Hyn në fuqi Kodin i ri Rrugor, gjobë 600 mijë lekë nëse kapesh në qytet me shpejtësi jashtë normës së lejuar
Kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të ashpra për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Gjoba me të mëdha, heqje patente e mënjëhershme dhe nuk ke mundësi apelimi, etj. Makinat që kanë marrë një numër gjobash të shumta i hiqet patenta shoferit deri në 1 vit, edhe nëse ka paguar gjobat.
Ndryshimet, të miratuara nga Kuvendi më 18 qershor dhe të botuara në Fletoren Zyrtare më 22 korrik, synojnë rritjen e sigurisë në rrugë përmes ndëshkimeve më të forta për shkelësit.
Një nga risitë më të rëndësishme lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Sipas rregullave të reja, një drejtues që kapet për herë të dytë duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do ta humbasë përgjithmonë patentën, pa të drejtë për ta rimarrë.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe shoferët e rinj. Personat madhorë që kapen duke drejtuar automjet pa patentë nuk do të lejohen të regjistrohen në autoshkollë për një vit.
Për të miturit, masa është edhe më e ashpër, pasi do të duhet të presin dy vite pas mbushjes së moshës 18-vjeçare për të nisur procedurat për pajisjen me leje drejtimi.
Për dy vitet e para pas marrjes së patentës, shoferët e rinj do t’i nënshtrohen kufizimeve të veçanta. Ata nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli para drejtimit të mjetit, ndërsa shpejtësia maksimale do të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë zonave të banuara. Shkelja e këtyre rregullave ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh.
Kodi i ri parashikon edhe rritje të gjobave për shpejtësinë në zonat e banuara dhe për manovrat agresive, nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë. Po ashtu, nëse një drejtues kapet dy herë brenda një viti duke përdorur celularin në timon, patenta i pezullohet për tre muaj. Ndalimi i përdorimit të celularit shtrihet edhe për drejtuesit e biçikletave, motorëve deri në 50 cc dhe monopatinave.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se pezullimi i patentës nuk mund të zëvendësohet më me pagesën e dyfishit të gjobës. Për lejet e drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare, pezullimi do të zbatohet automatikisht, pa asnjë mundësi shmangieje.
KOHA JONË SONDAZH

