IKMT vijon aksionin në Shkodër, lirohen hapësirat pranë shkollës “Mati Logoreci”
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Ndërhyrja e radhës është zhvilluar pranë shkollës “Mati Logoreci”, ku janë përdorur edhe mjete të rënda për largimin e zënieve dhe pastrimin e territorit.
Pamjet nga aksioni u publikuan në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili e shoqëroi postimin me mbishkrimin: “Çlirimi i hapësirave të Shkollës ‘Mati Logoreci’ në Shkodër”.
Ndërhyrja synon rikthimin e hapësirave të përbashkëta në funksion të komunitetit, si dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit, prindërit dhe stafin pedagogjik.
Sipas IKMT-së, aksioni është pjesë e ndërhyrjeve për sistemimin e territorit dhe garantimin e përdorimit të hapësirave publike nga qytetarët. Puna në zonën pranë shkollës po vijon me pastrimin e territorit dhe largimin e zënieve të konsideruara të paligjshme.
IKMT ka paralajmëruar se aksione të ngjashme do të vijojnë edhe në zona të tjera të Shkodrës, me fokus përmirësimin e kushteve të hapësirave publike dhe aksesit për qytetarët.

