Hungaria dhe qeveria e Viktor Orbanit
Nga George Szirtes, The Guardian
Një natë, pas kryengritjes së dështuar të 1956-s, kur isha vetëm 8 vjeç, familja ime e kapërceu ilegalisht kufirin hungarez për në Austri. Ishte viti 1956. Ishte e rrezikshme ta bëje një gjë të tillë, por të paktën nuk përballeshim me mundësinë se mund të mbyteshim në një varkë apo kamion. Përse e bëmë? Askush nuk e diskutoi me mua një gjë të tillë atëherë, ashtu sikurse askush nuk iu ka thënë djemve të rinj që të mblidhen në kufirin serbo-hungarez.
Evropa qe e mirëpërgatitur për ne. Kishte kampe austriake gati dhe brenda tri ditëve na u ofrua një fluturim për në Angli, një vend të cilin nuk e kishim vizituar apo nuk kishim ëndërruar që ta shihnim, por që qe gjithashtu i përgatitur për ne.
Përpara disa javësh u ktheva në Budapest për të takuar një shok te terminali i trenave Keleti. Ishte shumë nxehtë. Sapo dolëm nga shkallët me korrent që të nxjerrin mbi metro pamë refugjatët: familje, individë, fëmijë fare të vegjël. Një turmë prej rreth 70 vetash përpara stacionit thërriste: “Gjermani, Gjermani!” dhe përpara tyre qëndronte një vijë policësh me veshje antipërleshje. Kishte edhe shumë policë të tjerë brenda dhe jashtë stacionit që qëndronin pa lëvizur, të cilët kishin krijuar një gardh për t’i ndaluar refugjatët që të hynin dhe të merrnin trenin për të cilin kishin biletë, por jo dokumente. Një burrë i veshur me blu mërmëriste: “Mirësevini në Hungari!”. Kamerieri në bufe shtoi se ishte si përpara 1000 vjetësh: sërish Hungaria ishte kufiri rojë i Evropës së Krishterë.
Sigurisht, nuk qe diçka shumë e saktë. Rreth 1000 vjet më parë ishin hungarezët jo-të krishterë, të cilët ishin emigrantët që ndërmorën hyrjen dhe vendosjen në pellgun e Karpateve dhe në luginat hungareze. Kufijtë e Krishtërimit erdhën më vonë.
“Por i jemi kthyer krishterimit. Është Europa e Krishterë ajo të cilën po mbron Hungaria nga hordhitë dhe terroristët myslimanë”, thotë kryeministri Viktor Orbán. Ai dëshiron ta shpëtojë Hungarinë për hungarezët e “vërtetë”: jo të gjithë hungarezët janë të vërtetë, nga ana tjetër. Duke kërkuar mbështetjen e hungarezëve të vërtetë, ai nxori një pyetësor ku pyeste nëse emigrantët janë keqbërës apo terroristë dhe vendosi postera, të drejtuara refugjatëve, në hungarisht – një gjuhë të cilën askush prej tyre nuk e kupton – duke iu thënë se askush prej tyre nuk do të lejohet që të marrë punën e hungarezëve. Zor se ndonjëri prej tyre dëshiron të qëndrojë me të vërtetë, por ja që duhet të sigurosh vendasit, sidomos duke i frikësuar ata.
Hungaria ka një histori me Perandorinë Osmane dhe Orbani është përkushtuar që ta rikthejë si me magji atë. Perandoria osmane po rikthehet, paralajmëron ai. Ata po marrin dhenë! Hungaria nuk do të jetë kurrë më e njëjta! Ai është i detyruar të sillet si burri i fortë sepse të qenit një burrë më i fortë edhe se partia e ekstremit të djathtë Jobbik mund ta shpërblejë atë në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj vendosi gardhin, ushtrinë, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme; përdori egërsinë dhe gjuhën e urrejtjes. Sepse kështu ka qenë që në fillim: plotësisht mizor dhe shpifës.
Sigurisht ka një problem logjistik dhe moral për Evropën, e cila ka dështuar të përballet me problemin e refugjatëve që pas atyre hungarezë më 1956-n. Por tani problemi është më i madh, më i vështirë për t’u organizuar dhe ndrequr. Gjermania dhe Austria kanë akomoduar tashmë një numër të konsiderueshëm, por nuk mund të vazhdojnë të presin të tjerë. David Cameron ka thënë se Britania e Madhe është treguar bujare me miliona refugjatë që janë bllokuar pak kilometra larg kufirit sirian. Por refugjatët që kanë paguar për të ndërmarrë rrugën e rrezikshme, që kanë mbijetuar dhe ndodhen tani në kufirin hungarez dhe që ndodheshin te stacioni i trenit, që prej ditës së sotme, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës po trajtohen si kriminelë që duhen dënuar mbi 3 vjet nëse tejkalojnë apo dëmtojnë rrjetën e hekurt.
Sigurisht është e turpshme që Britania e Madhe, veprimet e së cilës në Afganistan dhe Irak ndihmuan në periudhën afatgjatë në përkeqësimin e krizës, kanë bërë kaq pak për ta. Por është edhe më e turpshme se si autoritetet hungareze jo vetëm që i kanë keqtrajtuar por edhe dejonizuar ata për arsye politike. Kjo është ndryshe nga një dështim organizativ apo moral. Frika, urrejtja dhe racizmi është puna e tyre. Një udhëheqës i komunitetit rom tha përpara disa ditësh se qeveria iu është referuar njerëzve të tij si një problem me të cilin hungarezët janë treguar zemërgjerë duke mos i ndaluar që të hyjnë në Evropë. Por edhe romët janë hungarezë dhe kanë qenë të tillë 600 vitet e fundit.
E gjithë bota qe dëshmitare. Reporterët dhe stafet kinematografike ndodhen atje. Hungarezët, si popull, nuk janë më të këqij se çdokush tjetër – me mijëra vullnetarë kanë disa javë që po i ndihmojnë refugjatët – por ata nuk punojnë për qeverinë. Pavarësisht punës së tyre të mirë, falë veprimeve të qeverisë, emri i Hungarisë është turpëruar.