Historia prekëse e gruas që mbajti në bark binjakun e vdekur
Emma Dutton dhe partneri i saj Mark Prince po qëndronin ulur në korridorin e spitalit dhe nuk mund të besonin se sa fatlum ishin. Pas shumë tentativave të dështuara, ata zbuluan se ishin duke pritur të sjellin në jetë binjakë. Të gëzuar tej mase me lajmin, filluan të mendojnë për emrat e djemve, duke u munduar t’i gjejnë disa që do të ishin të ngjashëm, duke marrë parasysh faktin se bëhej fjalë për binjakë. Megjithatë, gëzimi i këtij çifti nuk zgjati shumë, pasi kuptuan përmes ultrazërit se diçka nuk është në rregull. Pasi shikuan në ekran, mjekja u dha lajmin se njëri nga djemtë binjakë është duke vuajtur nga një sëmundje e rrallë që po i rrezikonte jetën. Dy javë më vonë, në javën e 20-të të shtatzënisë, frika e tyre më e madhe doli të jetë e vërtetë, kur mjekët u thanë se njëri nga fëmijët në barkun e Emmas ka vdekur. Por nga dëshira e madhe që të mbante në duar fëmijën e gjallë, ajo vendosi ta mbajë tjetrin pa jetë në bark për më shumë se 15 javë që të mos i rrezikojë jetën tjetrit. Dhe më në fund në javën e 35-të të shtatzënisë, ajo dhe Marku sollën në jetën birin e tyre Oliver përmes ndërhyrjes cezariane. Për fat të mirë ai nuk kishte trashëguar sëmundjen e vëllait dhe sot, 10 muajsh gëzon shëndet të plotë pranë prindërve të tij.