Indeksi global i konkurrueshmërisë, Shqipëria e fundit në Europë

Indeksi global i konkurrueshmërisë së talenteve 2017 e rendit Shqipërinë në vendin e 80-të në Botë ndër 118 vende të ekzaminuara dhe të 38-tën në Europë. Kjo do të thotë se Shqipëria është e fundit në Europë. Madje, në raport thuhet se diferenca mes vendit të parë në Europë, Zvicrës dhe vendit të fundit, Shqipërisë, është mjaft e theksuar.

Në indeksin e një viti më parë, Shqipëria renditej e 85-ta, por në ekzaminim merreshin 109 vende dhe jo 118. Gjithsesi, duke i`u referuar pikëzimit, vendi ynë ka bërë progrese, pasi sot grumbullon 39.12 pikë, nga 36.61 të një viti më parë. Indeksi ka për qëllim të tregojë rëndësinë e lëvizjes së talenteve dhe impaktin në prosperitetin ekonomik.

Sipas këtij raporti, lëvizja është jetike për të mbuluar hendeqet, pasi inovacioni në pjesën më të madhe buron nga individë që studiojnë jashtë. Jo rastësisht në krye të renditjes qëndrojnë vende të cilat konsiderohen edhe si destinacionet më të preferuara për njerëz të aftë në punë të ndryshme.

Siç vihet re qartë edhe nga këto shifra, pjesa dërrmuese e nën-indeksve formojnë një panoramë të zymtë të shqipërisë. Në lehtësinë e të bërit biznes, Shqipëria renditet e 81-ta, çka do të thotë se ka humbur ndjeshëm pozita në krahasim me një vit më parë, kur renditej në vendin e 59-të.

Nën-indikatori që i referohet korrupsionit e rendit Shqipërinë të 79-tën në Botë. Në indiakatorët që i referohen impaktit të takenteve në ekonomi, kërkimit shkencor, aftësive, etj, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit. Performancën më të mirë e jep nën-indikatori që i referohet femrave me arsim të lartë, ku Shqipëria renditet e 5-ta në Botë.

Një performancë të mirë regjistron edhe nën-indikatori i ambientit të punës në sektorin privat, pasi e rendit Shqipërinë të 25-tën në nivel global, nga vendi i 53-të i një viti më parë,  duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin punëdhënës-punëmarrës. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, vendi ynë renditet i fundit, me një diferencë të theksuar në krahasim me fqinjët. Në rang global, Zvicra renditet e para e ndejkur nga Singapori.

SHKARKO APP