Infrastruktura diplomatike, Shqipëria e dyta në rajon
Indeksi i Diplomacisë Globale 2016 mbledh bashkë të dhënat zyrtare dhe nxjerr në pah listën e rrjetit diplomatik më të madh.
Kështu, renditjen e 2016-ës për këtë tregues e kryeson SHBA-ja e cila ndiqet nga Franca, Kina, Rusia dhe Britania e Madhe. Sakaq, disa nga rezultatet e indeksit konfirmojnë edhe një shkallëzim surprizues të investimeve në infrastrukturën diplomatike në disa shtete të vogla europiane.
Sipas tyre përshembull, Shqipëria numëron 23 pika të rrjetit diplomatik në botë, duke vëzhguar listën e Indeksit dhe del se krahasuar me rajonin ku gjendet, vendi ynë është i dyti për nga infrastruktura diplomatike. Kryeson Serbia me 34, teksa nivelin më të ulët e ka Mali i Zi 16, ndërsa Kosova dhe Maqedonia 18.
Indeksi i Diplomacisë Globale 2016 tregon rrjetin diplomatik thuajse në të gjithë botën, duke i lejuar përdoruesve të shikojnë dhe të krahasojnë disa nga rrjetet më të rëndësishme diplomatike në botë.
I ndërtuar në një hartë interaktive dhe përpiluar nga Instituti Lowy, nënvizon hendekun dhe koncetrimin e rrjetit diplomatik, e njëkohësisht tregon fortësinë apo dobësinë në mbulimin gjeografik dhe arritjen e aksesin gjeopolitik.
Harta është ndërtuar duke marrë për bazë shtetet e G20 dhe anëtarët e OECD, me rreth 6000 poste diplomatike në 700 qytete.
Sfidat e shek..21, nënvizon raporti, janë padyshim duke prodhuar ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si shtetet praktikojnë diplomacinë. Rritja e influencës dhe rëndësia e aktorëve jo shtetërore, transformimi i teknologjisë dhe komunikimit, rreziqet nga terrorizmi dhe siguria ka ndryshuar formën tradicionale të diplomacisë dhe roli i ambasadave po ndryshon.