Identifikohen eshtrat e heroit Isa Boletini, ceremonia e rivarrimit në 28 nëntor

Raporti u prezantua ditën e djeshme gjatë takimit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi me familjarët e heroit kombëtar Isa Boletinit, kryetarin e komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtirin si dhe Arsim Gërxhaliun, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Sipas raportit të hartuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga 8 mbetje kockore të sjella nga Mali i Zi, përveç vërtetimit se një pjesë janë të Isa Boletinit është theksuar se një pjesë tjetër janë të Jonuz Ahmet Boletinit, ndërsa për 6 pjesë tjera nuk është arritur të vërtetohet identiteti. Ministri Krasniqi u shpreh se në takim u bisedua për fazën tjetër të punës që është përgatitja e ceremonisë së rivarrimit të heroit tonë, Isa Boletinit.

“Duke e ditur simbolikën dhe si kërkesë e familjarëve të Isa Boletinit është vendosur që ceremonia të mbahet me datë 28 Nëntor 2014”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se gjithçka tjetër sa i përket ceremonisë do të vendoset në fillim të javës së ardhshme.

Ai shtoi se figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare dhe për organizimin e ceremonisë do të ketë koordinim dhe bashkëveprim edhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë.

Përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini falënderoi për përkushtimin e treguar në gjithë këtë proces, ndërsa theksoi se do të angazhohen si familje për ceremoninë e rivarrimit.

 

 

SHKARKO APP