ILDKP-ja një përrallë, apo një gjëegjëzë..!?
Nga Zef Shtjefni
Me 10.04.2003 Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin nr.9049 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive dhe detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nënpunësve të lartë të administratës publike”. Me 07.04.2005, në plotësim të këtij ligji, u bë edhe një ligj tjetër me nr.9367, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike“. Kështu, kush ishte apo kush dëshironte t’i hynte karrierës së administratës publike, detyrohej të deklaronte brenda 30 ditëve pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, të familjes dhe të afërmeve, si dhe burimin e ligjshëm. Po ashtu duhet të vërtetojnë edhe shlyerjen korrekte të detyrimeve fiskale përkatëse për to. Në rastin e mos deklarimit apo të deklarimit të rreme, Ispektoriati i Lartë ka për detyrim ligjor t’ia dërgojë dosjen në prokurori gjithkujt, sipas këtyre ligjeve. Tani le të gjykojmë nëse dhe juve u duket si përrallë apo si gjëegjëzë ky ligj dhe vetë ILDKP-ja. A Ju kujtohet lufta Opozitë-Pozitë për Zanën e famshme të dojeve të “mykura”, që këta të rinjtë gjetën në ILDKP..? Besoj se po, edhe pse harrojmë shpejt ne shqiptarët..! Të gjithë krijuam idenë se pas Zanës, gjendja do të ndryshonte në ILDKP. Por muajt po kalojnë dhe zëri i këtyre të rinjve sa vjen e po shuhet. Mos vallë puna ishte sa për të marrë nën kontroll zyrën e Zanës.!? Kjo pyetje nuk ka se si të mos na dalë për dhëmbësh, edhe sikur të përpiqemi ta mbyllim gojën me forcë. Me ca “sardele” të vogla nëpër rrethe nuk mund të justifikojnë ata euforinë dhe entuziazmin i ditëve të para.
Unë mendoj, se kjo është një situatë alarmante për shqiptarët, pasi në fund të fundit, si ata që merren me politikë, si ata që bëjnë biznes, deri te punëtori e fermeri i thjeshtë për pronën rropatet gjithë jetën . Zana dhe të tjerët para saj nuk më kujtohet se kanë denoncuar ndonjë zyrtarë të lartë për prona të paligjshme. Të vetët jo se jo, por as të PS-së..!Mos bëjnë sherre sa për sy e faqe dhe nën rrogoz bëjnë ujdi me njëri tjetrin këta që të mos na i tregojnë dosjet e pasurive të politikaneve.!? Apo u dalin miq në të dy krahët, ndaj u mykën dosjet.!? Po dhe luajt mëndësh nuk kanë që t’u nxjerrin të pa larat atyre që i emërojnë e paguajnë. Apo mbase ia kanë dërguar Prokurorisë e ne nuk dimë gjë.!? Atje është vendi më i sigurt për to, njësoj sikur t’i hedhësh në detë..! Të gjitha mediat thonë se Prokuroria është kthyer në arkiv dosjesh të vjedhjes së pasurisë publike, të korrupsionit dhe të krimit..! Prokuroria pranon hapur se po mbytet në këtë detë dhe i kërkon ndihmë Qeverisë, pasi është përfaqësuese e interesave dhe akuzës së shtetit. Por dhe Qeveria i kërkon ndihmë Prokurorisë që të levizë dosjet. Kush ka të drejtë vallë, ose më mirë, kush mund t’i thotë tjetrit ik pirdhu se na mërzite, ndaj lësho rrugën…! Le ta forcojmë sa të duam Policinë, por nësë do vijojmë t‘i kemi në këtë gjendje ILDPK-në dhe Prokurorinë, asgjë nuk funksionon.
