Indinjata e Gjergj Lucës për flakjen në rrugë të një zv/ministri dhe mirënjohja për modelin që solli Roland Kristo
Nga Albert Vataj
Gjergj Luca është shprehur për “Koha Jonë” i indinjuar për mënyrën se si, sipas tij, është “flakur në rrugë” Roland Kristo, një personalitet i spikatur, një idealist me kontribute të jashtëzakonshme, një aset i çmuar në galerinë e vlerave të punës dhe përkushtimit. Sipas Lucës, Kristo është një njeri i rrallë, një figurë që ka nderuar dhe përfaqësuar me profesionalizëm të padiskutueshëm Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke marrë konsiderata e vlerësime të vyera që përbëjnë një imazh të denjë, të pastër dhe të respektuar të administratës shqiptare.

Luca ka shpërndarë në rrjetet sociale një video që shërben si falënderim dhe mirënjohje, jo vetëm në emrin e tij personal, por në emrin e gjithë komunitetit të peshkimit, i cili prej më shumë se dy dekadash ka bashkëpunuar me Roland Kriston në një varg iniciativash që janë kthyer në arritje konkrete.
Për “Koha Jonë”, Luca ka bërë publik një reagim të fortë, të drejtpërdrejtë e pa asnjë ekuivok, ku thelbi i deklaratës së tij është denoncimi i një akti shkarkimi që ai e konsideron të padenjë për një teknokrat të nivelit dhe integritetit të Kristos.
Sipas Lucës, ky rast nuk është thjesht një largim nga detyra, por një pasqyrë e qartë se si politika shpesh nuk njeh mirënjohje, nuk njeh kujtesë, nuk njeh as mëshirë për njerëzit që e nderojnë atë me punë, pavarësisht se nuk janë pjesë e oborreve partiake. Ata që mbajnë peshën e profesionit mbi kurriz dhe jo interesat kalimtare duket se, për sistemin, mbeten të zëvendësueshëm dhe të harrueshëm.
Në postimin e tij, Luca shprehet me një ton që ngjan me një klithmë:
“Jam sot këtu të ulëras e të bërtas nga poshtërimi që i kanë bërë profesor Roland Kristos. Biologu i njohur, shkencëtari i rrallë z. Kristo, para dy ditësh vlerësohet e respektohet nga ministri spanjoll i bujqësisë dhe nga Komisioni Mesdhetar i Peshkimit, ndërsa u kthye në Shqipëri u flak në rrugë brenda ditës. Nga zëvendësministër i bujqësisë, u la pa punë duke ia poshtëruar karrierën. 22 vjet dha kontribute madhore në peshkimin shqiptar dhe mesdhetar, por administrata e re ia shumëzoi me zero…”

Më tej ai vijon me një thirrje që ngërthen brenda dhimbjen për padrejtësinë dhe vlerësimin për njeriun:
“Roland Kristo i duhet Shqipërisë, sepse është simbol i njeriut të ndershëm që dashuria për punë i është kthyer në oksigjenin e jetës!”
Në videon e tij, Luca nuk i ka zgjedhur jo rastësisht dy thëniet e Gëtes:
– “Uria i shpie në grep edhe peshqit më të mençur.”
– “Që njeriu të realizojë atë që i kërkohet, duhet ta konsiderojë veten më të madh nga sa është.”
Këto thënie shërbejnë si metaforë për rrugëtimin e Kristos, për mënyrën se si ai ka punuar gjithmonë përtej kufijve të detyrës, me një ambicie të pastër profesionale dhe me një idealizëm që sot duket i pazakontë.

Në këtë komunikim publik, Luca i shpreh komunitetit të peshkimit se Roland Kristo ka qenë një shtyllë që ka mbajtur në këmbë këtë sektor, një sektor jetik për ekonominë shqiptare, duke e çuar drejt arritjeve të njëpasnjëshme. Ai shton me keqardhje se 3–4 ndërhyrje të fundit e kanë detyruar të tërhiqet edhe nga roli i tij aktiv në sektor, një tërheqje që konsiderohet humbje për strukturat që ai ka ngritur.
Por pika më e prekshme e këtij rrëfimi është njoftimi se dy ditë më parë, Roland Kristo është tërhequr nga posti i Kryetarit të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit të Mesdheut. Sipas Lucës, pas përfundimit të mandatit të parë, Brukseli e propozoi dhe këmbënguli që Kristo të vijonte edhe katër vite të tjera, një tregues i qartë i performancës së shkëlqyer dhe respektit ndërkombëtar që ai gëzon.
Në Malagë të Spanjës, gjatë mbledhjes së radhës të komisionit, Kristo ka paraqitur dorëheqjen për arsye shëndetësore, përballë ministrit spanjoll të Peshkimit, përfaqësuesve të këtij organizmi dhe Këshillit të Evropës.

Luca sjell edhe surprizën që iu bë në këtë takim: një fotografi ku kolegët e tij evropianë mbanin një pankartë me urimin në shqip:
“Faleminderit Roland”.
Një gjest i rrallë që flet më shumë se fjalët për respektin dhe kontributin e tij.
Në mbyllje të reagimit, Luca bën të ditur se Organizata e Menaxhimit të Peshkimit ka nderuar Roland Kriston duke e shpallur President Nderi, një titull që e mban në gjirin e saj si figurë referuese e peshkimit mesdhetar dhe njëkohësisht si dëshmi e vlerësimit të padiskutueshëm ndërkombëtar për punën e tij.

