INSTAT: Rritet tregtia me pakicë, shtohet konsumi i popullatës
Në tremujorin e tretë 2014, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë është rritur 6,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkaq, në grupin e
Tregtisë me Pakicë pa përfshirë këtu Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve ky indeks ka pësuar rritje prej 4,4 % kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 10,1 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, duke dhënë në këtë tremujor dhe kontributin më të madh në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë.
Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë për grupin e “Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 5,0 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në tremujorin e tretë 2014, në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi I volumit të shitjeve është rritur 9,4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, dhe 13,3 % krahasuar me tremujorin paraardhës.