Në kohën e Fatosit dhe Saliut të madh, kudo që kishte një qosh të bukur Shqiëria, kudo që të shihte syri një pallat luksoz apo një biznes të mirë, kudo që kishte një tëndër apo kudo ku lëvizin shumë para, të kallzonin me gisht se kthetrat e cilit politikan janë.Madje u bë e modës që të thonin se kështu është gjithandej nëpër Europë.Kjo ndodh, sepse askush prej tyre nuk i ka dhënë llogari kujt dhe e as që mëndojnë se do të japin ndonjëherë llogari për pronat e pasuritë e pafund që kanë vënë.Madje prej kohësh është në modë një garë mes tyre, se kush të ketë më shumë prona, kush të ketë veshje e makina më luksoze, kush të kalojë pushime në vëndet më të bukura të botës etj.Kur takova një grup politikanësh tanë para dy vitesh, mu duk e varfër Praga, nga gjërat e shtrenjta që ata kërkonin të blenin.Kjo kulturë e të pangopsisë së të pasuruarit dhe pastaj edhe e të krekosurit haptazi me paratë e vjedhura apo të bëra pa djersë, është një tjetër shuplakë shumë e rëndë që i bëhet atij populli të varfër.Unë kam bindje se Europa për ne do të jetë larg deri ditën që këta që na kanë udhëhequr apo na udhëheqin, të kenë mundësi të vijojnë të na vjedhin dhe tu japim mundësi t‘i fshehin pasuritë e mëdha.Unë nuk kam parë shumë politikanë të varfër nëpër Europë, ku jetoj e puno prej 20 vitesh, edhe pse kam dëgjuar se ka me mijra syresh.Por edhe shumë politikanë të pasur nuk kam parë, përjashtuar ata që kanë ardhur nga shtresat e biznesit.Më kujtohet që në Republikën Çeke dy ish Kryeministra dhe disa ministra u detyruan të ikin në emigracion apo të përfundojnë në burg e në spitalin psikiatrik, sepse nuk mundën të demostronin nga u kishin ardhur 30 mijë euro, apo ndonjë apartament 1+1 e 2+1, ku jetonin.Po kështu, sikur është shuar edhe zëri i njërit prej bilbilave të politikës italiane, Gianfranco Finit, që ditën kur i gjeten një apartament të vogël në Francë, të padeklaruar.Më keq akoma i ka ndodhur një ish ministri mbrojtje të Gjermanisë, i cili, kur trupat gjermane po niseshin me mision në Kosovë, ra në sy me mungesën e tij. Gazetarët zbuluan se Ai kishte shkuar për pushime me të dashurën në një hotel luksoz në bregdetin spanjoll.Ia bënë llogaritë e shpënzimeve dhe doli se nuk i justifikonte ato ligjërisht. Ai u kthye në Gjermani jo më si ministër, por si qytetar i thjeshtë, ku e priti Prokuroria që të shpjegonte se ku i kishte marrë paratë për pushime luksoze.Shëmbuj të tillë ka me qindra nëpër Europë, por t’ua tregosh këtë politikanëve shqiptar, ata gajasen dhe të quajë Donkishot i kohës së tyre të artë në Shqipëri. Bile shumë syresh tallën dhe me Edi Ramën, kur deklaroi te libri “Kurbani” se jeton në një pallat 78 m2 me qera në Tiranë. Unë do ta quaja krejt normale këtë pasuri për një politikan të një vendi të varfër dhe jam i prirur ta besoj Edin, për dy arsye: e para, po të kishte prona të tjera, Sali Berisha nuk do t’i kishin lënë kusur për 8 vite qeverisje. E dyta, Edi nuk mund të ketë më shumë prona, pasi nuk ka burime financiare të ligjshme që t’i justifikojë ata. Pra, jo se nuk kishte e nuk ka mundësi, pasi kjo është qesharake ta mendosh:(11 vjet Kryetar Bashkie, plus 2 vjet Ministër e sot Kryeministër).Mjafton të hapë gojën apo të hedhë një firmë, nëse do…I ngjashëm me te ishte vite më parë edhe Sal Berisha. Për këtë arsye e deshëm dhe i besuan aq shumë. Mirpo Doktori në mandatin e parë e lëshoi pa duar shtetin. Në të dytin edhe pushtetin, edhe etjen për pasuri.
Nuk është as e pamoralshme dhe as e paligjshme që politikanët të kenë prona. E ndaluar dhe e dënueshme është t’i kenë vjedhur apo t’i kenë vënë ato në mënyrë të paligjshme. Kështu që ILDKP është krijuar e paguhet prej shqiptarëve që të na tregojë me fakte publikisht:sa pasuri kanë dhe si i kanë krijuar ato politikanët tanë. Mes disa politikanëve që deklarojnë se u vijnë pronat nga vjehrrat, apo nga borxhet e dhuratat, më shumë më ka mbetur në kujtesë njëri prej tyre, i cili deklaronte 5 mln euro pasuri të fituara në një kazino. Ata që ia kishin gjetur një copë letër kazinoje, të nesërmen qeshnin dhe e tregonin si barsaletë. Të tilla marifete nuk hyjnë dot në punë në një shtet ligjor europian.Këto janë telenovela për lidëret e shteteve arabe. Ndaj them se ILDKP, por dhe Prokuroria, siç kanë punuar deri më sot, ngjanë më shumë me një përrallë apo me një gjëegjëzë..!