INSTAT: Ekonomia në rritje, arrin në 2.02%

 

Prodhimi i Brendshëm Bruto në vitin 2014 u vlerësua 1.400.549 milionë lekë (10.01 miliardë euro), me një rritje prej 2.02% përkundrejt 2013-ës.

Kjo u bë e ditur sot nga Instituti i Statistikave, duke vërtetuar kështu vazhdimësinë e rritjes ekonomike, konkretisht me nivelin prej 2.02%.

Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “aktivitete profesionale dhe shërbime administrative” me 0,76 pikë përqindje, e ndjekur nga degët “tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me 0,47 pikë përqindje. “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” kontribuan me 0,44 pikë përqindje, “administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 0,42 pikë përqindje,” industria, energjia dhe uji” me 0,37 pikë përqindje dhe Shërbimet e tjera me 0,31 pikë përqindje.

Kurse degët që kanë kontribuar negativisht janë “ndërtimi” me -0,76 pikë përqindje dhe “informacioni e komunikacioni” me -0,06 pikë përqindje. Taksat dhe subvencionet mbi produktet kontribuan respektivisht me 0,04 pikë përqindje dhe 0,02 pikë përqindje. Përsa i përket strukturës së PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2014 vazhdojnë ta zënë shërbimet gjithsej me 45,4 % të PBB, të cilat u rritën me +4,29 % në terma realë. Industria dhe ndërtimi përbëjnë 21,9 % të Produktit të Brendshëm Bruto, por ndërsa industria u rrit me +2,93 % në volum, ndërtimi ka pësuar një rënie prej -7,33 %.

 

SHKARKO APP