Huamarrja, Ligjet dhe Ekonomia miratojnë propozimin e Qeverisë/Brace: Nuk do të kalohet niveli i borxhit

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar në parim ndryshimet e propozuara në ligjin për huamarrjen dhe borxhin që shumë shpejt pritet të shkojnë për diskutim në Kuvend. Me këtë ndryshim rriten kompetencat e ministrit të Financave për të marrë borxh, ndërsa shmangin Kuvendin nga vendimarrja.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani, ka sqaruar më herët në Komisionin e Ekonomisë nismën e qeverisë për të patur të drejtën për huamarrje pa aprovimin e parlamentit. Sipas tij kjo e drejtë kërkohet për shuma që janë nën nivelin e borxhit, ndërsa për shuma që e kalojnë atë duhet aprovimi Parlamentit.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ka dhënë dhe porositë dhe cakun se deri ku qeveria mund të marrë borxh pa miratimin e Kuvendit.

“Qeveria mund të marrë hua deri në nivelin e vendosur me ligj për borxhin.Nëse tejkalohet niveli përcaktuar me ligj vendos vetëm Parlamenti. Ministria e Financave do të raportojë çdo tre muaj për borxhin e kreditë”,  tha ai.

Gjatë diskutimit të projekligjit për huamarrjen shtetërore në Komisionin e Ligjeve, deputetët e LSI, Braho dhe Vasili shprehën qëndrimin e tyre kundër tij.

“Ministria e Financave merr shumë autoritet.Parlamenti po kthehet në noter. Të mos vihemi nën presionin e qeverisë”, u shprehën ligjvënësit e LSI.

Në bazë të këtyre ndryshimeve, Ministria e Financave do të mund të “luajë” më me shpejtësi në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantojë interesa dhe kosto më të ulëta huamarrje.

Ndryshimet në ligjin për huamarrjen shtetërore dhe borxhin publik parashikojnë dhënien e kompetencës së negocimit dhe miratimit për marrëveshjet e borxhit Ministrit të Financave, pa pasur detyrimin që çdo marrëveshje e nënshkruar të kalojë për miratim fillimisht në Kuvend. 

SHKARKO APP