INSTAT: Rritet punësimi në vend
Në Shqipëri, po rritet punësimi i popullatës. Këtë herë, konfirmimi i kësaj dukurie nuk vjen nga qeveria, por nga Instituti i Statistikave sipas të cilit, numri i të punësuarve është rritur me nivelin prej +1.8% në tremujorin e tretë të këtij viti. Por edhe me +3.7% në krahasaim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, duke reflektuar kësisoj një qasje pozitive të punës dhe reformave të ndërmarra nga qeveria lidhur me punësimin si të tillë. Gjithsesi, INSTAT pranon edhe se krahas rritjes së punësimit kemi edhe një rritje të numrit të të papunëve, konkretisht me +0.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Gjatë tremujorit të tretë 2014 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 219.585 persona. Shkalla e papunësisë për këtë popullsi është 17.4% dhe shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19.6% dhe 14.5%”, citojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me një fakt të tillë. Kurse sa u përket sektorëve ku punojnë të punësuarit, ata sqarojnë se ato janë kryesisht në industri përpunuese, ndërtim dhe bujqësi.“Gjatë tremujorit të tretë 2014, 43.1% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 23.4% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Kurse punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut përbën 16.1% të punësimit total”, argumenton INSTAT mbi këtë fakt. Për të vijuar më tej edhe me të dhënat mbi ndikimin e nivelit të arsimit tek punësimi. Konkretisht, sipas INSTAT-it, shkalla e punësimit është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë, në nivelin prej 65.7%. Pasuar nga ata me arsim të mesëm profesional, niveli 65%. “Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes”, sqaron gjithashtu anketa e Institutit të Statistikave. Për të përfunduar se po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht në nivelet prej 65% dhe 46.4%.