Po cili ishte Roland Kristo?
Roland Kristo përfaqëson një nga figurat më të kultivuara të administratës dhe shkencës shqiptare në fushën e peshkimit, akuakulturës dhe zhvillimit rural. I formuar në një prej universiteteve më prestigjioze të Evropës, ai ka përfunduar studimet e larta në Shkenca Biologjike në Universitetin “La Sapienza” në Romë, duke u dalluar për rezultate të shkëlqyera dhe aftësi të spikatura kërkimore. Më vonë, ai fiton titullin akademik “Doktor i Shkencave” në fushën e bujqësisë dhe mjedisit, një dëshmi e seriozitetit të tij shkencor dhe e trajektoreës së qëndrueshme që do të ndiqte në karrierë.

Puna e tij e hershme lidhet ngushtë me sektorin që më vonë do ta përfaqësonte në nivele kombëtare e ndërkombëtare. Kristo ka drejtuar Institutin e Kërkimeve të Peshkimit në Durrës (1997–1999), institucion kyç për monitorimin dhe studimin e resurseve detare. Mes viteve 2001–2012, ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Peshkimit, duke orientuar për një dekadë politikat shqiptare në këtë sektor me një profesionalizëm që sot njihet si standard.
Ai ka një rol të trashëguar edhe në botën akademike: në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Departamentin e Peshkimit dhe Akuakulturës, ka kontribuar në formimin e brezave të rinj të specialistëve. Paralelisht, ka qenë ekspert në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare të financuara nga Bashkimi Evropian, FAO, GIZ e të tjera, ku ka sjellë ekspertizën e tij teknike në analiza, strategji dhe projekte zhvillimi.
Si një nga arkitektët e legjislacionit modern të sektorit, Kristo ka luajtur rol qendror në hartimin e ligjeve dhe strategjive të peshkimit dhe akuakulturës për periudhat 2007–2015 dhe 2016–2021, duke lënë gjurmë në themelin e politikave të qëndrueshme të burimeve ujore.

Roli i tij institucionale u ngjit më lart me emërimin si zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku mbajti përgjegjësi të drejtpërdrejta në koordinimin e skemave mbështetëse për fermerët. Ai u angazhua në krijimin dhe zbatimin e skemave të reja të investimeve, si Skema Kombëtare e Investimeve 2025, që synon modernizimin e fermave, rritjen e prodhimit dhe nxitjen e risimeve teknologjike përmes granteve dhe kredive me interes të ulët.
Bashkëpunimi i tij me Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka qenë i pandërprerë, në informimin, mobilizimin dhe trajnimin e fermerëve rreth skemave të mbështetjes financiare, duke i kthyer këto programe në instrumente realë zhvillimi dhe jo në formalitete burokratike.

Në vitin 2018, ai u zgjodh President i Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM), një arritje e jashtëzakonshme për një specialist shqiptar. GFCM është institucioni rajonal më i lartë që menaxhon peshkimin në Mesdhe dhe Detin e Zi, dhe zgjedhja e Kristos në krye të tij tregoi qartë se profesionalizmi i tij ishte i njohur dhe i respektuar në shkallë ndërkombëtare.
Në këtë rol ai solli në Shqipëri perspektivat moderne të menaxhimit të qëndrueshëm të resurseve detare dhe krijoi ura bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe organizata si FAO, me të cilat ka qenë në mënyrë të vazhdueshme i angazhuar në tryeza globale e rajonale.
Megjithatë, në tetor 2025, me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e Kryeministrit, Roland Kristo u shkarkua nga detyra e zëvendësministrit. Një vendim i papritur, që shumëkush e lexoi si pasojë e lëvizjeve politike dhe jo e vlerësimit të meritës. Largimi i tij pritet të ketë ndikim në vazhdimësinë e projekteve ku ai ishte hallka qendrore dhe zëri profesional që i udhëhiqte.
Pikërisht ky personalitet, i përgatitur, i formuar në perëndim, i vlerësuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, i qëndrueshëm në karakter dhe i pakompromis në profesionalizëm, është Roland Kristo. Dhe pikërisht mënyra e padenjë, e papritur dhe e pasqaruar e largimit të tij ka ngritur indinjatën e Gjergj Lucës dhe shumë të tjerëve. Sepse Kristoja përfaqëson atë grup të vogël, pothuajse të zhdukur, të idealistëve të administratës shqiptare: atyre që nuk i shërbejnë partisë, por sektorit; që nuk i shërbejnë interesit ditor, por vizionit afatgjatë; që nuk kërkojnë karrige, por rezultate.

Ai është një nga ata pak profesionistë që kanë arritur t’i japin Shqipërisë një profil të besueshëm në forumet ndërkombëtare. Ka qenë i barabartë në tryezat me ekspertët e vendeve të zhvilluara, ka udhëhequr projekte transformuese dhe ka garantuar se zëri i Shqipërisë në politikat mesdhetare të peshkimit të mos jetë as periferik, as formal, por substancial dhe i respektuar.
Kjo është arsyeja pse emri i tij ngjall reagime, pse largimi i tij shihet si humbje, dhe pse figura e tij sot përmendet jo vetëm si teknokrat, por si simbol i një profesionalizmi që ende beson se shërbimi publik është mision, jo trajtim politik.

KOHA JONË SONDAZH

