I dërguari special i Trump, Zampolli në Tiranë: Populli shqiptar duhet të vendosë për shtetin Bektashi
I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump për Ballkanin dhe Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, gjatë vizitës në Tiranë ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit Bektashi dhe drejtues të politikës shqiptare. Në një prononcim nga Kryegjyshata Bektashiane, Zampolli foli për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA dhe projektin për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë. I pyetur për këtë nismë, ai tha se propozimin e ka dëgjuar nga Kryeministri Edi Rama dhe Baba Mondi, duke theksuar se vendimi u takon shqiptarëve. ”Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, deklaroi Zampolli, duke shtuar se nëse populli shqiptar e dëshiron këtë zhvillim, “kjo është një gjë e mirë”.
Më poshtë, deklarata e plotë e të dërguarit special amerikan, Paolo Zampolli:
Si Presidenti Trump, ashtu edhe Sekretari Rubio, dhe unë vetë, të gjithë besojmë në bashkëjetesën ndërfetare dhe në të gjitha objektet e kultit.
Personalisht ndihem i bekuar. Nëna ime ishte kushërirë e Papa Montinit, Palit VI. Në familjen time ka pasur edhe një shenjtor. Dhe çfarë dite më të bukur se kjo për të qenë këtu, me Shenjtërinë e Tij Bektashiane, pikërisht në Ditën e Nënë Terezës.
Kjo është shumë prekëse për mua. Kisha dëgjuar për atë që keni këtu dhe është vërtet e jashtëzakonshme. Doja ta shihja me sytë e mi dhe jam shumë i impresionuar. Dua ta përgëzoj vëllain tim për atë që po bëni.
Unë kam lindur në Itali, por jam krenar që i shërbej shtetit dhe presidentit të SHBA. Sigurisht, ne kemi edhe një marrëdhënie biznesi, por Presidenti e kupton gjithashtu të ardhmen dhe ka shumë programe, në lidhje me mjekësinë, siç është programi “Right to Try”.
Nga sa kuptova shkurtimisht, ajo që po bëni këtu me partnerët amerikanë është diçka e shkëlqyer. Dhe padyshim, kjo mund të jetë një bazë shumë e mirë, sepse ne kemi nevojë për spitale.
Unë kam katër vjet që përballem me kancerin, ndaj e kuptoj se sa e vështirë është të kesh kancer. Ne duhet t’i shërojmë njerëzit tanë dhe, padyshim, çfarë mund të jetë më mirë sesa të kemi një partneritet me amerikanët.
Keni takime sot me katër ministra shqiptarë, si edhe me përfaqësues të grupeve parlamentare. Çfarë prisni nga këto takime? Çfarë synoni?
Mesazhi do të jetë se Shqipëria është një mike. Ne sapo kemi emëruar një ambasador, por ende nuk e kemi në detyrë. Dhe është një ambasador i shkëlqyer, i cili do t’i shërbejë administratës Trump dhe parimit “America First”, Amerika e Para.
Kam pasur nderin të takohem shumë herë me Kryeministrin Edi Rama. Madje, sapo jemi takuar dje ose një ditë më parë në Mynih, në Konferencën e Sigurisë.
Kështu që mendoj se mesazhi është: ju jeni një aleat, jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata. Dhe mendoj se kemi shumë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë njerëz të mrekullueshëm.
Atëherë, çfarë prisni nga këto takime që keni sot?
Ky është një takim vërtet informal dhe qëllimi im është të tregoj respekt. Kam ardhur këtu për të treguar respekt dhe për të vizituar vendin si i dërguar i posaçëm i Presidentit. Marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është e shkëlqyer dhe mund të bëhet gjithmonë e më e mirë. Prandaj jemi këtu. Le të shohim. Inshallah.
Për sa i përket shtetit të Bektashinjve që pritet të krijohet këtu në Shqipëri, cili është qëndrimi juaj?
E kam dëgjuar. Kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë.
Epo, po mësoj nga ju dhe mendoj se populli i Shqipërisë e dëshiron këtë. Prandaj, nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Mirë, kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli.
Sinqerisht, NATO është një organizatë për të cilën kemi nevojë. Nuk është pjesë e agjendës sime. Unë isha me NATO-n këtu në Çernobil, ku ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Kjo nuk është vërtet pjesë e agjendës sime, por ne e mirëpresim Shqipërinë si anëtare të NATO-s dhe duhet ta përdorim NATO-n edhe për shumë gjëra të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

