, Ministri Dervishaj dhe Drejtori i Komitetit Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma He Lifeng, nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit mes 2 shteteve, me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat e transportit, infrastrukturës dhe aspektin financiar.
Ministri Dervishaj tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, janë në një nivel shumë të mirë politik, por duhet të bëhet më shumë në forcimin e raporteve ekonomike dhe në zhvillimin e projekteve infrastrukturore.
Dervishaj: “Forumi i nivelit të lartë, “Një brez, një rrugë”, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i vlerësuar edhe nga pjesëmarrja e personaliteteve të shumta, si presidentë dhe kryeministra nga shumë vende të botës. Në këtë proces të rëndësishëm është pjesë edhe Shqipëria, ku ne sapo kemi firmosur Memorandumin e Bashkëpunimit me palën kineze për këtë nisëm.
Ky memorandum, shënon një hap përpara për mënyrën si do të funksionojë marrëdhënia jonë në këtë forum, sidomos me financuesit duke filluar nga Kina por edhe bankat e ndryshme që i janë bashkuar këtij procesi me projekte konkrete.Shqipëria është pjesë dhe përfituese e disa inisiativave, ku më e rëndësishmja është Procesi i Berlinit dhe Konektivitetit për Ballkanin Perëndimor. Shumë shpejt do të kemi projekte konkrete, të cilat përveç financimit do të kërkojnë dhe studime të sakta fizibiliteti për të vijuar më tej me procesin e implementimit.
Shqipëria është një aktor serioz sa i takon bashkëpunimit ekonomik, ky forum sikurse u dëgjua dhe nga presidenti kinez Xi Jingpin, përveç aspektit infrastrukturor, rrugor, hekurudhor e detar, është një projekt që ka të bëjë me rritjen e paqes, sigurisë, komunikimit dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve ndërkombëtar ku kalon rruga e lashtë e mëndafshit. Sepse zhvillimi infrastrukturor, nuk ka të bëjë vetëm me zhvillim ekonomik, por edhe me impaktin e jashtëzakonshëm social dhe të afrimit të popujve”.
Memorandumi i bashkëpunimit, përmban 7 pika, si fuqizimi ekonomik i dy vendeve, forcimi i bashkëpunimit në aspeket e zhvillimit të infrastrukturës, transportit etj.