INSTAT: Biznesi po shton xhirot dhe të punësuarit

 

Biznesi privat që operon në Shqipëri po tregon së fundmi  një ripërtëritje të disa prej treguesve më të rëndësishëm të tij, siç janë xhiroja apo edhe të punësuarit. Të paktën kështu referon anketa strukturore e ndërmarrjeve ekonomike, publikuar nga Instituti i Statistikave sipas të cilës në ndërmarrjet që operojnë në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, shifra e afarizmit ose siç njihet ndryshe xhiroja, në vitin 2013 u rrit në nivelin prej 6.2% krahasuar me vitin 2012. Ku kontributin më të madh në rritjen e shifrës së afarizmit, gjithmonë sipas INSTAT-it e kanë dhënë pikërisht prodhuesit e shërbimeve me nivelin prej 5.1%. Por me rritje paraqiten gjithashtu edhe treguesit e tjerë si numri i të punësuarve me nivelin prej 9.0%, investimet me 9.2%, si edhe numri i ndërmarrjeve me 1.4%. Nga ana tjetër, INSTAT-i konfirmon se prodhuesit e shërbimeve realizuan rreth 65.3% të totalit të shifrës së afarizmit, teksa kanë zënë në total 85.3 % të numrit të ndërmarrjeve. Ndërsa për prodhuesit e të mirave, Instituti i Statistikave konfirmon se ata kanë zotëruar 37.8 % të të punësuarve në total dhe se kanë realizuar 56.9% të investimeve. Për të vijuar më tej me të dhënat për sektorin e tregtisë, të cilat referojnë se gjatë vitit 2013, ato kanë realizuar 48.7% të shifrës së afarizmit gjithsej dhe zënë 43.3 % të numrit të ndërmarrjeve në total. Sikundër shtohet se ky sektor ka përfaqësimin më të lartë në punësim me nivekin prej 26.0% të të punësuarve gjithsej. Nga ana tjetër, Instituti i Statistikave ka vënë në dukje në anketimin e tij se ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar dominojnë në ekonominë shqiptare. “Këto ndërmarrje realizuan 60.1 % të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 48.5% të të punësuarve gjithsej të aktiviteteve ekonomike të mbuluara nga kjo anketë dhe ka realizuar 66.9% të investimeve”, sqaron Instituti i Statistikave. Duke shtuar se në grupin e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe investimeve të realizuara. Kurse për ndërmarrjet me 1-4 të punësuar raportohet se përbëjnë 89.4% të ndërmarrjeve. “Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 15.8 % të shifrës së afarizmit dhe ka 34.5% të të punësuarve gjithsej. Në ndërmarrjet e vogla me 1-4 të punësar mbizotërojnë prodhuesit e shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe shifrën e afarizmit të realizuar”, përfundon INSTAT-i në anketimin e tij.

 

 

KRAHASIMI

Shifra e afarizmit për të punësuar, për vitin 2013 ka pësuar rënie me nivelin prej -2.6%, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve, konkretisht me nivelin prej +9.0% me një ritëm më

të lartë sesa shifra e afarizmit e cila ka qenë prej +6.2%.

 

 

 

Prodhuesit e të mirave

 

Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit është rritur në nivelin prej +2.9%, krahasuar me vitin 2012. Teksa numri i të punësuarve u rrit me +5.2% dhe investimet u rritën 17.2%. Numri i ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e të mirave është rritur 3.0%. Kontributin më të madh në shifrën e afarizmit e jep industria nxjerrëse me 3.1%. Shifra e afarizmit për sektorët e industrisë është rritur 3.4%, ndërsa për sektorin e ndërtimit është rritur 2.1% krahasuar me një vit më parë. Në sektorin e industrisë nxjerrëse është shënuar rritje më e madhe e numrit mesatar të të punësuarve prej 7.5% krahasuar me vitin 2012.

Në sektorin e industrisë përpunuese, gjatë vitit 2013, shifra e afarizmit arriti vlerën 191 miliardë lekë. Ky sektor ka 52.4% të të punësuarve e realizoi 30.7% të investimeve të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave. Ndërmarrjet aktive të këtij sektori përbëjnë 63.4% të numrit të ndërmarrjeve në prodhuesit e të mirave gjithsej.

 

Prodhuesit e shërbimeve

Në prodhuesit e shërbimeve, shifra e afarizmit është rritur 8.0% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve u rrit 11.4%, ndërsa investimet e realizuara u rritën 0.1%. Numri i ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve është rritur 1.2%. Kontributin më të madh në shifrën e afarizmit e jep sektori i tregtisë me 7.4%. Në sektorin e tregtisë, gjatë vitit 2013, shifra e afarizmit arriti vlerën 797 miliardë lekë. Ky sektor ka 41.8% të të punësuarve në prodhuesit e shërbimeve dhe realizoi 34.8% të investimeve të prodhuesve të shërbimeve gjtihsej. Ndërmarrjet aktive të sektorit të tregtisë përbëjnë 50.7% të numrit të ndërmarrjeve në këtë grup. Shifra e afarizmit në sektorin e shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) është rritur 10.6% krahasuar me një vit më parë. Ky sektor ka shënuar rritjen më të lartë prej 18.7% e numrit të të punësuarve gjithsej.

SHKARKO APP